Do gënjenim nëse do thonim se takimet (e sikletshme) me ish-të dashurit në “BBVA” nuk janë një ndër gjërat e preferuara për t’u parë në këtë format. Protagonistët sikletosen, mezi flasin e s’dinë si të përzgjedhin fjalët, ndërsa ne pas ekranit përpiqemi të deshifrojmë atë që po mendojnë, por nuk duan ta thonë. Ndonjëherë duket sikur ajo po thotë “plehrë, bën si i mirë pasi më tradhtove e më nxive jetën”, ndërsa herë të tjera lexohet dëshira e zjarrtë për t’u puthur sikur ndarja të mos kishte ndodhur kurrë.
Megjithatë, le të dalim në temë, ne kemi përmbledhur disa nga takimet/përballjet më ikonike të ish-të dashurëve në “BBVA”.
#1. Olsi dhe e fejuara që u bë ish
Do të ishte ky moment që do të shënonte për herë të parë në televizionet shqiptare një histori dashurie më rozë se kurrë. Ajo i besoi, ai u fut në “BBA” për një jetë më të mirë, ai gjeti një tjetër dhe harroi se e fejuara ekzistonte. Oh Olsi, je zyrtarisht tradhtari i parë i këtij formati.
#2. Bora dhe Donaldi
“Puthe, puthe, putheee!” Po, u puthën dhe e lanë të bëjnë, khëm-khëm, takim sqarues jashtë shtëpisë. Por, kjo nuk ishte puthja e vetme që Donaldi dha në atë aventurë që në fakt asokohe ishte një melodramë, ku një zemër thyhej e një ngjitej dhe një Shqipëri e tërë priste me ankth lëvizjen e radhës të Borës. Pjesa tjetër mbetet histori.
#3. Sara Gjordeni dhe Endrik Beba
Ish-i i gjimnazit që të dhuroi lidhjen më toksike. Dashuria e parë që e lave me lot se të la për një tjetër. Asgjë interesante deri këtu, pasi duket se secila vajzë e ka një histori të tillë, por pjesa dramatike nis kur ai shfaqet pas shumë vitesh dhe ti sapo ke gjetur burrin e jetës. Vjen, si zakonisht, për të të kujtuar se ai frymon vetëm për të të prishur punë. Si veprohet në të tilla raste? Zhvillohet një bisedë në dukje miqësore për t’i dhënë mesazhin e qartë: Nuk jam ajo që ti mban mend, jam shumë e lumtur dhe e dashuruar dhe më rri larg, shumë larg.
#4. Xheneta dhe Gjesti
Xheneta u fut në “BBVA” me vetëbesimin e një vajzë që e ka të konfirmuar se shfaqet vazhdimisht në mendjen e ëndrrat e ish-it. Hyrja e saj dukej se thoshte: U mërzita nga rutina dhe thashë të kaloja njëherë këtej për të të bërë ty lëmsh. E kam ende këtë fuqi, apo jo?
#5. Egli dhe Olsi Bylyku
Ky takim është luajtur shumë herë në kokën e Eglit, por ja që “BBVA” luan më bukur. Nën regjinë e “Vëllait të Madh” dhe narrativën e Ledionit, kjo përrallë pati një fund të lumtur, në dukje. Epo, s’mund të takosh ish-in që të la pa të takuar më kurrë, të bëri të kalosh “ferrin” dhe të japësh mesazh për paqen në botë. Ndaj, thënë kjo, ca kunja i hodhi dhe Egli. Fatmirësisht, kanë kaluar rreth dy vite nga kjo ndarje, pasi një takim sqarues për një ndarje pas 5 vitesh, në një tjetër kohë mund të përfundonte me lot e mallkime. Ah, Olsi, Olsi!