Ndërsa qindra qytetarë përfunduan pas hekurave për “vjedhje të energjisë”, kompanitë publike të sektorit të energjisë, KESH, OSHEE dhe OST, kanë ngecur në një spirale borxhesh ndërmjet tyre dhe palëve të treta. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se në fund të qershorit ky stok arriti në rekordin historik prej 156 miliardë lekësh.
Nga Esmeralda Topi
Në vitin 2015 Muharrem Bajrami nga fshati Dragostunjë i Librazhdit përfundoi pas hekurave për lidhje të paligjshme energjie. I papunë dhe në pamundësi për të paguar energjinë e shpenzuar, ai kishte akumuluar një mal me borxhe.
“Isha debitor me 420 mijë lekë të vjetra pranë OSHEE-së dhe ata më ndërprenë energjinë elektrike. Unë e rilidha energjinë dhe për këtë arsye bëra 9 ditë burg”, – thotë Muharremi, i cili shton se e la shpejt qelinë me ndihmën e avokatit.
Sapo doli nga burgu, gjëja e parë që bëri ishte shlyerja e detyrimeve ndaj OSHEE-së, duke marrë pará borxh te të afërmit.
“Kam ndenjur edhe një muaj pa drita, derisa kam gjetur pará borxh për t’i shlyer, por s’guxoj më t`i fus duart nëpër shtylla”, – rrëfen ai për INA MEDIA-n.
Në vitin 2014, në kuadër të një Plani për Rimëkëmbjen e Sektorit të Energjisë, qeveria nisi një fushatë “pa kompromis”, siç do ta cilësonin asokohe, kundër vjedhjes së energjisë elektrike. Për pasojë u ndërprenë mijëra lidhje të paligjshme në rrjetin e shpërndarjes, por, nga ana tjetër, qindra qytetarë përfunduan pas hekurave.
Qamil Zela u arrestua në kulmin e fushatës së paligjshmërisë, më 28 tetor të vitit 2014. Dy muaj më vonë, më 28 dhjetor të 2014, në gjendje të rënduar psikologjike Zela i dha fund jetës në burgun e Rrogozhinës.
“Babi po priste pretencën e prokurorit, por ky i fundit, Skënder Mestani, shtyu tri seanca pa arsye. Babi u mërzit, plus stresi atje brenda dhe sedra. Parafytyroni në burg një burrë 52 vjeç që ka punuar gjithë jetën me djersën e tij dhe s’ka pasur kurrë probleme me policinë” , – rrëfen plot me trishtim për INA MEDIA-n i biri i Qamil Zelës, Besmir Zela, në prag të 8-vjetorit të humbjes së të atit.
Procesverbali i arrestimit në flagrancë shënonte se dy dyqanet e të ndjerit, që ishin në katin e parë të banesës së tij në lagjen “Skënder Libohova”, Lushnjë, furnizoheshin me energji përmes kontratës së lidhur me shtëpinë, pra si konsumator familjar dhe jo si biznes dhe nuk ishin të pajisur me matës të veçantë.
Familjarët e mohojnë që ta kenë vjedhur energjinë elektrike. Ata pretendojnë se energjia kalonte në sahat dhe ishte paguar çdo kilovat i shpenzuar, por ngërçi ishte krijuar për shkak të procedurave të veçanta për ndërtesat në proces legalizimi.
“Babi kishte kërkuar të vendosej sahat më vete për dyqanet pranë OSHEE-së në Lushnjë, por sahatin nuk e kishin sjellë; kjo për faktin se objekti ishte ende në proces legalizimi dhe duheshin disa dokumente shtesë, por ne e kishim paguar energjinë, të gjitha faturat. Nuk kishim vjedhur asgjë”, – tregon më tej Besmiri.
Familjarët e të ndjerit paditën OSHEE-në, Drejtorinë e Burgjeve dhe Prokurorinë, me akuzën se me veprimet dhe mosveprimet e tyre shkaktuan vdekjen e 52-vjeçarit.
