Një grua 90-vjeçare më në fund do të marrë diplomën e saj, 71 vjet pasi u regjistrua për herë të parë në kolegj.
Joyce DeFauw, dikur Joyce Viola Kane, filloi vitin e parë në Northern Illinois University në vitin 1951 për t’u diplomuar në ekonominë shtëpiake (studimi mbi kujdesin dhe menaxhimin e familjes). Por këto plane ndryshuan kur Joyce takoi një burrë të veçantë në kishë që i vodhi zemrën, tha ajo për CNN.
“Shkova në shkollë për tre vjet e gjysmë, por vendosa të largohem pasi e takova,” tha ajo. Burri i veçantë ishte Don Freeman Sr. Të dy u martuan në vitin 1955 dhe patën tre fëmijë së bashku përpara se Freeman të ndërronte jetë. DeFauw u martua me burrin e saj të dytë të ndjerë, Roy DeFauw. Së bashku ata patën gjashtë fëmijë, duke përfshirë dy grupe binjakësh.
Gjatë gjithë viteve, familja e saj u rrit dhe ajo tani ka 17 nipër e mbesa dhe 24 stërnipër. Në 2019, Joyce shfaqi interes për arsimin universitar që la pas.
Në vend që të shkonte në kampus për të ndjekur mësimin, ajo e bëri këtë pas një ekrani kompjuteri nga shtëpia e të moshuarve. “Ishte kompjuteri im i parë,” tha ajo, “Fëmijët e mi duhej të më mësonin se si ta përdorja atë.”
Tani, tre vjet më vonë, ajo mori një diplomë Bachelor të Studimeve të Përgjithshme nga universiteti. Joyce është mirënjohëse që pati mundësinë të kthehej në shkollë dhe të merrte diplomën e saj. “Është mirë të përfundoni diçka që keni filluar,” tha ajo.
Këshilla e saj për ata që mund të jenë në një situatë të ngjashme: “Mos u dorëzoni. E di që mund të jetë e vështirë, por çdo gjë në jetë ka uljet dhe ngritjet e veta.”