20.5 C
Tirana
E enjte, 31 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Biznesi i kurseve të gjuhëve të huaja, të gjithë drejt gjermanishtes (për t’u larguar nga Shqipëria)

    Vetëm në kryeqytet numërohen më shumë se 150 qendra kursesh të gjuhëve të huaja. Përhapja e bizneseve të përçimit të dijes tregon për kërkesat në rritje të mësimit të veçuar nga institucionet arsimore. Vendin e parë në hierarki e mban mësimi i gjuhës gjermane, trendi i së cilës mbështetet nga kërkesat për shkollim apo punësim në Gjermani…

    Nga Deada Hyka

    Sara, 37 vjeçe, punon ekonomiste në një kompani në Tiranë, por kjo nuk e pengon atë të synojë Gjermaninë si treg pune dhe për ketë, fillimisht regjistrohet në një kurs gjuhe.

    Ndërsa Jurgeni është një 21-vjeçar, i cili pasi mbaroi studimet bachelor për Teknologji Informacioni në Tiranë, dëshiron të studiojë në Gjermani në një program studimi të nivelit të dytë. Për këtë qëllim, ndjek prej një viti një kurs të gjuhës gjermane.

    Të gjithë ne kemi dëgjuar se njohja e shumë gjuhëve të huaja është një element i shkëlqyeshëm i CV-ve dhe një aset i vlefshëm për të promovuar rritjen e karrierës. Të jesh në gjendje të flasësh një gjuhë që është e kërkuar, mund të rezultojë në një promovim ose një pagë më të lartë, veçanërisht në një industri konkurruese si sektori i teknologjisë.

    Për të qenë të qartë, këto përfitime përkthehen në avantazhe për të gjithë nxënësit e gjuhës, pavarësisht platformës që përdorin për të mësuar gjuhën e tyre të zgjedhur.

    Dhe duhet thënë, edhe në Shqipëri, platformat janë shtuar. Nisin nga qendrat tradicionale të gjuhëve të huaja, faqe në rrjete sociale të dedikuara për këtë, si dhe aplikacione në telefon për ata që duan metoda autodidakte.

    Gjuha për të zgjeruar mundësitë e punës

    Sipas disa qendrave të gjuhëve të huaja në kryeqytet, shumica e pjesëmarrësve janë të rinj, veçanërisht për gjuhën gjermane. Ndërsa gjuha angleze është më e kërkuar nga fëmijët e moshës 4-10 vjeç.

    Sa u përket të rinjve, si rregull i përgjithshëm, ata kanë kualifikime të përfundimit të shkollës, shpesh diplomë universitare dhe duan të mësojnë gjermanisht në përgatitje për një punë, një praktikë ose studime.

    Zakonisht studimi është një diplomë e dytë ose studim pasuniversitar. Disa duan të marrin doktoraturën në Gjermani, ose në një vend gjermanishtfolës, thonë përfaqësues të qendrave.

    Çmimi për një orë mësimore ka arritur 3000 lekë për kurse individuale, një nivel i plotë bashkë me librat arrin 30.890 lekë për kurse individuale dhe 14.800 lekë në grup, sipas vëzhgimeve në treg që kreu “Monitor”.

    Dritan Mezini, drejtues i platformës Duapunë, pohon për “Monitor” se kërkesat për studim apo punë jashtë kanë qenë shumë të preferuara vitet e fundit. Sipas tij, pavarësisht problematikave që lidhen me emigracionin, të rinjtë duhet të kenë mundësi që të dalin e të provojnë njohuritë edhe në mjedise jashtë vendit.

    Ai përmend si një trend në rritje ofrimin e punëve në distancë, që mund të aplikohen lehtësisht tashmë në realitetin post-pandemik.

    Përfaqësues të Ebla Education Center thonë se kërkesat për studim dhe punë në Gjermani janë dyfishuar në 5 vitet e fundit. Pavarësisht alternativave si Kanadaja apo edhe vende të tjera, interesi ka qenë më i lartë për shtetin gjerman. Programet më të kërkuara të studimit kanë qenë në fushën e mjekësisë dhe teknologjike.

    Mësimi i gjermanishtes për edukim

    Sipas të dhënave të ofruara nga Departamenti i Gjuhës Gjermane, pranë Universitetit të Tiranës, në ciklin e parë të studimeve bachelor, kuota përfshin 490 studentë për gjuhën gjermane, ndërsa në ciklin e dytë të studimeve master, rreth 150 të tillë.

    Sipas Prof. Mihallaq Zileshiu, profesor i gjuhës gjermane prej më shumë se dy dekadash në Departamentin e Gjermanishtes në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, numri i studentëve që zgjedhin këtë degë studimi është në rritje.

    Tendenca ndër vite, sipas profesorëve në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ka qenë drejt anglishtes dhe italishtes. “Kuotat u shtuan para pesë viteve, duke marrë në konsideratë kërkesat në rritje të aplikimeve për gjuhë gjermane.

    Është e thjeshtë, gjuha gjermane bëhet më shumë në shkolla të mesme, qoftë publike apo private; qendrat e gjuhës janë përhapur me shpejtësi, apo të rinjtë synojnë të punojnë edhe në Gjermani. Të gjitha këto arsye e kanë shndërruar gjuhën gjermane në zgjedhje të mirë si profesion”, – thotë prof.. Zileshiu.

    Tregu tërheqës gjerman

    Duket sikur tregu gjerman i punës praktikisht i ka hapur dyert gjerësisht dhe çdo qytetar i interesuar do të mund të gjejë një punë sipas dëshirës së tij. Në datën 1 janar 2021 në Gjermani hynë në fuqi rregulla të reja në lidhje me punësimin.

    Me anë të këtij ligji, Qeveria e Republikës Federale Gjermane ka bërë të mundur, edhe përtej vitit 2020, qasjen e privilegjuar në tregun gjerman të punës për shtetas nga Shqipëria (si dhe nga Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia). Zhvillimi i shpejtë i ekonomisë gjermane ishte një nga arsyet e miratimit të ligjit nga Bundestagu, i cili lehtëson shumë procesin e imigrimit në Gjermani të punëtorëve të kualifikuar nga vende që nuk janë anëtare të Bashkimit Europian.

    Sipas informacioneve të marra, për një sërë pozicionesh, mund të jepet një leje për të punësuar të huaj që nuk flasin gjermanisht, sipas gjykimit të punëdhënësit. Por, së pari, është një listë mjaft e ngushtë e profesioneve më të nevojshme. Dhe, së dyti, nuk po flasim për asnjë gjuhë botërore. Si shembull, ekspertët gjermanë citojnë kryesisht industrinë e IT. Është shumë e mundur të bëhet në anglisht.

    Por, ky përjashtim në kërkesat e domosdoshme për gjuhën gjermane nuk do të zbatohet për profesionet që kërkojnë komunikim të drejtpërdrejtë me publikun. As elektricisti, as hidrauliku nuk do të jenë në gjendje të kuptojnë kërkesat e klientit pa njohuri të gjuhës, ashtu sikurse profesione në shërbim si infermieri.

    Mësimi i gjuhës për punësim

    Gjermania është një vend i preferuar për studentët nga Shqipëria e Kosova, sipas të dhënave të DAAD (German Academic Exchange Service). Në vitin 2019, rezulton se Gjermania ka qenë vendi i parë i dëshiruar nga studentët shqiptarë, kryesisht për programe studimi të nivelit të dytë, ndërsa për Kosovën, më së shumti për programe studimi të nivelit të parë.

    Gjithashtu për grupe të ndryshme profesionesh si p.sh. mjekë, infermierë, inxhinierë, informaticienë etj., Gjermania ofron mundësi joshëse punësimi. Në këtë drejtim kërkohet si kusht njohuria e gjuhës gjermane.

    Alisa D. Është mësuese e gjuhës gjermane prej 10 vitesh në Tiranë, në një qendër private kursesh. Sipas saj, në dekadën e fundit shihet rritje e ndjeshme e interesit për gjuhën gjermane dhe për të gjitha shtetet gjermanisht folëse.

    “Para shumë vitesh, tendenca më e dukshme ka qenë ajo e njerëzve që për bashkime familjar kërkonin të mësonin gjuhën gjermane fillimisht në Shqipëri. Ose edhe e të rinjve për studime në këto shtete. Ndërsa në 4 vitet e fundit, vihet re se kërkesat për të marrë mësime gjuhe është rritur shumë, gjë që përkon me thirrjen publike të shtetit gjerman për nevojën shtetërore për inxhinierë, mjekë, infermierë etj.”,- thotë Alisa.

    Sipas saj, edhe çmimet kanë shënuar rritje të ndjeshme vitet e fundit. “Grupmosha që kryeson për ndjekjen e kurseve është 25-40 vjeç, pra të rinjtë për studime, ose familjarët për bashkime familjare.

    Por nuk përjashtohen edhe mosha më të vogla”, – pohon Alisa. Sa u përket niveleve të gjuhës që ndjekin shqiptarët, ajo thotë se kryesisht ata që duan të vijojnë studime pasuniversitare në një shtet gjermanishtfolës ndjekin të gjitha nivelet, pjesa tjetër kryejnë vetëm një nivel që është i mjaftueshëm për dokumentacionet e nevojshme.

    Sipas agjencive të punësimit në Tiranë, vetë Gjermania ka ofruar vitet e fundit vende pune të shumta, sidomos në fushën e mjekësisë, infermierisë dhe të shumtë kanë qenë të rinjtë që janë joshur të largohen: pagesa më të mira, akomodim falas dhe të tjera përfitime. Fushat që kërkohen më tepër nga të rinjtë janë në mjekësi, inxhinieri dhe shkenca kompjuterike.

    Sa kushton të studiosh a banosh në Gjermani

    Gjermania është në pesë shtetet e para të preferuara për të studiuar në të gjithë botën. Informacione nga Ambasada Gjermane të orientojnë për koston e studimeve dhe jetesës atje. Sipas tyre, pagesa e një programi studimi, varet nga vendi dhe universiteti. Në shumicën e universiteteve dhe shkollave të larta profesionale në Gjermani financohen nga vetë shteti dhe në një numër më të vogël, një pjesë edhe nga taksat e shërbimeve për student.

    Secili land mund të vendosë vetë për këtë. Në vendet si Mynih, Hamburg, Niedersachsen dhe Nordrhein-Westfalen, ende aplikohen taksat për student. Kjo vlen për shumicën e studentëve dhe është rreth 500 euro për semestër. Të gjitha landet e tjera nuk parashohin taksa për student apo në ndonjë rast vetëm pas zgjatjeve të studimeve, apo për studim dytësor. Ata që janë të interesuar për një studim privat në shkolla të larta profesionale, do të duhej të llogarisin taksa shumë më të larta.

    Ky është shkaku që shkollat e larta profesionale financohen vetëm nga taksat e studentëve dhe për këtë, edhe janë më të larta. Krahas taksave për student në Gjermani është edhe pagesa për semestër.

    Kjo përcaktohet nga secili student dhe mbulon shpenzimet administrative, si dhe financimi i mensës, ambienteve sportive dhe banimin. Sa i përket jetesës, ekspertët dhe përvoja e atyre që jetojnë atje, kanë treguar se 6,500 euro në vit janë të mjaftueshme për një jetë modeste të një studenti. Pra, nga çdo aplikues për një vizë studimi, Ambasada Gjermane kërkon garancinë që ai ose ajo është në gjendje të mbajë veten, minimumi është 6500 euro, si dhe vlefshmërinë e diplomave.

    Pse gjuhët janë kaq jetike për ekonominë?

    Vendet që janë poliglotë priren të jenë më të përqendruara tek eksportet dhe kanë perspektiva më të mira ekonomike. Nuk është thjesht rasti që aftësitë gjuhësore mundësojnë tregtinë.

    Vendet ku fliten më shumë gjuhë duket se kanë një tendencë për të qenë më të orientuar nga jashtë dhe më të prirë për të menduar për tregjet e tjera dhe për mundësitë që ato kanë për të ofruar. Vendet që nuk kanë aftësi gjuhësore mund të mos jenë të hapura ndaj mundësive në të njëjtën mënyrë. Mendohet se ndarja e një gjuhe të përbashkët mund të rrisë tregtinë dypalëshe nga 75% në 170%. Aftësia për të komunikuar duket se rrit mundësitë.

    Barrierat gjuhësore janë krahasuar me një tarifë për tregtinë – diçka që rrit vështirësinë dhe kostot e të bërit biznes midis vendeve. Një raport nga Universiteti i Uellsit zbuloi se rreth 25% e kompanive të eksportit në Angli dhe Uells kishin humbur biznesin për shkak të mangësive gjuhësore ose kulturore.

    Kjo ishte për shkak të arsyeve si mungesa e besimit ose afërsia kulturore dhe do të thoshte se hetimet nuk po ndiqeshin dhe mundësitë nuk po shfrytëzoheshin.

    Më shumë se një në dhjetë NVM thanë se kishin humbur një kontratë për shkak të mungesës së aftësive ose ekspertizës në gjuhë të huaj. Dhe këto janë vetëm mundësitë që po identifikohen me vetëdije.

    Mund të ketë shumë të tjera që po i shpëtojnë vëmendjes. Në një raport drejtuar Komitetit të Përzgjedhur të Dhomës së Lordëve për NVM-të, Komiteti i Biznesit, Inovacionit dhe Aftësive (BIS) identifikoi se mungesa e aftësisë gjuhësore mund të jetë një pengesë për zhvillimin e tregjeve të huaja. Kompanitë në Mbretërinë e Bashkuar po dështojnë të eksplorojnë mundësi fitimprurëse sepse u mungojnë aftësitë gjuhësore për të hyrë në tregtinë e jashtme.

    Mirë për ekonominë

    Shkollat ​​e gjuhës janë shumë të mira për ekonominë. Nuk ka të bëjë vetëm me tregtinë e thjeshtë midis një shitësi (qendër gjuhe e huaj) dhe një blerësi (student), por pasojat e asaj që kjo tregti bën për të gjithë ekonominë.

    Një studim BVA i vitit 2019, me porosi nga Campus France për Trajnimin e Gjuhës Frënge në Francë thotë se trajnimi i gjuhës frënge ofron 1.7 miliardë euro (2.1 miliardë dollarë) në përfitim të drejtpërdrejtë ekonomik neto për Francën. Megjithatë, BVA tregon për një sërë ndikimesh shtesë përtej hyrjeve dhe daljeve direkte të fondeve, të tilla si:

    41% e studentëve ndërkombëtarë punojnë gjatë qëndrimit të tyre dhe kontribuojnë në fondet e shëndetit publik dhe pensioneve si rezultat (ndërsa rrallë përfitojnë vetë nga ato programe);

    85% e të anketuarve në anketë treguan synimin e tyre për t’u kthyer në Francë për turizëm në të ardhmen;

    70% treguan se përvoja e tyre e studimit do të kishte një ndikim pozitiv në dëshirën e tyre për të blerë produkte franceze në të ardhmen, dhe gati 80% thanë se kjo do të rriste interesin e tyre për të punuar me kompanitë franceze.

    Studimi zbuloi gjithashtu se përvoja e studimit në Francë përmirësoi shumë perceptimin e studentëve të huaj për vendin. Në përgjithësi, nëntë nga dhjetë të anketuar do të rekomandonin Francën si një vend për të jetuar, për ta vizituar ose për të studiuar.

    Kjo i bën autorët e raportit t’i karakterizojnë studentët ndërkombëtarë si, “ambasadorë të shkëlqyer… të cilët janë të përgatitur të promovojnë Francën në të gjitha fushat”.

    Përtej ndikimit të drejtpërdrejtë ekonomik, shkollat ​​​​gjuhësore janë ambasadorë për tregti të mëtejshme për shkak të përpjekjeve të tyre për ta bërë kursin e studentëve të kënaqshëm.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit