Deputetët e rinj socialist, përpara se të ulen në Kuvendin e Shqipërisë në shtator do kalojnë një verë intensive.
Të zgjedhurit e 11 majit, përpara se të zënë vend në karriget e Parlamentit, së pari duhet ‘’të kalojnë’’ nga “bankat” e një kursi trajnimi veror.
Dhe për këtë ka menduar vetë Kryeministri Edi Rama, i cili në takimin e dytë të fitores me kandidatët e mazhorancës në 26 maj paralajmëroi nga Pallati i Brigadave hapjen e një sesioni të posaçëm të Akademisë Politike të Partisë Socialiste për të gjithë deputetët që hyjnë për herë të parë në Kuvend në shtator.
Akademia politike këtë radhë do të shërbej për të trajnuar 54 deputetë që e përfituan për herë të parë mandatin e tyre, ku 21 janë vajza dhe gra dhe 33 janë burra.
Shkolla verore do të nisë në 20 qershor dhe pjesë janë edhe 9 ministra aktualë, të cilët do t’i nënshtrohen trajnimeve për t’u njohur me praktikën legjislative, sjelljen në parlament, detyrat dhe të drejtat që u jep Kushtetuta për ta kryer më së miri detyrën e tyre.
Kursi i deputetëve do të zhvillohet çdo fundjavë në selinë rozë deri në fund të muajit korrik. Dhe ashtu si pritej, lektori i parë i rishtarëve të parlamentit do të jetë vetë kryeministri Edi Rama.
Ata që do mësojnë “nxënësit e rinj’’, janë emrat e njohur nga socialistët si Fatmir Xhafaj, Niko Peleshi, Erion Braçe, si dhe politikanë që ndër vite kanë mbajtur pozicione drejtuese në Kuvendin e Shqipërisë dhe të grupit parlamentar të socialistëve.
Një sesion tjetër i posaçëm do të jetë njohja e deputetëve të rinj edhe me procesin e integrimit evropian, si dhe përfaqësimi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, leksione që do t’i japin ish-ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, si dhe ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni.