13.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    200 milionë shpërblimi që i takon kampiones së madhe, ‘të një realiteti të vogël’

    Nga Aranit Muraçi

    Në garën e atletikës së Europianit për femra, në 3.000 metra me pengesa, në një sport ndoshta të  vogël (jo aq popullor sa futbolli, basketbolli, volejbolli, tenisi) ndodhi një ngjarje e madhe historike, nga një sportiste pak e madhe që i përket një realiteti sportiv të vogël, jashtë radarit të atletikës botërore: Shqipërisë.

    Ajo është Luiza Gega, 33 vjeçe (34 mbush në nëntor), e cila shkroi një faqe të madhe në historinë e sportit të atletikës dhe sportit shqiptar. Është në fakt medalja e parë e artë në historinë e atletikës së femrave shqiptare, dhe e dyta pas asaj të Izmir Smajlaj, i cili fitoi medalje të artë në kërcim së gjati, në Europianin e ambienteve të mbyllura në Beograd, në 2017. Në peshëngritje kishte arritur pak kohë më parë edhe Briken Calja të shpallej kampion Europe. Janë emra të tjera, shembuj të pastër pune, talenti, sakrifice dhe krenarie kombëtare.

    Luiza Gega, natyrisht, nuk mund të quhet surprizë për suksesin e fundit, sepse doli këtë vit e pesta në Botëror, fitoi dy medalje ari në Lojërat Mesdhetare dhe u shpall kampione e Ballkanit, por nga mënyra se si u zhvillua gara e Mynihut, fitoi sërish ajo, forca, talenti, puna, motivi dhe pasioni për të bërë realitet ëndrrën, pavarësisht vështirësive dhe faktit që ishte e pabarabartë dhe e pafavorizuara mes të gjithë të tjerëve. Fundi një gare si ai i Europianit dhe emocioni që dhuroi ishin shpërblimi i merituar i një dekade plot sakrifica.

    Luiza Gega u zhgënjye shumë kur i mohuan të drejtën e pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike Londër 2012, vit kur ajo sapo kishte arritur rezultatet e para premtuese, megjithatë mbajti flamurin e ekipit tonë olimpik në Lojërat e Rios dhe mban rekord kombëtar në të gjitha distancat nga 800 metra deri në garat e maratonave. Ajo në një dekadë hasi një mijë vështirësi për të gjetur një pistë, për t’u stërvitur. Nuk kishte asnjë pistë atletike të denjë për këtë emër të madh në Tiranë. Që nga viti 2016, Luiza Gega dhe trajneri i saj Taulant Stërmasi janë detyruar të stërviten në parkun e liqenit të Tiranës, në mes të vrapuesve të zakonshëm të fundjavave, apo në Elbasan Arena, e cila ka një pistë atletike, por jo të gjithë infrastrukturën e nevojshme. As kjo nuk e demoralizoi. Ishte nga të paktat sportiste, që nuk kërcënoi me largim nga vendi.

    Dhimbja dhe zhgënjimi që ajo përjetoi para Lojërave Olimpike “Londër 2012” iu kthye një dekadë më vonë në forcë. Falë kësaj force, Shqipëria shkroi emrin e saj me germa të arta në zemër të Europës, duke u ngjitur bashkë me atleten Luza Gegën në majë kontinentit dhe duke lënë pas saj vende jo pak të vogla dhe aspak të barabarta si Gjermania, Anglia, Polonia dhe Turqia.

    Luiza Gega është rikthyer sot në Shqipëri nga Mynihu si kampione e Europës, dhe tha. “Mezi pres të takoj familjen time, nuk kisha mundësi të takoja as mamanë time. Nuk mundesha dot të lija stërvitjen në mal për këtë ëndërr. Nuk do të doja të zgjidhja asgjë tjetër për këtë gjë. Jam shumë e lumtur që sot u shpërblye çdo sakrificë e imja.”

    Sipas legjislacionit në fuqi të sportit, Gega përfiton 40 milion lekë shpërblim si kampione e Europës dhe 60 milion për rekordin evropian, që vendosi në garë.

    Vendi i pestë në Botëror i siguron asaj një shpërblim prej 1 milioin lekësh, ndërsa vendi i katërt (të cilin e pretendon pasi mund të s’kualifikohet një nga fituesit) e ngre shpërblimin në 3 milion lekë. Po këtë vit me dy medalje ari në garat e Mesdheut (3 milion), kampione e Ballkanit (15 milion) dhe 3 herë ka thyer rekord Kombëtar gjatë  këtij viti (nga 2 milion lekë shpërblim), duke përfshirë edhe shpërblimet nga klubi dhe bashkia e Tiranës, Luiza Gegës, sipas ligjit të sportit, i takojnë rreth 200 milion lekë të vjetra shpërblim për sukseset e vitit 2022. Pas pritjes sot në Rinas nga dy ministra, ai i Sportit dhe i Rinisë, Luiza Gega do të pritet nesër nga kryeministri i vendit, ku do t’i komunikohet edhe shpërblimi që ajo meriton.

    Veç famës dhe këtij shpërblimi të merituar që shpresohet të mos i vonohet, Luza Gega, duhet të promovohet nga shteti shqiptar si modeli i duhur që duhet ndjekur nga brezi i ri, bashkë me të tjerë djem e vajza të talentuara e punëtorë si ajo.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit