Ka katër pyetje kyçe që mund t’ju ndihmojnë të kuptoni një nga dilemat më të mëdha kur jeni të dashuruar: A do të zgjasë kjo marrëdhënie?
Sipas psikoterapistes Jourdan Travers, këto pyetje janë formuluar mbi baza shkencore dhe eksperienca reale në terapi çiftesh, së bashku me bashkëshortin e saj, psikologun Mark Travers. Ajo thotë:
“Këto janë pyetje që shpesh i anashkalojmë kur jemi të dashuruar, por në fakt janë thelbësore për të kuptuar nëse vlen të investosh në këtë lidhje.”
Ja cilat janë ato dhe si mund të ndikojnë në mënyrën si e shihni marrëdhënien tuaj:
1. Nëse nuk do të ishit në lidhje, a do të ishit miq të ngushtë?
Kjo pyetje synon të vlerësojë thellësinë e lidhjes suaj përtej tërheqjes romantike. A njiheshit mirë si njerëz përpara se të binit në dashuri?
“Miqësia është një bazë thelbësore për një marrëdhënie të shëndetshme,” thotë Travers. “Sepse lidhja e vërtetë nuk është gjithmonë e lehtë por nëse je mik me personin që do, ke një themel më të fortë për t’u mbështetur.”
Nëse përgjigjja është “jo”:
Pyet veten: Çfarë të tërhoqi drejt këtij personi? Ishte vetëm tërheqja fizike? Nëse po, mund të kesh ngatërruar pasionin me dashurinë, një ndjesi që rrallëherë zgjat.
2. A të pëlqen vetja kur je me partnerin/en tënd/e?
Partneri duhet të të frymëzojë të bëhesh njeri më i/e mirë, jo të të bëjë të dyshosh në veten tënde.
“Partneri yt të do vetëm apo të mbështet vërtet? A është i dhembshur dhe i sinqertë? Një lidhje e shëndetshme të ndihmon të rritesh,” – shpjegon Travers.
Nëse përgjigjja është “jo”:
Mendo nëse je me dikë që e ka me të vërtetë të rëndësishme mirëqenien tënde. Nëse ndihesh i/e vogël, i/e pavlerë ose i/e gjykuar, kjo është një shenjë që nuk duhet ta injorosh.
3. Nëse do ta dije që partneri yt nuk do të ndryshonte kurrë, a do të doje ende të ishe me të?
Shumë njerëz hyjnë në marrëdhënie me idenë e gabuar se mund ta “ndryshojnë” tjetrin.
“Ky është një kurth i zakonshëm,” paralajmëron Travers. “Ne nuk kemi fuqinë të ndryshojmë dikë që nuk do të ndryshojë vetë.”
Nëse përgjigjja është “jo”:
Nëse nuk mund ta pranosh personin ashtu siç është sot, mund të mos jesh në marrëdhënien e duhur. Dashuria e qëndrueshme bazohet në pranim, jo në projeksione.
4. Kur ke lajme të mira, a është partneri personi i parë që dëshiron t’i ndash ato?
Kjo është një shenjë e fuqishme e lidhjes emocionale. Nëse partneri është personi i parë që të vjen ndër mend në një moment gëzimi, kjo është një shenjë e një lidhjeje të fortë.
“Shkenca e quan këtë ‘kapitalizim aktiv’ dhe lidhet drejtpërdrejt me kënaqësinë në marrëdhënie, intimitetin dhe qëndrueshmërinë,” – shpjegon Travers.
Nëse përgjigjja është “jo”:
Mendo pse jo. A ndihesh më rehat të ndash gëzimet me dikë tjetër? A është partneri i padisponueshëm emocionalisht? Apo ndoshta je më i/e lidhur me një person të tretë?