Në Korçë do të nis projekti i gazifikimit të Shqipërisë. Lajmin e bëri të ditur zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cila ka prezantuar projektet e vitit 2023.
Sipas Balluku pas Korçës do të vijoj gazifikimi i Fierit, duke theksuar se këto dy qytete janë të parat për këtë projekt për shkak të afërsisë me sistemin e gazsjellësit TAP.
“Do kemi gazifikimin e Shqipërisë. Kemi hedhur hapa të rëndësishëm. Kemi arritur në një moment ku 2023 do realizohen disa projekte të rëndësishme. Do e nisim me Korçën, Fieri do jetë i dyti. Korça është me temperatura më të ulëta ndaj e nisëm me Korçën. Paguajnë më mirë nga të gjithë faturat. Për t’i dhënë eficencë këtij projekti.
Fieri është i dyti qytet. Do të jetë vit i rëndësishëm. Pavarësia energjitike është shumë e rëndësishme. Shqipëria ka një detyrim ndaj qytetarëve, që të ofrojë mburojë energjitike dhe siguri. Do synojmë të bëhemi lider energjitik i rajonit” tha Balluku.
Balluku u shpreh se për vitin 2023 do të ndërtohet projekti për “By Pass-in” e Elbasanit. Ajo u shpreh se pas projektimit do shihet mundësia për të aplikuar për financim në Bashkimin Europain, si pjesë e Korridorit të 8-të.
“Do kemi një projekt për “By Pass-in” e Elbasanit. Do të aplikojmë në fondet e BE. Është pjesë e Korridorit 8. Pas Fushë Krujës kemi edhe një ngërç në Elbasan. Nuk mundemi të kemi akse kombëtare me hyrje në qytet. Do kemi projektin e plotë për By Passin e Elbasanit për të aplikuar më pas në fondet e BE. Do çelim garën për Milot-Balldre. Një projekt tjetër për Berat-Ballaban” tha Balluku.
Balluku u ndal edhe tek transporti urban, duke theksuar se do të studiohet mundësia për të kthyer në kushte optimale këtë sektor.