“Nga ana penale m`i hodhën të gjitha poshtë, në çdo shkallë gjykate. Tani kemi vetëm çështjen e dëmshpërblimit të dëmit në Gjykatën Administrative”, – pohon Besmir Zela.
Të dhënat e siguruara nga INA MEDIA tregojnë se nga viti 2015 deri në tetor të këtij viti, Policia e Shtetit ka vënë në pranga 1.489 persona për shkak të lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike.
Po ashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bën me dije se nga viti 2015 deri në tetor të vitit 2022, janë evidentuar 6.556 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 6.665 autorë të dyshuar.
Ana tjetër e medaljes
Paralelisht me aksionin ndaj familjarëve, qeveria përmes Planit të Rimëkëmbjes së Sektorit të Energjisë vendosi të disiplinojë edhe borxhlinjtë e tjerë, institucionet buxhetore dhe ato jo-buxhetore, që trashëgonin një mal me borxhe, jo vetëm ndaj OSHEE-së, por edhe mes tyre. Në vitin 2013 socialistët gjetën gati 9 miliardë lekë fatura të papaguara nga institucionet publike dhe entet e tjera shtetërore ndaj OSHEE-së. Këtë zinxhir borxhesh të majtët e përdorën si simbol të keq-menaxhimit të sektorit gjatë qeverisjes demokrate.
Mbyllja e hendekut financiar, që sektori i energjisë elektrike prodhon çdo vit, brenda 5 viteve të ardhshme dhe transformimi i sistemit të energjisë, nga një sistem që gjeneron borxhe në një sistem të vetë-qëndrueshëm dhe me aftësi likuiduese, ishte objektivi i parë specifik në Planin e Rimëkëmbjes së Energjisë.
Vitet e para të aplikimit ky plan pati sukses dhe në fund të vitit 2014 borxhi i ndërmarrjeve jo-buxhetore ra në 3 miliardë lekë, ndërsa ai i enteve buxhetore ra në 2.7 miliardë lekë. Në përpjekje për të vendosur disiplinë financiare edhe tek institucionet borxhlie, Ministria e Financave diktonte përmes një urdhri këto të fundit, që të mos i jepnin pagat e punonjësve pa shlyer më parë faturën e energjisë elektrike. Për një vit urdhri funksionoi, pasi në fund të vitit 2015 borxhi i buxhetorëve dhe jo-buxhetorëve ndaj OSHEE-së ra në 5 miliardë lekë, nga 8.9 miliardë lekë që ishte në fund të vitit 2013.
Por, reforma, jo vetëm që ngeli në vend, por krijoi në vitet që do të pasonin një borxh thuajse 3 herë më të lartë. Që nga ajo kohë, sektori buxhetor dhe ai jo-buxhetor i është rikthyer praktikës së mos-pagesave.
Të dhënat e siguruara nga INA MEDIA deri në fund të muajit qershor të këtij viti tregojnë se borxhi që institucionet buxhetore dhe ato jo-buxhetore kanë ndaj OSHEE-së ka arritur në 29.75 miliardë lekë, trefish më i lartë se borxhi që socialistët gjetën në vitin 2013.
Për ekspertët, krijimi i borxheve është një histori e përsëritur, që del më shumë në pah në situata krizash, siç është situata aktuale. Sipas tyre ky problem nuk ka gjetur asnjëherë zgjidhje përfundimtare, pasi nuk i është kushtuar rëndësi disiplinës financiare, që është jetike për një sektor si energjia.
“Kur kjo disiplinë nuk arrihet, arsyet e mbështetjes duhet të jenë të bazuara në strategji zhvillimi, që thyejnë sjelljen vicioze dhe jo t’i ndërlikojnë më shumë këto sjellje. Për shembull, uji nuk i justifikon kostot dhe qeveria ka detyrimin ligjor për ta ofruar. Kjo s’mund të ndodhë a priori, pa një strategji”, – thotë për INA MEDIA-n Enton Duro, ekspert për financat dhe ekonominë.
