Entela Resuli
Unë besoj se ka vetëm një formë madhështie për njeriun, nëse një njeri mund të mbushë hendekun midis jetës dhe vdekjes.
Dua të them, nëse ai mund të jetojë pasi të ketë vdekur, atëherë ndoshta ai ishte një njeri i madh. Për mua i vetmi sukses, madhështia e vetme, është pavdekësia.
Këto ishin fjalët që Ardian Olldashi nisi ditën e sotme, duke ndarë në rrjetet sociale një foto të vëllait të tij, Sokol Olldashi.
Ai është vëllai i madh i Sokolit. Kanë katër vite diferencë. Prindërit e tyre janë ndarë kur ata ishin ende fëmijë. Kjo i ka lidhur më shumë me njëri tjetrin.
“Kur e mendoj veten të plakur një ditë, përballë një filxhani kafeje, do të jem i dënuar të ndaj kujtimet me veten time. Vëllai është gjaku yt, shoqërues në jetë, pavarësisht çfarë ndodh…. Koha e kaluar me të, fëmijëria, ndër më të bukurat për shumëkënd, lë pas imazhe të turbullta që duhen ndarë shpesh me ata që ke pranë, ndryshe, zhduken. Sa do të doja t’i thoja një ditë: Koli, e mban mend kur ti…,kur ne…. Ja pra, që nuk do kem më kë të bisedoj në këtë dimension, ndaj në këtë pikë, ndihem si… jetim. Edhe vëllai të lënka të tillë…” – thotë Ardian Olldashi.
Këtë 20 nëntor mbushen dhjetë vite nga nata fatale që i mori jetën deputetit të PD-së, Sokol Olldashi.
Ardiani, vëllai i madh, i cili prej vitesh jeton në Gjermani, nuk ka folur asnjëherë për mediat, por këtë herë ka bërë një përjashtim, për të ndarë disa kujtime dhe për t’u rrëfyer mbi humbjen e familjarit të tij.
“Megjithëse kam kaluar fëmijëri të vështirë, jeta dhe rrethanat nuk arritën ta zhveshin atë moshë nga bukuria e saj. Jemi rritur me vuajtje, kjo për shkak të internimit që ka kaluar familja jonë. Por ndarja nga jeta e Sokolit, është momenti më i vështirë në jetën time, deri më tani. E pranoj, nuk ka qenë e lehtë për t’u përballuar, por jam dhe duhet të jem i fortë, për fëmijët e mi dhe të Kolit, pavarësisht se unë nuk e zëvendësoj dot figurën e babait, por do të jem aty, sa herë atë të kenë nevojë për ndihmë apo për një këshillë”.
Kur e pyet për 20 nëntorin e aksidentit, shumë përgjigje nuk di t’i kthejë.
“Mos më pyesni se nuk e di se përse, ku shkoi, kë takoi dhe me kë foli atë ditë! Pavarësisht, se e kisha vazhdimisht në mend që duhet ta merrja në telefon atë mbrëmje, nuk e mora, dhe mos më pyesni pse, se nuk di të them… Mos më pyesni për koinçidencat e çuditshme që kishte ai aksident, se nuk e di… Por mendoj se ishte një aksident.
E di që vetë Sokoli nuk ishte aspak komod në atë kohë për shumë qarqe, për shumë fraksione politike dhe ndoshta shumë do ta brohorisnin daljen e Sokolit nga jeta politike dhe ndoshta janë lutur që të ndodhte ajo gjë, por ajo që ndodhi atë mbrëmje nuk ma marr mendja se ka qenë një gjë e kurdisur. E kam të vështirë ta besoj”- tregon Ardiani.
Ndërsa miqtë e partisë, Ardiani nuk do t’i komentojë. Ata që kanë qenë të vërtetë, janë ende. Të tjerët, janë skarcuar rrugës…
Sokoli ndoshta për shumë mund të mos ketë qenë një engjëll, por për familjarët, sot është i tillë.