Në korrik të vitit 2016 Parlamenti i Shqipërisë si rrallëherë bëri 140 vota PRO miratimit të reformës aq të kërkuar të drejtësisë.
Çfarë ishte në thelb kjo reformë e miratuar? Pastrimi i plotë i sistemit të drejtësisë, në çdo hallkë dhe nivel, që nga ata që hetojnë e deri tek ata që dënojnë; nga mbledhësit e provave, deri tek këshilltarët ligjorë. Të gjithë duhet të kalonin filtrin e ndershmërisë, profesionalizmit dhe besueshmërisë.
Sot 6 vite pas miratimit të reformës, rezultatet e para janë dhënë. Një pjesë e konsiderueshme e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë jashtë sistemit. Për të tjerët procesi është në vijim.
Por të gjithë e ndjejnë që kjo nuk po mjafton për të patur një drejtësi të pastër dhe funksionale. Arsyeja është sepse ka ende hallka që mungojnë në këtë zinxhir pastrimi të sistemit.
Instituti i Studimeve Politike, në 5 vjetorin e miratimit të reformës, hartoi një raport ku ndër të tjera thuhet:
“Ajo që shohim në këto 5 vite është që reforma në drejtësi ishte jetike, positive dhe e domosdoshme për Shqipërinë, por koha na tregoi se ata që e inicuan reformën në drejtësi dhe sidomos në fazën e shkrimit të ndryshimeve kushtetetuese dhe ligore, nuk patën informacionin, përgatitjen dhe vizionin e duhur për ta bërë reformën praktikisht të realizueshme. Sot pas 5 vitesh ne kemi institucioneve të reja të drejtësisë, kemi reformë në drejtësi në progres, por nuk kemi një drejtësi funksionale”
Çfarë i mungon ende kësaj reforme që të marrë formë? Është vettingu në burimin e hetimit, pra vettingu tek Oficerët e Policisë Gjyqësore të cilët janë “syri dhe veshi” i prokurorëve. Janë ata që hetojnë, mbledhin provat, marrin në pyetje, bëjne dosjen gati. Në fakt, Prokurori vendos në bazë të punës së Oficerëve.
Në mungesë të këtij vetingu ndaj kësaj hallke të sistemit të drejtësisë, në këtë cikël investigimesh, gazeta “Dita” po nis publikimin e dosjeve për Oficerët e Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjthshme, të Tiranës si dhe të oficerëve gjyqësorë të SPAK.
Kjo me qëllimin që kushdo ta ketë të qartë se cilët janë ata që sillen jo si mbledhes provash dhe ndihmësa të Prokurorit, por si bandë sekserësh.
Rasti Dritan Malaj (Oficer në Prokurorinë e Tiranës)
Dritan Malaj, djali i ish zv-ministres së Arsimit dhe ish deputete e Lëvizjes Socialiste për Integrim është rasti i parë që do të publikojmë. Është një nga shembujt e emërimit politik, jashtë kritereve, zhytur në konflikt interesi dhe korrupsion.
Dritan Malaj është emëruar Oficer i Policisë Gjyqësore në vitin 2016 me firmë të ish kryeprokurorit të dënuar Adriatik Llalla, në shkelje të plotë me ligjin.
Sipas ligjit të asaj kohe, që të emëroheshe Oficer i Policisë Gjyqësore duhet të kishe 5 vite pune si jurist. Dritan Malaj i datëlindjes 12.10.1990 deri në momentin e emërimit si OPGJ kishte vetëm 4 vite eksperiencë pune pranë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), institucion në të cilin u punësua pasi i “përkiste” partisë ku familjarë të Dritanit ishin zyrtarë. Këtu nis një kalvar i gjatë shkeljesh dhe abuzimesh.
Si të mos mjaftonte fakti që Dritan Malaj nuk përmbushte as eksperiencën për t’u punësuar, ai ndërkohë ishte edhe aksioner në një shoqeri tregtare. Më konkretisht në 10.03.2015 shtetasi Dritan Malaj me 40 % dhe shtetasi italian Giuseppe Colazzo me 60% themelojnë kompaninë COOLSERVICE ALBANIA dhe kuotat u ndanë 40 % për Dritanin dhe 60% për Giuseppen.
Ligji e ndalon që një Oficer i Policisë Gjyqësorë të jetë aksioner në shoqeri tregtare. Këtë gjë Dritani “e mësoi” dy vite me vonesë, dhe në datë 15.02.2017 transferoi 40% të kuotave të veta në kompani tek Stela Malaj që është bashkëshortja e tij.
Malaj dhe familja e tij nuk ndalen me kaq. Me 07.12.2021 themelohet shoqeria “Malaj Low Consulting and Partner” shpk. Ish-deputetja e LSI, zotëron 30% në këtë shoqeri.
Ligji nuk ndalon një ish deputete të jetë themeluese dhe aksionere në një aktivitet privat, por është totalisht shkelje ligji, kur kjo studio ligjore shërben si “lavatriçja” i parave të të birit si Oficer i Policisë Gjyqësore.
Jeta luksoze e Dritan Malaj
Nga vendet egzotike e deri në vendet e ftohta; udhëtime luksoze të reklamuara edhe në rrjetet sociale. Pushimet në vende ekskluzive janë pasioni i Dritanit. Paga e tij si OPGJ është 102.800 lekë në muaj. Sa për të krijuar një ide, Dritani ka kaluar ditë të tëra pushimesh ne hotel Grotta Palazzese (foto lart) nje hotel ekskluziv në Polignano, ku gjysëm dite qendrimi kushton sa rroga e një OPGJ-je.
Për të mos numëruar ditët e panumërta ne plazhet e Amalfit, Saint Tropezit e deri në Spanjë.
Si i paguan oficeri Dritan Malaj këto shpenzime në çdo cep të globit? Një llogari e thjeshtë nxjerr se rroga e tij nuk mjafton as për bileta avioni.
Themi bileta avioni pasi transportin në tokë Dritani e ka “zgjidhur” si çështje. Ai lëviz nëpër Tiranë me një Range Rover me targa angleze, që u përket pronarëve të një bari të njohur, të cilët kanë qënë subjekt i hetimit të Prokurorisë dhe sot kanë studio ligjore mbrojtëse pikërisht “Malaj Low Consulting and Partner” ose më saktë, kanë avokate mamanë e hetuesit të tyre! Viktimat e tij të radhës?
Malaj, vetëm një prej tyre
Siç edhe e theksuam në hyrje të këtij cikli, rasti Malaj është vetëm një nga Oficerët e Policisë Gjyqësore të këtij kallëpi. Si rasti “Malaj” janë me dhjetra oficerë të tjerë për të cilët nuk është folur deri më sot.
Të emëruar sipas orekseve politike ndër vite, ajo që bën përshtypje është që jeta e tyre e luksit vazhdon, edhe pse drejtuesit që i kanë emëruar nuk janë më në drejtim, e as partia që i ka promovuar nuk është më në pushtet.
Me çfarë jetojnë dhe si jetojnë këta oficerë; si e justifikojnë jetën e tyre me udhëtime të shpeshta, makina, vila, pishina, aksesorë e veshje të shtrenjta? Kjo është një pyetje së cilës nuk i shmangesh dot kur sheh rezultatet e investigimit.
Duhet theksuar se Reforma dhe drejtuesit e rinj kanë sjellë një tjetër frymë. Oficerët e Policisë Gjyqësore nuk emërohen më nga kryeprokurori duke i “kënduar” në vesh drejtuesi i Prokurorisë se është një qokë që duhet bërë. Sot oficerët përzgjidhen në bazë të një konkursi, aty ku drejtuesi i Prokurorisë dhe kryeprokurori nuk ndërhyjnë dot.
Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela i ka rikthyer institucionit hijen e humbur të seriozitetit dhe ka arritur brenda një kohe të shkurtër të krijojë distancën e munguar higjenike nga politika. Arenc Çela, drejtuesi aktual i Prokurorisë së Tiranës ka vendosur monitorimin e pjesëmarrjes në punë si dhe vlerësimin e produktivitetit të OPGJ-ve. Ky institucion nuk ka patur në të kaluarën asnjë evidencë të shkruar e aq më pak një analizë konkrete për punën dhe performancën e oficerëve të Policisë Gjyqësore në terren
Por e keqja e kalçifikuar ndër vite, me sa duket nuk hiqet vetëm nga vullneti i mirë i një drejtuesi prokurorie dhe as nga miratimi i një reforme.
Është pikërisht ky motivi për të cilin kemi marrë këtë inisiativë për t’i denoncuar publikisht rastet e OPGJ-ve që vazhdojnë mbajnë peng institucionet e reja të drejtësisë në llagëmet e korrupsionit dhe sekserllëkut.
Situata është alarmante
Disa nga këta oficerë kanë një sjelje hijenash mbi shënjestrat e tyre, që shtrihen nga njerëzit e thjeshtë e deri te zyrtarë të administratës apo të biznesit. Ata e përdorin postin dhe të drejtat që u jep ligji jo për hetime në llogari të shtetit dhe publikut, por për zhvatje dhe shantazh në interes privat; duke njollosur kështu jo thjesht veten e tyre, por pikësëpari sistemin e ri të drejtësisë që me besim të plotë shqiptarët po e paguajnë nga taksat e tyre.
Nuk është e rastësishme që shumë nga viktimat e tyre do dilnin të pafajshëm në rastin e një hetimi serioz. Ironikisht, ata që duhet të ishin vërtetë nën presionin e ligjit dhe drejtësisë, punë që ua kemi besuar këtyre oficerëve, flenë të qetë. Më këtë kategori mëkatarësh realë, OPGJ-të tona veprojnë ndryshe. Për ta, ata kthehen në sejmenë dhe lajmëtarë brënda sistemit penal, janë syri dhe veshi i tyre 24 orë.
Situata është alarmante. Bandat e krimit bashkë me bandat e hetimit numërojnë rubla dhe rubinë, ndërkohë që njerëzit e punës numërojnë minutat teksa dridhen përpara shantazheve dhe montimeve. Kjo histori duhet të marrë fund.
Ky rast është i pari i këtij cikli investigimesh. Nuk do jetë i fundit. Ky cikël i ndihmuar nga hetues profesionistë dhe mjete të teknologjisë, flet për oficerë në Prokurorinë e Tiranës, në SPAK dhe në Prokurorinë e Përgjithshme. Rezultatet e hetimit tonë do të publikohen ditë pas dite.
Në këtë vend duhet që secili që kryen një detyrë publike të ketë minimumi një fije integriteti dhe morali, në mënyrë që të kryejë punën për të cilën paguhet nga taksat tona, i “pakapur prej veshi” nga politika apo ujqërit e krimit.(DITA)