Por, nga ana tjetër, rezulton se vetë KESH, OST dhe OSHEE janë të zhytura në borxhe. 40 miliardë lekë janë borxhet që këto institucione kanë ndaj Ministrisë së Financave, pasi kanë dështuar që t`i shlyejnë detyrimet mbi borxhet dhe garancitë që ka lëshuar për to buxheti i shtetit. Si për ironi të fatit, qeveria gjatë vitit 2022 dhe vitin e mëparshëm i ka dhënë mbështetje buxhetore KESH-it plot 40 miliardë lekë.
“Kjo situatë është e papranueshme, sidomos në këtë periudhë, kur qytetarëve iu flitet për krizë. Nëse kompanitë do të ishin të shëndosha financiarisht, pa këto borxhe të ndërsjella, këto pará qeveria mund t’ia shpërndante shtresave në nevojë, duke i ndihmuar të përballojnë krizën e çmimeve të çmendura. Në këtë mënyrë nuk do ta ndjenin koston e krizës energjetike, në një vend që s’ka lidhje me gazin rus”, – argumenton për INA MEDIA-n Azmer Duleviç, ekspert për çështjet e energjisë.
“Me këto të dhëna investimet në përmirësimin e sektorit energjetik do të mungojnë nga viti në vit. Ata që preken, janë qytetarët, të cilët, nëse nuk e paguajnë faturën e energjisë, shkojnë edhe për ndjekje penale, ndërsa institucionet shtetërore abuzojnë me fondet dhe me energjinë elektrike”, – thotë më tej Duleviç.
Ujësjellësit, debitorët më të mëdhenj
Ndërmarrjet e Ujësjellës-Kanalizimeve janë zyrtarisht “borxhlinjtë” kryesorë të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë. Raportimet e fundit të kompanisë së shpërndarjes së energjisë, të siguruara nga INA MEDIA, tregojnë se detyrimet e shoqërive arrijnë në 24.47 miliardë lekë, nga të cilat gjysmat janë kamatëvonesa.
Ujësjellësi i Durrësit, ai i Vlorës, i Patosit, i Fierit dhe i Kavajës mbajnë 60% të shumës totale. Në kushtet kur detyrimet e këtyre ndërmarrjeve ndaj OSHEE-së vetëm rriteshin, qeveria ndërmori një tjetër plan masash për t’i dhënë fund këtij fenomeni. Në dhjetor 2020, u miratua një urdhër i përbashkët mes Ministrisë së Financave dhe asaj të Energjisë, që synonte reduktimin e detyrimeve të prapambetura në sektorin e energjisë.
Rreth dy vite pas këtij plani, stoku i detyrimeve, jo vetëm që nuk është ulur, por është rritur ndjeshëm dhe ujësjellësit janë rasti tipik i dështimit të tij. Qeveria kishte parashikuar ta ulte borxhin e tyre ndaj OSHEE-së në 15 miliardë lekë, ndërkohë që këto detyrime sot janë 24.47 miliardë lekë.
“Një pjesë e këtyre shoqërive janë të lidhura në tension të mesëm ose në 35 kW, që janë në tregun e lirë dhe ka një ndryshim të çmimit të energjisë; është më i lartë se në vitin 2021. Kjo e bën pak më të vështirë pjesën e likuidimit”, – pohon për INA MEDIA-n drejtori i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, Klevis Jahaj.
Por, detyrimet e ujësjellësve nuk kanë nisur në vitin 2021. Akumulimi i detyrimeve të prapambetura ka vazhduar trendin rritës nga viti në vit, kryesisht për shkak të performancës së ulët të shumicës së shoqërive, ndaj përballë planeve që dështonin, në maj të këtij viti qeveria nisi të ashtuquajturin proces të reformimit dhe të riorganizimit të sektorit.
Kreu i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve thekson se ata kanë hartuar një plan risku, me anë të së cilit synojnë që shoqëritë e reja të mund të mbulojnë një pjesë të kostove administrative, që kanë problematike shoqëritë ekzistuese të ujësjellësve.
“Parashikojmë që deri në fund të vitit të kemi një skedulim të detyrimeve të vjetra dhe pagesën e plotë të faturave që do të dalin për këto shoqëri. Ne e kemi nisur këtë proces, duke u bazuar në rritjen e performancës së ujësjellësit dhe vetë sektorit. Jemi të bindur që do ta skedulojmë edhe debinë e vjetër, por edhe të mos krijojnë të re, pra, duke paguar faturat”, – pohon më tej kreu i AKUM, Jahaj.
Ujësjellësi i Durrësit e pranon ortekun e madh të borxheve, por ia atribuon atë kostos së lartë që ka pompimi i ujit të pijshëm dhe ujërave të ndotura përgjatë 24 orëve. Ujësjellësi sqaron se ka nisur prej disa vitesh që të likuidojë një pjesë të faturave, por të ardhurat e krijuara nuk lënë shumë mundësi për shlyerjen e të gjithë borxhit. Megjithatë, shpresojnë që me reformën e re, ku kjo shoqëri ka kaluar në 51% në pronësi të Ministrisë së Infrastrukturës, të kenë lehtësira në pagesat e energjisë elektrike.
“Nevojitet që ujësjellësit të faturohen me çmim më të përballueshëm nga ana e shoqërisë, duke qenë se uji është jetik. Nga ana tjetër, shoqëria e ka të pamundur që t`i dyfishojë tarifat për abonentët, për të mbuluar kostot”, – sqaron administratori i UKD, Kasem Bejko. Pavarësisht kësaj situate të zymtë, Bejko është optimist, për shkak se së shpejti pritet të nisë zbatimin marrëveshja me qeverinë franceze prej 61 milionë eurosh, që do t`i reduktojë humbjet në rrjet.
As bashkitë nuk i paguajnë dritat
Shumica e bashkive të vendit tonë rezulton të jetë me borxhe, madje disa prej tyre janë në rrezik falimentimi. Një pjesë të madhe të borxheve e zënë faturat e papaguara të energjisë elektrike.
Të dhënat e siguruara nga INA MEDIA tregojnë se deri në muajin qershor detyrimet e pashlyera të 61 bashkive ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike kanë arritur në 4.6 miliardë lekë, nga të cilat 2 miliardë janë kamatëvonesa.
Referuar shifrave, Kavaja, Tirana, Durrësi dhe Dibra janë katër bashkitë me borxhin më të lartë ndaj OSHEE-së. Ndërkohë, Bashkia e Hasit dhe Bashkia e Dimalit zënë peshën më të vogël në borxhin total. Por, ajo që bie në sy është se këto dy njësi të pushtetit vendor kanë filluar të mos i shlyejnë faturat e energjisë dy vitet e fundit.
Kryetari i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, Agron Haxhimali, liston disa arsye për borxhet e krijuara nga vendorët. Në krye të listës, sipas tij, është mungesa e disiplinës financiare nga ana e pushtetit qendror, që ka lejuar akumulimin e një borxhi kaq të madh.
“Mbi të gjitha është mungesë thelbësore e disiplinës financiare nga ana e bashkisë, institucioneve të ndërmjetme monitoruese, që varen nga qeveria, si për shembull Thesari dhe degët e tij në rrethe, që kanë lejuar të bëhen shpenzime pa pasur burimin monetar të sigurt dhe në bankë. Po ashtu, edhe mungesë disipline nga ministria përgjegjëse dhe qeveria qendrore”, – thotë Haxhimali.
Mes arsyeve, që sipas tij kanë çuar në këtë bilanc negativ, është edhe gjithë formula e financimeve ndaj bashkive, që i ka bërë këto të fundit të jenë financiarisht jo të qëndrueshme, për shkak të qeverisjes së dobët, kapacitetit të dobët institucional, menaxhimit të dobët financiar, korrupsionit dhe paqëndrueshmërisë politike. Megjithatë, sipas tij, edhe vetë bashkitë kanë preferuar të bëjnë sikur nuk e njohin këtë detyrim.
“Kam bindjen se kjo situatë kryesisht ka ardhur më së shumti nga interesi i ulët i vendorëve për ta paguar energjinë, që e kanë parë si mall shteti dhe ujë deti”, – thekson Haxhimali.
Zgjidhja, sipas tij, është blerja e këtij borxhi nga qeveria, çka do t’i bënte njësitë vendore më të shëndetshme financiarisht.
“8 vite pas reformës territoriale, jemi përballë faktit që reforma nuk i konsolidoi bashkitë si institucione financiarisht të qëndrueshme, ndaj zgjidhja ideale do të ishte blerja e borxhit nga qeveria dhe njësitë e pushtetit vendor ta fillonin aktivitetin e tyre pa këtë barrë”, – thekson Haxhimali për INA MEDIA-n propozimin që kanë bërë që në vitin 2015.
Spiralja e borxheve të ndërsjella
Kompanitë publike të sektorit të energjisë kanë një mal me borxhe ndërmjet tyre dhe palëve të treta. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se në fund të qershorit ky stok arriti në rekordin historik prej 156 miliardë lekësh.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë i detyrohet Korporatës Elektro-energjetike Shqiptare 59 miliardë lekë, së cilës i ka borxh 7.5 miliardë lekë të tjera Operatori i Sistemit të Transmetimit.
Nga ana tjetër, KESH, OSHEE dhe OST kanë 40 miliardë lekë të tjera borxhe ndaj Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për shkak të mos-pagesave për borxhet dhe garancitë që buxheti i shtetit ka lëshuar ndër vite, ndërkohë që KESH, OSHEE dhe Shoqëritë e Ujësjellësve kanë 7.4 miliardë lekë borxh në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Por, shifrat zyrtare të financave duket se nuk janë të njëjta me ato të energjisë. Në një reagim për INA MEDIA-n zëvendësministri i Energjisë, Ilir Bejtja, tha se borxhi i ndërsjellë i kompanive të sektorit ndaj njëra-tjetrës dhe të tretëve nuk është aq.
“Borxhi i OSHEE-së ndaj KESH-it nuk është më shumë se 50 miliardë lekë dhe është i skeduluar në formën e një kredie, e cila paguhet me këste vjetore nga 2.4 miliardë lekë në vit. Borxhi i OSHEE-së ndaj OST-së është rreth 8 miliardë lekë dhe paguhet me këste nga 0.5 miliardë lekë në vit, në formën e një kredie edhe ky. Borxhet e ndërsjella korente midis të tria ndërmarrjeve publike janë jo më shumë se 6 miliardë lekë dhe duhet të likuidohen brenda vitit”, – sqaron zëvendësministri Bejtja.
Ndërkaq, në vitin 2015 përballë një situate të ngjashme borxhesh të trashëguara në sektorin e energjisë kryeministri, Edi Rama, citonte Richard Fuller.
“Nuk ka krizë energjetike, ka vetëm krizë të injorancës. Injorancë politike, injorancë qeverisëse, injorancë administrative, injorancë burimesh njerëzore dhe injorancë shoqërore në fund si rezultat i të gjendurit në një mjedis pa rregulla, pa qeverisje dhe pa përgjegjësi e përgjegjshmëri politike”.
Tetë vite pas reformës së energjisë disiplina është vendosur vetëm te filli më i dobët i sistemit, konsumatori familjar, që pritet ta paguajë edhe më shtrenjtë energjinë elektrike. Prej shtatorit sërish “kërcënohet” me Task Forcën e radhës kundër paligjshmërisë në energji.