Florjan Binaj ka interpretuar mbi 140 role të ndryshme (me sa mban mend) gjatë karrierës si aktor humori, por personin që rrallë e ka bërë për të qeshur nuk është askush tjetër veç babait të tij!
I pyetur gjatë emisionit më të ri të Andale Media, “Me nder jush”, një late night show ndryshe, Binaj tregoi se ndonëse ka bërë një Shqipëri të tërë për të qeshur me role ikonike, “kritiku” më i madh i tij është as më shumë e as më pak sesa prindi i vet:
“Babi [zor se qesh me batutat e mia]. Babi im është tip që nuk shprehet shumë, përveçse kur dëgjon Sanremo-n. Atëherë qan, e mban gjithë vitin dhe pastaj aty shpërthen. Po është gjithmonë kështu, edhe kur bëja ndonjëherë ndonjë numër që çohej publiku në këmbë e duartrokiste, kthehesha nga babi dhe babi [bën fytyrë serioze].”
Më tej, Binaj shtoi:
“Ka raste që edhe qesh, po në përgjithësi është shumë i vështirë për t’iu zhbërë ai zhgualli.”
Duke reflektuar më tej mbi kohën, Florjani tha:
“Kam përshtypjen se kanë qeshur më shumë dikur e s’qeshin më tani, ndoshta edhe kur bëhemi më të mëdhenj bëhemi ca më seriozë.”
Ky kontrast mes suksesit në skenë dhe seriozitetit në shtëpi, nuk është shumë i padëgjuar: ndonëse publiku shpesh ngrihet në këmbë e duartroket për një person të suksesshëm, njeriu më i afërt i tij mbetet një kritik i vështirë dhe një figurë që e mban me këmbë në tokë.



