10.5 C
Tirana
E martë, 24 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Elisa e Çudirave

    Ja shkrimi im profetik i provuar, dhe patetik plotësisht i merituar, i 15 e kusur viteve më parë për Elisa Spiropalin kur vajta disa herë në Bulqizë sepse po i zinte galeria minatorët si pulat. Ndërkohë që unë veja e vija, Elisa Spiropali gdhihej e ngrysej me problemet e minierës që shembej dhe mbillte vdekje. Kështu ndodhi që çdo herë që vajta, Elisa Spiropalin e papërtuar, dhe jo koleget e saja parazite, në Bulqizë e gjeja në Bulqizë e lija.

    Nga Edison Ypi

    Prej Kaosit lindin yjet. Kjo dihet. Këtë e ka thënë dhe e ka shkruar, vet’ Elisa.
    Po ky i neveritshmi e i gërditshmi kaosi shqiptar, a është edhe ky i tillë, që prej tij të lindin yje?

    Po. Sado e pabesueshme. Fatmirësisht po.

    Bijë e durimit, urtësisë, lirisë, fllad që po fryn, stuhi që po vjen, cunam që po avitet, Elisa Spiropali është një yll i lindur nga ky Kaos.

    Ka studjuar në Amerikë dhe Kanada. Por s’desh të jetonte jashtë Shqipërisë. Çfarë të bënte atje jashtë, atje larg ? Të ndreqte ekonominë dhe politikën e Venezuelës, Kubës, Bolivisë, Etiopisë, Pakistanit ? Bah. Kurrë. Elisa e do pafund Shqipërinë. Elisa me Shqipërinë gdhihet, me Shqipërinë ngryset, me Shqipërinë gëzohet me Shqipërinë dëshpërohet, me Shqipërinë zemërohet me Shqipërinë lumturohet.

    Elisa me Shqipërinë nuk është e lidhur si mishi me thoin, por si mishi me mishin, dhe thoi me thoin.

    Elisa nuk është e interesuar të dijë si dhe pse janë të fortë dhe të mbrojtur një pakicë shqiptarësh. Ajo interesohet të dijë pse janë dobët dhe të pambrojtur shumica e shqiptarëve. Këtë kërkon ajo ta kuptojë. Këtë lodhet Elisa të dijë. Për këtë Elisës i ikin djersët. Për këtë i rrëshqasin lotët.

    Elisa nuk sheh çfarë shkruajnë nëpër gazeta llafazanët, as nuk dëgjon çfarë thonë nëpër televizora VIP-at. Interesimi i Elisës, kurioziteti i Elisës, mikroskopi i Elisës, drejtohet kah hallet e shqiptarëve të harruar dhe katundeve të largëta.

    Elisa nuk mendon se me fukaranë është vështirë të merresh vesh, se shqiptarët janë apatikë, se fukarallëku është maskarallëk, gjëra që të pengojnë ti ndihmosh. Jo-jo, Elisa vështron, mendon, hulumton, në kah të kundërt. Ajo thotë se t’ja gjesh anën shqiptarisë është vërtet e vështirë, por kjo vështirësi është pjesë e problemit që duhet zgjidhur, dhe nëse prej këtyre vështirësive tërhiqesh apo bën naze justifikuese, do të thotë se je egoist, hipokrit, mistifikator, nuk e ke të sinqertë ndihmën që përgatitesh gjoja të japësh.

    Gjatë ditëve të fillimit të grevës së minatorëve të Bulqizës Elisa nuk u mor me batakun e dërdëllitjeve politike të Tiranës. Ajo vajti në Bulqizë ku dëgjoi hallet e lemeritëshme të minatorëve, jetët e tyre të amanozotshme, rrogat e tyre të vajtushme, kushtet e tyre ku thrret qameti, kalamajtë e tyre të rreckosur, sigurinë e tyre inekzistente nëpër zgafellat e nëntokës, dhe i shkruajti të gjitha, jo në bllok, as në kompjuter, në mendje. Alfabeti që përdor Elisa për tmerret e Bulqizës, janë vrragat në fytyrat e mjeranëve. Gjuha që përdor Elisa është gjuha e klithmave të mbytura të kalamajve të uritur të minatorëve.

    Elisa Spiropali s’e ka hiç ndërment të ndalet. Elisa kurrë nuk epet në rrugën drejt përsosjes së vetvetes. Ajo duke e pasur mirë parasysh se shqiptarët janë njerëzit më dinamikë të planetit, duke mos u bërë aspak merak për kanunet e mykura të cilat i gris, definitivisht e bindur se sa më pak të dukesh aq më tepër çfaqesh, sa më urtë të flasësh aq më fort dëgjohesh, sa më thjeshtë të sillesh aq më lart ngjitesh, sa më tepër të kesh aq më pak gëzon, sa më i dobët dhe i pa mbrojtur je aq më tepër meriton të ndihmohesh dhe të mbrohesh, vazhdon të gdhihet e të ngryset duke mos menduar për kurgjë tjetër veçse për Shqipërinë.

    Rrofsh o Super Nova.

    Faleminderit o Mari’ e Re.

    Gëzohu Shqipëri. Pa Elisa Spiropalin do ishe gjumë pa ëndrra, guackë bosh, pa perlë brënda.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit