Kanë kaluar 200 vjet që nga hera e parë kur fjala “hello” u shfaq e shtypur në letër, edhe pse rrënjët e saj gjuhësore shkojnë deri në shekullin XV. Sot, ajo përdoret dhjetëra herë në ditë në telefonata, email-e dhe takime ballë për ballë, pa u menduar fare. Por si ka evoluar gjuha e përshëndetjeve në botë dhe çfarë na tregon ajo për shoqëritë tona?
“Hello” është bërë pjesë e pandashme e kulturës popullore, është kënduar nga Adele dhe Lionel Richie, është kthyer në fraza ikonike në filma si Jerry Maguire apo Scarface, dhe është përdorur për të shitur gjithçka, nga telefonat celularë te reklamat e veshjeve intime. Fjala ka hyrë edhe në botën e teknologjisë, programeve kompjuterike dhe revistave për të famshëm.
Megjithatë, historia e saj në formë të shkruar është relativisht e shkurtër. Më 18 janar 1826, “hello” u shfaq për herë të parë në një gazetë të Connecticut-it, The Norwich Courier. Ishte një debutim i thjeshtë, pothuajse i padukshëm, për një fjalë që më pas do të bëhej përshëndetja më e njohur në botën anglishtfolëse.
Deri në vitet 1850, fjala kishte kaluar Atlantikun dhe po përdorej gjithnjë e më shpesh në Britani. Ashtu si përshëndetjet në gjuhë të tjera, edhe “hello” reflekton identitetin e folësve të saj. Variacionet e saj, nga “hi” te “howdy” apo format e zgjatura si “heyyy” mund të tregojnë moshë, origjinë gjeografike, madje edhe gjendje emocionale.
Sipas antropologut gjuhësor Alessandro Duranti nga Universiteti i Kalifornisë në Los Angeles, intonacioni dhe forma e fjalës mund t’i ndryshojnë plotësisht kuptimin. Një “hello” i zgjatur, për shembull, mund të shprehë habi, mosbesim apo ironi. Kjo aftësi për të përcjellë nuanca përmes tonit nuk është e re: që në fillimet e saj, fjala ishte një përzierje ndikimesh nga disa gjuhë dhe kultura.
Origjina e saktë e fjalës mbetet e debatueshme. Një teori e lidh atë me gjermanishten e vjetër “halâ”, një thirrje për të tërhequr vëmendjen e lundërtarëve. Fjalori i Oksfordit përmend gjithashtu “halloo”, një thirrje gjuetie, si dhe forma të hershme si “hullo”, “hillo” apo “holla”, kjo e fundit e lidhur me frëngjishten e shekullit XV.
Sipas profesor Simon Horobin nga Universiteti i Oksfordit, ndryshimet semantike dhe drejtshkrimore lidhen edhe me dialektet dhe shqiptimin rajonal. Për fjalë të përdorura kryesisht në të folur, si “hello”, është veçanërisht e vështirë të përcaktohet një kronologji e saktë historike.
Deri në fund të shekullit XIX, “hello” u vendos si forma standarde, edhe falë Thomas Edison-it, i cili e promovoi si përshëndetjen më të përshtatshme për telefonin. Rivalët e tij propozonin alternativa si “ahoy”, por ishte “hello” ajo që fitoi.
Ndërsa anglishtja u standardizua rreth “hello”, gjuhët e tjera krijuan përshëndetjet e tyre, shpesh me ngarkesë kulturore. Gjuhët gjermanike dhe skandinave përdorin forma më të forta fonetikisht si “hallo” apo “hallå”, ndërsa gjuhët romane preferojnë forma më melodike si “hola” apo “olá”.
Në disa kultura, përshëndetjet lidhen me koncepte më të thella: greqishtja “Γειά σου” shpreh një urim për shëndet, hebraishtja “shalom” nënkupton paqe dhe tërësi, ndërsa “aloha” në Havai shpreh dashuri dhe mirëkuptim. Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë kundër lidhjeve të drejtpërdrejta mes përshëndetjeve dhe “karakterit kombëtar”.
Ajo që është e qartë, thotë Duranti, është se përshëndetjet pasqyrojnë strukturat shoqërore: mënyra se si përshëndesim ndryshon sipas afërsisë, statusit dhe marrëdhënies me tjetrin.
Teknologjia ka ndryshuar ndjeshëm mënyrën se si përshëndesim. Në komunikimin përmes mesazheve dhe rrjeteve sociale, përshëndetja shpesh shkurtohet ose zëvendësohet nga emoji. Sipas studiuesit Christian Ilbury nga Universiteti i Edinburgut, në një botë “gjithmonë online”, ne nuk ndiejmë më nevojën për të thënë “hello” në çdo ndërveprim.
Megjithatë, ashtu si në shekullin XIX, edhe sot përshëndetjet mbeten të paqëndrueshme dhe në ndryshim të vazhdueshëm. “Hello” është zgjatur, shkurtuar, zëvendësuar apo injoruar, por thelbi i saj mbetet i njëjtë: një akt njohjeje, një mënyrë për të shpallur praninë tonë dhe për të kërkuar, qoftë edhe në mënyrë të heshtur, vëmendjen e tjetrit.



