Sociologu Gëzim Tushi ifoli për rastin e të moshuarit që vrau gruan dhe të vëllanë disa ditë më parë.
Duke iu referuar shëndetit mendor te disa të moshuar, Tushi tha se duhet të shtohen institucionet për trajtimin dhe kujdesin e të moshuarve të cilët kanë mbetur vetëm, nuk janë martuar dhe nuk kanë familjeje, apo ata që vuajnë nga shëndeti mendor.
“Të moshuarit normalë, që nuk kanë probleme të shëndetit mendor duhet të trajtohen në familje, pra të kujdesen nga fëmijët. Edhe nëse janë të larguar për punë ata nuk mund t’i braktisin prindërit.
Moshat e vjetra kanë probleme të degradimit të intelektit, probleme që kanë të bëjnë me devijanca mentale. Është e natyrshme që të kemi Alzheimer, apo sëmundje të tjera degjenerative dhe degraduese për moshën, pra me sëmundje të shëndetit mendor. Ne kemi nevojë për një rishikim jo vetëm të politikave të shëndetit mendor, por edhe institucioneve përkatëse.
Kemi nevoje jo vetëm për spitale psikiatrike që është shkalla e fundit e kujdesit, pra ku pacientët trajtohen me mjekime, por kemi nevojë edhe për qendra komunitare. Ka të moshuar që mund të kenë probleme të cilat mund të zgjidhen në këto qendra komunitare për përkujdesje.
Ka qendra komunitare për shëndetin mendor, por janë të kufizuara gjeografikisht dhe nuk janë të mjaftueshme për të siguruar kujdesin për të gjithë të moshuarit që kanë probleme të shëndetit mendor. Duhet të shtohen institucione për kujdesin social të të moshuarve”, tha ai.
Sipas sociologut duhet të parandalohet degradimi i të moshuarve, duke dërguar mjekë, psikologë dhe psikiatër në shtëpitë e tyre për t’u kujdesur për ta.
“Ka disa të moshuar që kanë edhe shtëpitë e tyre. Por edhe ata kanë nevoje për disa shërbime bazike që duhet t’i marrin në rrugë komunitare. Ne kemi nevojë të shtojmë shërbimet mobile, ato të lëvizshme.
Pra psikologë, psikiatër, mjekë të shkojnë të ndihmojnë të moshuarit në shtëpitë e tyre që ata të mos degradojnë. Sepse jodmosdoshmërisht duhet t’i çojmë të gjithë në qendra rezidenciale apo në spitale psikiatrike.
Nëse ne nuk do ta ushtrojmë ketë kujdes parandalues të degradimit të tyre, atëherë do të thotë që ata do të përfundojnë në trajtime të tilla dhe të kryejnë akte kriminale dhe veprime të papërgjegjshme, nganjëherë të justifikueshme nga mosha”, u shpreh sociologu.