10.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    A do mjaftojë gogoli Berisha edhe këtë radhë?

    Nga Bedri Islami

    “Socialistët” e Ramës si duket, e kanë marrë lehtë përballjen e tyre elektorale , vitin e ardhshëm, me Foltoren e Berishës. Për më tepër, ata, që tani, kanë përcaktuar edhe deputetët që do të kenë, dhe se çfarë do të përmbysin përmes tyre. Si duket,atyre u mjafton fakti që drejtuesi i së djathtës, që në fakt është futur në betejën e jetës së tij me qëndrime të theksuara populiste të së majtës, është i shpallur non grata nga dy vendet e mëdha dhe përcaktuese anglo – saksone. Ky fakt i duket atyre i mjaftueshëm për fitoren plebishitare, pra është ndihma që u jep  drejtuesi i opozitës.

    Nga ana tjetër harrojnë se edhe vetë ata, pa e ditur, ose duke e mohuar edhe nga vetja, i japin atij një ndihmë të madhe, që nganjëherë është po aq e njëjtë sa edhe shpallja non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit: korrupsioni i pa masë brenda tyre dhe lodhja e njerëzve nga qeverisja e gjatë, jo si është pritur dhe jo nga sistemi që është menduar se të ngrihet.Zhgënjimi nga qeverisja dhe korrupsioni mund të jetë po aq ndëshkues, sa edhe shpallja non grata.

    Berisha i dëmton të vetët me faktin e sanksionuar si i pa dëshiruar, që ka humbur betejën e jetës së tij me dy drejtësitë e mëdha, amerikane, përmes të birit, dhe angleze, përmes vetes. Socialistët e dëmtojnë veten me faktet e njohura tashmë të korrupsionit politik dhe financiar, por edhe me faktet e pashpallura që i di secili qytetar i vendit.

    Njerëzit hallemëdhenj, që po shtohen në secilën ditë, mund ta harrojnë në çastin e votimit njeriun e shpallur non grata, por do e kenë të vështirë të harrojnë gjendjen e tyre, ata që i kanë lodhur me pushtetin dhe e kanë kthyer korrupsionin në sistem të qëndrueshëm. Që nga roja e parkingut , deri te majat e qeverisjes, korupsioni po konsiderohet normalitet, gjë e zakonshme, që duket si e ligjshme, por që rëndesën më të madhe e ka pikërisht tek ata që mezi përballojnë jetesën e tyre.

    Është e lehtë të vësh përballë teje shembullin e gogolit politik, si Berisha, aq më e lehtë nëse ke përballë njeriun e mbushur me urrejtje, mallkim e pas vetes ka vrasje të mëdha, ende të pa gjykuara, ose , në të cilat gjykohen ata që nuk duhet të jenë domosdoshmërisht të vënë përballë gjykatës; por,  duhet pranuar, për të majtët në qeverisje, është e vështirë të vënë përballë votuesit shembullin e një qeverisje që e meriton me patjetër besimin për të katërtën herë. “ Nusërimi” i qeverisë edhe një herë ose duhet të ketë shembullin e madh të ndryshimit, ose duhet të ketë një fund. Partitë e reja, do i sulen së majtës , pikërisht nga dobësia e saj, korrupsioni, për të shkëputur nga një copë, dhe sado e vogël të jetë ajo, në fund do të përbëjë një numur të caktuar më pak deputetësh dhe një çarje të ndjeshme në pushtetin e saj. Ndryshe nga sa ndodh në kampin përballë: ku thuaj se të gjithë e kanë pranuar sundimin dhe autokracinë e Berishës, disa nga dëshira, disa nga halli, por të gjithë janë rënditur në hijen e tij.

    Mendja e fjetur se kanë përballë njeriun e shpallur të pa dëshiruar, dhe kjo do të jetë fitore plebishitare, edhe më e thellë se ajo e vitit 1997, mund të zgjohet një mëngjes dhe të shohë se gjërat kanë ndryshuar, pikërisht nga një njeri që duket në buzë të humnerës dhe të cilin 11 maji i vitit 2025 do e hedhë përfundimisht poshtë, në harresën e historisë dhe do e vendosë përballë gjykimit të ndodhive të tij të prapshta.

    Amerikanët , është e vërtetë, e kanë shpallur non grata Berishën, dhe, nga ana tjetër nuk do ia heqin këtë, edhe sikur dhjetë herë dhjetë pushtete të ndërrohen, por, e ndodhur prej kohe, dhe në politikë harresa është gjëja më e shkurtër, ajo mund të jetë një ditë të bukur e vendosur një anë, pasi, të njëjtët, kur ua do politika e tyre e stërgjërë gjeostrategjike, nuk e kanë të jashtëzakonshme të vendosin kontakte dhe të bëjnë marrëveshje edhe me struktura të tëra të shpallura , jo thjeshtë non grata, por terroriste dhe , nga ana tjetër, të përkdhelin sedrën e figurave për të cilët , jo shumë larg në kohë kanë vënë miliona dollarë për kokën e tyre, por që tashme u duhen për të përmbysur diktatura, edhe pse ata mund të sjellin revanshe që askujt nuk ua ka marrë mendja. Shembulli i Sirisë është shumë pranë për t’u harruar.

    Socialistët joshen nga pushteti i katërt i qeverisjes së tyre. Janë në të drejtën e zakonshme të forcave politike, të cilat, përballë vetes, kanë , ose mendojnë se kanë liderë të lodhur, të sanksionuar nga perëndimi, të joshur nga e keqja  e të plakur, alternativa e të cilëve është pa vizionin e së ardhmes. Socialistët harrojnë se Berisha e ka 11 majin betejën e jetës së tij, më të vështirin dhe më të domosdoshmin.

    Despotizmi i tij brenda forcës politike që drejton dhe synimi që, përmes përmbysjes të rikthehet në njeriun e ditës, ndërsa e përligj atë, nuk e përligj despotizmin e qeverisjes së tanishme, që, megjithëse të gjithë këmbanat bien për rritjen e korrupsionit të qeverisjes, e kanë mendjen e qetë se do të kenë edhe mandatin e katërt, e ndoshta edhe përtej tij.

    Si çdo asamble që qëndron gjatë në pushtet e majta në qeverisje është kthyer tani në një autokraci kolektive. Ajo ndjehet aq e fortë në krenarinë e saj të furishme, saqë mendon se fitorja e pazakontë mund të ndodhë vetëm nga fakti se drejtuesi i tyre, karizmatik dhe autoritar, mund të bëjë mrekullinë e katërt. Ata, dalngadalë, por ngulmueshëm, e kanë humbur në një masë të madhe cilësinë pa të cilën nuk mund të qeveriset, ndjenjën e së mundshmes.

    Përballë tyre ata nuk kanë vetëm një njeri të shpallur non grata, por populist, shpesh herë të pa skrupullt në sulmet e tij, agresiv dhe që politikën e ka drogën e tij. Atë nuk e bren ndergjegja dhe as që shqetësohet nga loja e pistë, përbaltja e sistemit të drejtësisë, ku është objekt i saj, përbuzja ndaj atyre që dëshmohen në ndershmërinë e tyre, çfarëdo të jenë, të vjetër, gra, burra, fëmijë; ai do të përdorë jo vetëm një fotografi të zakonshme dhe lidhje familjare deri në brezin e dhjetë, por gjithçka që mund t’i afrohet. Në fund të fundit, gojëtar i furishëm, njeri që beson lehtë dhe hakmarrës, që në adhurimin e tij ndaj pushtetit nuk ngurron të përdorë çdo mjet të mundshëm – 21 janari e saktëson këtë; të pasurohet e gjithë familja e tij, edhe përmes gjakut – Gërdeci është njëri ndër shembujt, Berisha ka në duart e tij një armë po aq të fuqishme, sa është edhe non grata e tij për të majtën . Korrupsionin e qeverisjes, në të gjitha hallkat, duke qenë rreziku më i ndjeshëm i humbjes së të majtës. Çdo e dhënë që do të kalojë nga qytetari digital – një ndër shpikjet – shpifjet më të rrezikshme, e deri të dhënat e sakta të militantëve të tij, të dëbuar nga pushteti ose në pushtet, do të përdoret në këtë betejë, që, sido të jetë, në fund politikën do e lehtësojë nga një pjesë e figurave të vjetra politike. Humbja do të jetë seleksionimi i pashmangshëm.

    Hapësira ku e majta do të ketë shansin të rritë dukshëm përparësitë e saj është jashtë Shqipërisë. Fakti që ata kanë vënë në krye të fushatës në mërgatën e madhe shqiptare, një figurë politike, i njohur për versuljen e madhe politike dhe përmbysje zgjedhore, si  Taulant Balla, tregon se e kanë kuptuar të vërtetën se aty do të mund të jetë hambari i votuesve të ardhshëm.

    Dhe kjo, veç të tjerave, ka edhe një shkak të madh : ne, që jemi jashtë, nuk e harrojmë lehtësisht se dy fuqitë e mëdha anglo – saksone e kanë shpallur non grata Berishën dhe familjen e tij, por, pak e kemi ndjerë direkt, mbi kurriz shprishjen e vizionit qeverisës përmes korrupsionit të saj.

    Padituria ka edhe ajo nganjëherë vlerat e saj.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit