Partia Demokratike, e cila predikon transparencën, në emër edhe të së cilës, kërkon të vijë në pushtet, e mbajti të fshehtë marrëveshjen 6 milion dollarëshe të lobimit, ndonëse siguron në reagimin e vet zyrtar se ky shërbim është “në përputhje të plotë me ligjet e të dy vendeve”. Ashtu siç ka ndodhur dhe me rastet e tjera të kontratave të lobimit, zbulimi u bë nga mediat. Partia Demokratike, prej kohësh po përpiqet fort që të sigurojë mbështetje zyrtare nga SHBA-ja, administrata e së cilës e ka sanksionuar liderin e saj Sali Berisha, i shpallur “non grata”.
Në këtë aspekt, bërja publike e kontratës së lobimit, me siguri do të kishte ngrohur zemrat e demokratëve në mes të fushatës. Por duket qartë, se shifra 6 milionë dollarë, është tejet e madhe për t’u justifikuar publikisht dhe nuk mund të shmangë pikëpyetjet e mëdha, që ngrihen rreth saj.
Partia Demokratike ka një histori problematike me lobimet në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 2017, firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’, deklaroi se kishte marrë tre pagesa, me një vlerë totale prej 675 mijë dollarësh për të punuar në favor të PD-së. Vetë Partia Demokratike pranoi pagesën e vetëm 25 mijë dollarëve. 150 mijë të tjera ishin paguar përmes shoqërisë ‘Biniatta Trade LP”, një kompani me dritëhije të shumta. Për pjesën prej gjysmë milioni dollar, Lulzim Basha, kryetari i atëhershëm i PD, dha shpjegime të ndryshme, mes të cilëve dhe ai se pagesa ishte realizuar me fonde të mbledhura nga një numër i madh shqiptaro-amerikanësh, pa kaluar përmes PD-së.
I njëjti shpjegim vjen edhe tani nga PD-ja e Sali Berishës, ndonëse bëhet fjalë për një shumë 12 herë më të lartë?. Por në ndryshim nga rasti i Bashës, ku në kontratën e lobimit, nuk kishte firmë të ndonjë zyrtari demokrat të kohës, këtë herë kontratën e ka marrë përsipër me firmën e tij, Flamur Noka.
Partia Demokratike deklaroi mbrëmë se ajo “nuk ka asnjë barrë financiare apo detyrim kontraktual që lind nga kjo marrëveshje”, pasi është “komuniteti shqiptaro amerikan, që përmes fondacionit “Make Albania Great Again” ka kontraktuar kompaninë “Continental”, e cila ka marrë përsipër lobimin.
Dhe këtu mjegulla shtohet. Sado të përpiqesh, është e vështirë të gjesh gjurmë të ekzistencës së këtij Fondacioni. E vetmja shenjë e tij, është një faqe në Facebook, me 199 ndjekës, e ku postimet e fundit datojnë nga viti 2020, e më herët. Ndërsa faqja në internet që reklamohet Maga.al, rezulton një domain i nxjerrë në shitje për pak më shumë se 4.700 dollarë.
Në kontratën e lobimit, po ashtu, nuk gjen ndonjë gjurmë të këtij fondacioni. Garantuesi financiar rezulton një individ, Nuredin Seçi, një shqiptaro-amerikan me origjinë nga Tropoja, njëkohësisht anëtar kryesie i shoqatës Vatra në New Jersey. Të paktën përmes burimeve të hapura, nuk gjendet asnjë lidhje mes tij dhe fondacionit “Make Albania Great Again”, për të mos folur për faktin që ai vetë rezulton të jetë një ndër shqiptarët e zakonshëm që jetojnë në Amerikë, pa ndonjë aktivitet që të justifikojë një donacion kaq të madh, qoftë edhe si një prej kontribuuesve. Të paktën 750 mijë dollarë janë paguar tashmë.
Kontrata ka terma të përgjithshëm të përshkrimit të aktivitetit lobues. Ndërsa shërbimi i parë, i ofruar PD-së, është një bisedë telefonike me Dan Holler, shefin e kabinetit të sekretarit të shtetit Marco Rubio, njeriu që ka në dorë të zhbëjë dizenjimin non grata të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga ish sekretari Blinken. Nga PD, çuditërisht, nuk ka pasur asnjë njoftim për zhvillimin e kësaj bisede.
Ndonëse në pamje të parë, kontrata duket të ketë si objektiv, çështjen e “non gratës”, ajo qartazi duket të jetë lidhur dhe në funksion të fushatës elektorale. Flamur Noka e ka firmosur atë në emër të Koalicionit për Shqipërinë Madhështore, si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, forca udhëheqëse e këtij koalicioni, të krijuar si një entitet elektoral.
Po ashtu, kompania lobuese e themeluar në vitin 2021 nga këshilltari i Trump, Carlos Trujillo, drejtohet nga Katie Wiles, vajza e Susie Wiles, shefja aktuale e kabinetit të Presidentit Trump, e cila kishte shërbyer dhe si shefe e fushatës së presidentit Trump në 2024-ën. Dhe këtu fijet të çojnë të Chris LaCivita, i prezantuar si strategu i fushatës së Partisë Demokratike, për zgjedhjet e 11 majit. Lacivita ishte bashkëdrejtues i fushatës së Trump-it drejt Presidencës së dytë, vitin e kaluar.
Edhe në rastin e tij PD-ja nuk ka deklaruar ende se sa po i kushtojnë shërbimet e LaCivitas, sikundër nuk do të mund të shmangë as shpjegimet për kontratën e lobimit. Pavarësisht deklarimeve se pagesa po bëhet nga shqiptaro-amerikanët, ajo do të duhet ta deklarojë si një donacion, shoqëruar dhe me dokumentacionin e nevojshëm. Janë dy kontrata, dhe dy financime, për të cilat PD, duhet të bëjë transparencë. (Shqiptarja.com)