Një e moshuar, që ka ndërruar jetë pasi kishte e shtruar prej gjashtë muajsh në Spitalin Neurologjik në QSUT, është identifikuar.
Bëhet fjalë për Drana Alushin, e cila është gjetur pas publikimit të fotos së saj në emisionin ‘Pa gjurmë’.
Deri para kësaj dite, e moshuara që kishte gjashtë muaj e shtruar nuk ishte identifikuar as nga mjekët e infermeret e spitalit, as nga policia e Fierit, ku familjarët e saj kishin denoncuar zhdukjen e 71-vjeçares muaj më parë.
“Po, ajo në foto është nëna ime. Ka mbi 4 muaj që ishte e humbur dhe nuk kishim lënë vend pa e kërkuar. Kemi bërë denoncimin edhe në policinë e Fierit, por nuk kishim mundur të zbulonim asnjë gjurmë. Kam kontrolluar gjithashtu nëpër spitale por asgjë. Edhe në morg kam kërkuar. Jemi nga fshati Rom i Fierit nga ku u largua nëna. Kur pashë foton në ekran u shokova.
Nuk desha tu besoja veshëve se nëna ime paska ndërruar jetë pak orë më parë. Ndjehem e pikëlluar për këtë, por juve ju falenderoj shumë që bëtë të mundur gjetjen e saj” – pohoi e bija në emisionin ‘Pa gjurmë’.
Ndërkohë organizata ‘Drejtësi Sociale’ shkruan në Facebook se ishte vënë në dijeni për gjetjen e 71-vjeçares nga Fieri, përmes një emisioni televiziv ndërkohë që shkruan se kishte raportuar prej disa muajsh humbjen e saj në Komisariatin e Fierit.
“Para disa muajsh raportuam humbjen e nënës rome nga Fieri. Mbrëmjen e djeshme jemi vënë në dijeni nëpërmjet emisionit “Njerëz të humbur” se trupi nënës ndodhet në morgun e QSUT-së. Sipas tyre nëna kishte qëndruar 4 muaj e shtruar në një nga spitalet e QSUT-së. Spitali nuk kishte asnjë informacion mbi nënën rome.
Ndërkohë, paraligjori Drejtësi Sociale e ka raportuar humbjen e saj pranë Komisariatit në Fier. Kjo tregon qartë se ka munguar bashkëveprimi institucioneve. Menjëherë kemi kontaktuar pushtetin vendor për të mbështetur familjen për ceremoninë e varrimit të nënës rome.” – shkruan organizata në faqen e saj në Facebook.