Florjan Binaj, aktori i njohur i humorit, ishte i ftuar në late night show-n e ri të Andale Media, “Me nder jush”, ku foli për karrierën e tij, emisionin e radios që ka shënuar mbi 20 vite, “Rikoshet”, dhe planet e tij politike si kandidat për Bashkinë e Tiranës.
Gjatë intervistës, moderatori Denis Taullaj e pyeti nëse do e vazhdonte emisionin e radios nëse do të ishte kryetar bashkie.
“Mendoj që nuk ka një ligj që e ndalon që një person që i përket jetës politike, qoftë si kryetar bashkie ose minibashkie ose diçka të ngjashme me këtë, jo më shumë se kaq,” tha Florjani.
I pyetur nëse do të rikandidojë për kryetar bashkie në Tiranë, ai tha:
“Po. Po sepse herën e parë nuk është se u ndërpre prej meje, kështu që unë dua që këtë mundësi t’ia jap gjithë qytetarëve, zëri i të cilëve është i padëgjuar, ku mendimi ose jeta e tyre në qytet është e papërkrahur dhe pse jo të bashkohen shumë njerëz që e mendojnë si unë, që kanë arritur këtu ku janë si puna ime, dhe t’i japim për herë të parë kryeqytetit një grup njerëzish profesionistë që dinë të thonë dhe ‘jo’, që nuk janë aty për të grumbulluar vota, por janë aty për të grumbulluar aftësitë e tyre në të mirën e shërbimit të qytetit.”
Duke u rikthyer edhe një herë tek ideja e fillimit, se do të bënte një emision radioje edhe nëse do të zgjidhej kryetar bashkie, Binaj ironizoi dhe kryeministrin:
“Për sa kohë nuk ka një ligj që e ndalon [do e bëj]… Po e dëgjoi tani këtë ai Pashai, nesër… [bën shenja që nënkuptojnë se do shkruajë në rrjetet sociale].”
Ai konfirmoi se do të kandidojë në vitin 2027, por përmendi gjithashtu pasigurinë që sjellin zhvillimet ndërkombëtare:
“Nëse do bëhen në 2027 [zgjedhjet, do kandidoj], tani nuk i dihet çfarë ndodh se me këtë luftën që po ndodh në Iran…”
Florjan Binaj shpalli kandidaturën e tij për Bashkinë e Tiranës në tetor 2025. Në postimin e tij në rrjetet sociale ai shprehu nevojën për një drejtues qytetar:
“Na duhet një drejtues qytetar i zgjedhur nga qytetarët për qytetarët, sepse asnjë nga ne nuk mund të presë më edhe 34 vite të tjera. Prandaj kam vendosur të shpall kandidaturën time për Kryetar Bashkie të Tiranës, duke dhënë gjithë veten time për të përfaqësuar sa më denjësisht çdo qytetare dhe qytetar… Ftoj të gjithë qytetarët, intelektualët të majtë dhe të djathtë të na bashkohen. Faleminderit!”
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në detyrë Erion Veliajn, Florjan reagoi:
“Për mua dhe për qytetarët e Tiranës, thelbi mbetet i njëjtë: Tirana ka nevojë për ndryshim. Unë do të kandidoj për kryebashkiak të Tiranës kurdo që të mbahen zgjedhjet, me të njëjtën bindje, përkushtim dhe energji për t’u shërbyer njerëzve me ndershmëri, përgjegjësi dhe transparencë. Rrugëtimi ynë vazhdon. Ndryshimin që duan qytetarët e Tiranës nuk do ta ndalë asgjë.”



