Nga Bledi Mane
Ulen atje çdo mëngjes dhe porosisin kafe të hidhur pa sheqer. Nuk flasin, rrinë të heshtur dhe kundrojnë me sy kur vjen makina e zezë që ndalon aty para tyre.
Zbret nga makina roja me kostum të zi dhe pret sa zbret nga pallati Saliu me kostum të zi, e merr makina e zezë dhe ikën. Pastaj shikojnë kur zbret Liria me Argitën me nipër e me mbesa.
Fëmijët sjellin hare, kufomat shohin të heshtura dhe qajnë pa zë për fëmijët e tyre të mbetur jetimë.
Në drekë vjen Shkëlzeni me Arminën me një tjetër makinë të shtrenjtë të zezë, veshur me të zeza të shtrenjta dhe ngjiten lart. Katër kufomat e 21 janarit mbyllin zgavrat e syve brenda kokallës së kafkave e u vjen turp të qajnë për veten e tyre teksa kujtojnë 32 kufomat e tjera që vrau Shkëlzeni në Gërdec.
Acarohen ndaj nuk rrinë më gjatë aty te rrugica e Salës 4 kufomat e 21 janarit dhe nisen drejt zyrave të prokurorisë speciale Spak. Duan të takojnē Altin Dumanin e ta pyesin si shkojnë hetimet 15 vjecare të kësaj masakre.
Ecin pa u ndjerë nëpër Tiranën e zhurmshme, mbërrijnë te oborri i Spakut dhe para u del Klodi Lala me mikrofon në dorë e cila u thotë se sipas burimeve të saj konfidenciale që i di vetëm Blendi Fevziu, ata nuk i ka vrarë Berisha por plumbat rikoshetë, plumba që bëjnë përditë rikoshetë në mendjet tona cinike e djallëzore…
Kufomat ikin, futen në varr përsëri për tu shfaqur mot në janarin tjetër, në janarët e pritjeve të gjata pa fund



