Në një kohë që shqiptarëve u kërkohet që të mbledhin rripin, fikin dritat, kursejnë energjinë, bizneset vendosen nën trysninë e gjobave dhe profesionistët e lirë kërcënohen me taksa të larta, AlbControl zhvillon trajnime me vlerë 800 milionë lek të vjetra për pesë ditë, ose 160 milionë lek të vjetra në ditë.
Kaq është shuma e tenderit të hapur më 10 tetor nga ana e shoqërisë së kontrollit të trafikut ajror, drejtuar nga Laureta Omeri.
Tenderi, që mbyllet më 11 nëntor përcakton fondin limit prej 66,666,000 lek pa tvsh. Duke shtuar edhe TVSh-në prej 20 për qind, shuma shkon në gati 80 milionë lek.
Objekti i tenderit është trajnimi i kontrollorëve dhe mes kritereve të vendosura është edhe ai që “Operatori ekonomik ofertues duhet të paraqesë CV- të e të gjithë Instruktoreve të cilët do të perfshihen në trajnimin e kontrolloreve të trafikut, të cilët duhet të kenë të vlefshme licensën e tyre miratimet nga Autoritetet e Aviacionit Civil të Shtetit perkates, ku numri minimal i instruktoreve të kërkuar është 4 si dhe kontratat e punës që ka me instruktorët”.
Kompania që do të shpallet fituese duhet që brenda gjashtë muajve nga ky moment të realizojë objektivin e kontratës, pra trajnimin pesëditore të kontrollorëve të AlbControl.