9.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    74% e bizneseve thonë se e kanë të vështirë, të gjejnë punonjës

    Mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në një sfidë thelbësore për bizneset shqiptare veçanërisht gjatë këtij viti.

    74% e sipermarresve vendas shprehen se hasin vështirësi në sigurimin e fuqisë punëtore, referuar sondazhit më të fundit mbi disponueshmërinë dhe cilësinë e fuqisë punëtore të zhvilluar nga Këshilli i Investimeve.

    Raporti analizon mospërputhjet në raportin punëdhënës-punëmarrës dhe përfshin rreth 250 sipërmarrës dhe 260 të rinj të anketuar gjithsej.

    Nga njëra anë, sipërmarrësit rendisin si arsyen kryesore të këtij ngërçi, mospërputhjen e sistemit arsimor me nevojat e sektorit privat, sa i përket pritshmërive në aspektin e kualifikimit të fuqisë punëtore.

    Nga krahu tjetër, edhe të rinjtë kanë kërkesat e tyre ndaj punëdhënësve. Pagat e ulëta mbeten faktori dominues i pakënaqësisë dhe dekurajimit të tyre nga tregun lokal, çka favorizon opsionin e largimit nga vendi apo emigrimin drejt shteteve kryesisht Europiane.

    Sfidat e sipërmarrësve shqiptarë/punëdhënësi

    Rreth dy vjet që nga fillimi i pandemisë dhe në vijim, një numër i konsiderueshëm punëdhënësish janë ende duke luftuar për të gjetur talente. Por, ndërsa konkurrojnë për të gjetur talente, aplikantët që paraqiten për intervista janë të paktë në numër.

    Sipas sondazhit, 26% e sipërmarrësve rendisin si problematikën më shqetësuese sa i përket punonjësve, kulturën e punës, çka për drejtuesit nënkupton përgjegjshmëri, korrektësi dhe komunikimin ndaj vendit të punës. Si faktorin e dytë më të rëndësishëm, 21% e sipërmarrësve rendisin kualifikimim e papërshtatshëm të fuqisë punëtore. Ndërkohë që 16% e tyre shprehen se punonjësit iu largohen fill pasi marrin trajnimet e duhura pranë kompanive të tyre.

    Nga anketimi i mësipërm rezulton se 1/3 e bizneseve nuk kanë kontaktuar askënd për të siguruar punonjës, ndërkohë që 2/3 e subjekteve kanë arritur të sigurojnë një bashkëpunim efektiv me universitetet, agjensitë e punësimit dhe zyrat e punës.

    Koordinimi Institucione-Sipërmarrje dhe zgjidhjet

    Raporti jep rekomandime për disa nga masat që mund të ndërmerren për të menaxhuar më mirë këtë mospërputhje kërkesë-ofertë në tregun e punës? Është e rëndësishme që sipërmarrësit të investojnë për qëndrueshmëri të stafeve aktuale duke përmirësuar paketat e shpërblimit, shëndetit dhe mirëqënies së punonjësve, riaftësim të soft-skills-eve dhe strukturim më të mirë të mundësive për karrierë.

    Nevojitet një përmirësim i kulturës së punës në kuadër të një perspektivë më të qëndrueshme sa i përket punësimit, pasi pavarësisht nga ekzistenca e programeve te nxitjes së punësimit, sipërmarrjet deklarojnë mungesë informacioni për mundësitë ë përfitimit prej tyre.

    Me qëllim përmirësim të mendësisë të të dyja palëve drejt krijimit të vlerave të kapitalit njerëzor, sipërmarrjet mund të bashkëpunojnë më dhomat apo shoqatat e biznesit që organizojnë trajnime, workshope apo paketa specifike me fokus mentalitetin e një drejtuesi.

    Nevojitet akses i shtuar në punësim duke përfshirë institucionet shtetërore si AKPA dhe rritje e rolit të zyrave të punës në nivel vendor me qëllim tërheqjen e një game të gjërë punëdhënësish e punëkërkuesish.

    Së fundmi, nevojitet më tepër bashkëpunim dhe koordinim mes aktorëve në mbështetje të tregut mes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, pushtetit lokal, zyrave të punësimit, shkollave profesionale, qendrave të formimit profesional, dhomave të tregtisë dhe biznesit, agjencive private të punës dhe sipërmarrjeve shqiptare. / Përgatiti: Erisa Meçolli

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit