Viti 2021 ka shënuar numrin më të lartë të raportimeve për raste të dyshuara për pastrim parash në pesë vitet e fundit. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave bën me dije se në të kanë mbërritur 1.581 raportime, me një rritje prej më shumë se 10% krahasuar me 2020-n.
Institucioni bën me dije se raportimet për transaksione të dyshimta janë bërë më së shumti nga bankat, të cilat për vitin 2021 përbëjnë 46% të numrit total të RAD, e ndjekur nga raportimet nga subjektet noter me 30 % dhe institucionet financiare për transferimin e parasë me 18%.
Sa i përket llojeve të transaksioneve të dyshimta, ato vijojnë të dominohen nga blerja e pasurive të paluajtshme me burime fondesh të paqarta. Në vendin e dytë të pastrimit të parave renditen transfertat e dyshimta apo anomalitë e theksuara që i shoqërojnë ato. Në vendin e tretë janë konstatimet se personat që kanë kryer transaksionet apo shitblerjet janë të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale.
Huamarrje sponsorizime/dhurime për nga të tretë, që në dukje janë fiktive, edhe për këtë vit rezulton një prej rrugëve më të përdorura për pastrimin e parave.
Në listë nuk mungonin as veprimet, transaksionet, apo investimet e dyshimte të kryer nga persona të lidhur politikisht.
Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave bën me dije se pjesën më të madhe të raportimeve të dyshimta, ose 58% të totalit, i kë dërguar për procedim në SPAK.
Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka përshkruar me skema 10 tipologjitë më të shpeshta të pastrimit të parave në Shqipëri:
Tipologjia 1
Transaksione nga persona të përfshirë në grup kriminal
Tiplogjia 2
Përfshirja e personave me precedentë penalë në shoqëri ndërtimi
Tipologjia 3
Hua dhe sponsorizime të dyshimta nga një PEP
Tipologjia 4:
Blerje pasurish të paluajtshme nën vlerë dhe rivlerësim brenda një kohe të shkurtër
Tipologjia 5:
Rast mashtrimi financiar kryer nga një subjekt juridik
Tipologjia 6:
Përdorimi i personave të tretë për investime në fushën e ndërtimit
Tipologjia 7:
Këmbimi i pasurive dhe përdorimi i dyshimtë i kredive
Tipologjia 8:
Investim në vlerë të lartë në pasuri të paluajtshme në mënyrë jo të drejtpërdrejtë
Tipologjia 9:
Transaksione të dyshimta nga subjekte juridike në fushën e mjekësisë
Tipologjia 10:
Investime në pasuri nga PEP me vlerë të deklaruar nën çmim tregu