Ky artikull, botuar fillimisht në revistën HIGHEnergy të Highsnobiety më 2021, sjell një bisedë me legjendën e modës Giorgio Armani. Me rastin e ndarjes së tij nga jeta më 4 shtator 2025, po e rikthejmë si një reflektim mbi ndikimin titan të Armani-t.
Armani ishte një gjigant i gjallë i modës, i cili nisi karrierën si dekorues vitrinash në La Rinascente, e përfundoi duke ndërtuar një perandori miliarda dollarëshe që përfshiu modën, artin, hotelerinë, sportin dhe teknologjinë.
Ai ishte i pari që guxoi të anulonte një shfaqje të madhe për shkak të COVID-19, që dhuroi miliona për spitale italiane, që ndaloi modelet nën një indeks të caktuar të masës trupore dhe që krijoi estetikën e elegancës së përjetshme e të përmbajtur.
Përtej markës, Armani mbeti gjithmonë i pavarur, duke e drejtuar vetë biznesin e tij dhe duke refuzuar të shesë trashëgiminë e tij. Ai besonte se më pak është më shumë, se inteligjenca është elegante dhe se stili nuk është një ushtrim i veçuar, por pjesë e jetës.
Në këto “26 mësime”, ai flet për ngjyrën blu të errët që e qetëson, për dashurinë ndaj maceve që pasqyrojnë karakterin e tij, për neverinë ndaj atleteve me taka, për suksesin si stimul e jo si qëllim, për ndikimin e modës në ndryshimet klimatike, e deri te blerja e tij e fundit, një libër mbi fjalë italiane të harruara.
Në fund, si markë, Giorgio Armani përfaqëson idenë se eleganca e përjetshme është një formë radikalizmi i butë. Si njeri, ai mbetet një figurë që gjithmonë bëri gjërat në mënyrën e vet.
1. Bluja e errët
“Bluja e errët është një ngjyrë serioze, por e butë. Nuk është aq e mbyllur sa e zeza, por është po aq e menduar, me një ndjesi detare që më pëlqen, pasi adhuroj detin e hapur.
Bluja e errët jep një imazh qetësie, madje më relakson. Uniforma ime e gjitha blu është mënyra për të thënë: ‘Unë krijoj rroba dhe një milion gjëra të tjera, ndaj nuk kam kohë të mendoj shumë për pamjen time.
Por sërish i kushtoj vëmendje, sepse jam një stilist dhe një burrë me estetikë të saktë.’”
2. Eleganca
“Inteligjenca është elegante. Marrëzia nuk është.”
3. Këpucët më të mira
“Atletet e bardha të pastra, si ato që kam veshur gjithmonë.”
4. Fitnesi
“Gjithçka kthehet te një moto e lashtë: mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë. Mjaftojnë 30 minuta ushtrime në ditë dhe një dietë e balancuar. Ka një ndikim të madh në mënyrën si mendoj dhe punoj, prandaj e bëj me patjetër.”
5. Pjesa më e mirë e garderobës
“Xhaketa. Është e gjithanshme dhe e dobishme. Një fushë loje e mrekullueshme për shpikje pragmatike.”
6. Pjesa më e keqe e garderobës
“Atletet me takë. Ide shumë e keqe.”
7. Etika e punës
“Shumë e thjeshtë: përkushtim total, kokëfortësi absolute dhe të qenit kontrollues ekstrem. Unë vë vulën time mbi gjithçka që bëj, kështu që nuk mund të fajësoj askënd nëse gjërat shkojnë keq. Çdo gjë është vendimi im, dhe kjo, besoj, shihet.”
8. Demokratizimi i ndikimit
“Siç e imagjinoni, mënyra se si rrjetet sociale kanë formësuar konceptin e ndikimit është krejt ndryshe nga ideja ime. Është aq tregtare dhe e paprekshme, sa herë-herë më trondit. Por jam kureshtar ndaj fenomenit. Është sikur jeta reale sot të jetë bërë plotësisht digjitale.”
9. Streetwear (stili urban)
“Rritja e streetwear-it ka qenë një nga fenomenet më interesante të viteve të fundit. Jam shumë i interesuar për gjithçka që prek jetën reale.
Streetwear është i vërtetë, ndoshta pak teatral dhe me shumë logo ndonjëherë, por sërish i vërtetë.
Është gjithashtu i lidhur me ngritjen e një brezi të ri të rinjsh që shpenzojnë shumë.
Sigurisht, ideja e streetwear-it me çmime luksoze është pak kundër-intuitive, por kjo është shenjë e kohëve.”
10. Macet
“I dua macet sepse janë pasqyrë e personalitetit tim. Duhet të fitosh besimin e tyre. Nuk vijnë tek ti menjëherë. Janë të afta për dashuri e përkujdesje të madhe, por kërkon kohë. Jam ashtu edhe unë. Për më tepër, macet janë krijesa shumë elegante, diskrete.
Janë edhe shumë dembele, gjë që unë nuk jam, dhe kjo e shton magjepsjen time ndaj tyre.”
11. Të qenit i pavarur
“Nuk ka mënyrë tjetër për ta bërë këtë që bëj, veçse duke qenë krejtësisht në kontroll të vendimeve. Pavarësia është një barrë, por do të thotë edhe liri totale. Nuk mund të heq dorë prej saj.”
12. Moda dhe ndryshimet klimatike
“Moda, me prodhimin intensiv të gjërave, ka një rol të madh në ndryshimin klimatik dhe ne duhet të veprojmë sa më shpejt. Ajo që ndodhi këtë vit më bëri edhe më të vetëdijshëm për rëndësinë e natyrës. Kemi vetëm një planet, duhet ta ruajmë.”
13. Televizioni
“Shikoj TV sa më pak që mundem, por gjëja e fundit që më pëlqeu shumë, për saktësinë historike dhe kostumet e shkëlqyera, ishte “The Crown”. Jam fans i gjërave që më çojnë diku tjetër.”
14. Kalendari i modës
“Besoj se është një nga gjërat që po e vret industrinë e modës. Po e vret edhe planetin, me prodhimin pa kuptim të kaq shumë gjërave të panevojshme.
Ideja ime është e thjeshtë: më pak është më mirë. Për krijuesit, që të përqendrohen në cilësinë e asaj që bëjnë. Për konsumatorët, që të mësojnë të blejnë gjëra me vlerë.”
15. Si ka ndryshuar moda
“E nisa në një kohë kur moda ishte një forcë kryesore e modernitetit. Sot ajo stafetë është kaluar te rrjetet sociale dhe teknologjia, ndoshta, ndërsa moda është kthyer në një formë argëtimi. Ky është ndryshimi më i madh që kam parë.
Për mua, moda mbetet diçka me ndikim të thellë në jetën e përditshme të njerëzve, duke ndryshuar perceptime e qëndrime, madje duke nxitur përparimin. Nuk besoj te stili si ushtrim më vete. Stili është pjesë e jetës.”
16. Personi më chic i të gjitha kohërave
“Nuk jam fans i këtyre listave. I urrej hierarkitë ‘më të mirët’. Është klishe. Idetë tona për elegancën ndryshojnë bashkë me ne. Por Lee Radziwill me Armani ishte jashtëzakonisht chic, duhet ta them.”
17. Suksesi
“Suksesi për mua nuk është një qëllim, por një shtysë për të bërë më mirë. Gjithmonë mund të çosh limitet edhe më tej, dhe këtë bëj.
Gjithashtu, suksesi të bën të dukshëm, një model për publikun, çka të lejon të punosh për kauza të mira dhe të marrësh rezultate. Në këtë fushë, preferoj të bëj gjëra sesa të flas shumë për to.”
18. Vepra e përkryer e artit
“Të zgjedhësh një do ishte e padrejtë, me gjithë artin e bukur që është shpërndarë nëpër botë. Një tempull grek, një statujë e madhe e Budës, Davidi i Mikelanxhelos, Guernica e Pikasos më vijnë menjëherë në mend. Rrënojat romake në qytetin Palmyra gjithashtu kanë një vend të çmuar në zemrën time.”
19. Kënga më e mirë e shkruar ndonjëherë
“Kjo është e vështirë. E dua ‘Tears in Heaven’ nga miku im Eric Clapton. Rrallëherë një këngë për zinë ka qenë kaq e ëmbël dhe e butë, melankolike, por jo e trishtë.”
20. Tipari më i mirë i modës
“Ndryshimi i vazhdueshëm. Nëse përballesh me inteligjencë dhe ndjeshmëri, është një shtysë për të mos qëndruar kurrë në vend. Një mësim i madh.”
21. Tipari më i keq i modës
“Ndryshimi i vazhdueshëm mund të jetë edhe kurth, sepse të çon drejt tekave qesharake.”
22. Këshillë karriere për të rinjtë
“Puno fort dhe ndoshta më fort, beso te idetë e tua, [më pas] puno pak më shumë dhe do të arrish majat. Edhe nëse nuk arrin, nuk ka problem. Të jesh besnik ndaj vetvetes është shpërblimi më i madh.”
23. Vendi më i bukur në botë
“Të jem në Antigua, Pantelleria, ose edhe në kopshtin e Forte dei Marmi, duke parë detin e hapur. Nuk ka gjë më të bukur.”
24. Blerja e tij e fundit
“Një libër i bukur mbi fjalët italiane të harruara. Më bëri të mendoj shumë për kohën.”
25. Mesazhi kryesor i Giorgio Armani-t, si markë
“Ideja se më pak është më mirë dhe se eleganca e përjetshme është një formë e radikalizmit të butë.”
26. Mesazhi kryesor i Giorgio Armani-t, si njeri
“Giorgio Armani i bën gjërat në mënyrën e tij.”