Gazetari Artan Hoxha bën një pyetje retorike për kryeministrin Edi Rama dhe strukturat e Policisë së Shtetit dhe IMT-së në Vlorë, pas shembjes së një pallati 3 katësh në zonën e Radhimës, mëngjesin e kësaj të hëne.
“Fundjavën e mbylli duke i fikur sinjalin televizionit më të madh informativ në vend, ndërsa ishte në transmetim live… Javën po e nis, duke ja ndezur fitilin e tritolit një mavriu në Radhimë…”, shkruan gazetari.
Më tej, Artan Hoxha thotë se vetë kryeministri dhe eskorta e tij kanë kaluar të paktën 12 herë në atë rrugë, buzë objektit pa leje, në tre muajt e fundit.
“Po mirë o pasha, ata satelitët e tu në stratosferë, ata inspektorët e IMT-së së Vlorës, inspektorët e IKMT-së të Tiranës, SPZ-të e policisë, çfarë dreqin po bënin kur mavriu hapi themelet, hodhi betonin dhe ngriti 3 kate në anë të rrugës nacionale, ku vetëm ti dhe eskorta jote e blinduar keni kaluar 12 herë në muajtë e fundit?! Apo nuk e kapte tritoli mirë, po ta bllokonit që në themele?!”, pyet gazetari.
Për shembjen e objektit u përdorën 32 kilogramë lëndë plasëse. Ndërsa IKMT ka bërë më dije se për demolimin u hapën 410 furnela, dhe u shtrinë 1,100 metra linearë fitil detonant. Për arsye sigurie, qarkullimi në këtë aks rrugor është bllokuar përkohësisht dhe energjia elektrike është ndërprerë për rreth 15 minuta.
Ky objekt pak ditë më parë u denoncua nga kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se nuk po ndëshkohen vetëm pronarët e vegjël të subjekteve apo godinave pa leje, por edhe shkelësit e mëdhenj.