Dhuna verbale shpesh është e vështirë të vërehet në një marrëdhënie. Megjithatë, ajo mund të jetë po aq shkatërruese sa dhuna fizike. “Plagët” nuk janë të dukshme, ndaj mund të jetë shumë e vështirë për viktimën të kuptojë se çfarë po ndodh apo se ajo që po ndodh nuk është gjëja e duhur.
Kur dëgjojmë fjalën “keqtrajtim”, mendja na shkon menjëherë te dhuna fizike, por keqtrajtimi verbal mund të jetë po aq i dëmshëm për psikologjinë e një personi. Dhuna psikologjike është një formë dhune që nuk është e dukshme, pasi agresori lehtësisht “kamuflon” sjelljen e tij duke e bërë të duket si diçka normale ose qesharake.
Pra, si mund ta kuptojë dikush nëse është viktimë e dhunës verbale? Ka disa mënyra, por pesë shenjat më të rëndësishme janë këto:
1. Kini frikë të flisni
Nëse e gjeni veten duke “kafshuar gjuhën” gjatë një bisede me partnerin, mbase duhet të ndaleni dhe të analizoni motivin.
Nëse para se të flisni mendoni: “Më mirë të mos e them këtë, sepse do të mërzitet dhe do bërtasë,” atëherë duhet ta rishikoni marrëdhënien tuaj.
2. Nuk kaloni më mirë në praninë e tij
Në fakt, keni harruar se kur ka qenë hera e fundit që keni kaluar mirë me të. Në marrëdhënien tuaj dominojnë debatet dhe fyerjet. Po ashtu, hezitoni të dilni për një darkë, ose mundoheni ta shmangni, sepse e dini si do të mbarojë nata: një zënkë dhe shumë debate për motive të llojit “pse pe kamerierin”.
3. Fjalët tuaja shpeshherë tjetërsohen
Keni vënë re se sa herë që paraqitni qëndrimet tuaja me argumente, sidomos nëse ato nuk janë në favor të partnerit tuaj, ai tjetërson ato që keni thënë, ose kapet me një fjali që nuk është thelbi debatit. Debati përfundon duke u ndjerë fajtore. Shumica e njerëzve që përdorin sjellje manipuluese në çdo diskutim kanë një qëllim: të të bëjnë të mos e shohësh situatën siç është, por siç ato duan edhe nëse kjo do të thotë që personi tjetër përfundon duke qarë.
4. Instikti juaj ju thotë se diçka nuk shkon
Nëse shpesh mendoni se do të ishte më mirë të largoheni nga kjo marrëdhënie, se nuk mund të duroni dikë që ju flet ashtu ose që ju trajton me mungesë respekti, ose nëse ndiheni se diçka nuk është në rregull, pa mundur të përcaktoni saktësisht se çfarë po ndodh, atëherë instikti juaj ka të drejtë. Dëgjojeni atë.
5. Fyerjet janë thjesht “shaka”
Nëse jeni viktimë e keqtrajtimit verbal, shpesh do të ndiheni sikur ndjenjat dhe mendimet tuaja nuk konsiderohen.
“Pse je kaq emocionale/e llastuar? Ishte thjesht një shaka,” ose “Po bëja shaka. Mos i merr gjërat kaq seriozisht,” janë fraza që dëgjoni shpesh nga një person që ushtron dhunë verbale. Në këtë formë do të filloni të dyshoni për atë që ndjeni dhe të keni pasiguri për veten tuaj.