Kryeministri Edi Rama është zyrtarisht dhe praktikisht një njeri i papunë. Ai nuk ka çfarë të bëjë sepse, siç thotë ministri i tij për Kulturën, Ekonominë dhe Inovacionin, Blendi Gonxhe, zyrtarët e qeverisë nuk firmosin sepse “kanë frikë nga hetimet”. Është një thashethem i përsëritur ky që sugjeron se qeverisja e vendit efektivisht është bllokuar për shkak të frikës që shkaktojnë hetimet e SPAK. Dhe është një mënyrë e çuditshme se si zyrtarët socialistë po e paraqisin veten si viktima të padrejtësive që supozohet se po bëhet nga një numër prej gjithsej 18 prokurorësh, shumicës së të cilëve nuk ia kemi dëgjuar ende emrin për gjë.
Autori i këtyre radhëve nuk është i bindur se kjo deklaratë shpreh realitetin e administrimit publik në vend. Me të vërtetë, suficiti buxhetor ka arritur në mbi 340 milionë euro për tremujorin e parë të këtij viti, shifër kjo e paimagjinueshme, por jo shumë larg katrahurës së menaxhimit të financave publike gjatë qeverisjes socialiste përgjatë viteve të fundit, pra edhe përgjatë viteve para ekzistencës së SPAK.
Por, nëse Gonxhe ka të drejtë dhe me të vërtetë buxheti nuk po shpenzohet sepse Gonxhe dhe Rama janë të paaftë që të gjejnë qorra që të firmosin për shefat, ai dhe shefi i tij normalisht duhet ta konsiderojnë menjëherë, nga ky çast e më pas, veten si të papunë. Sepse, funksioni kryesor i qeverisjes së një vendi është që, kryeministri dhe administrata e tij, të mbledhin taksa dhe t’i shpenzojnë këto taksa për të mira të përbashkëta. Me një fjalë, nëse vendi nuk ka kanalizime të ujërave të zeza, qeveria mbledh taksa dhe i bën kanalizimet. Dhe nëse nuk ka një rrugë, apo një rrugë ka nevojë të riparohet, mbledh taksat dhe e bën rrugën. Por, nëse nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë, për shkak se, sipas Gonxhes, zyrtarët e nivelit më të ulët nuk janë të gatshëm të rrezikojnë burgun duke firmosur dokumente prokurimesh publike, atëherë normalisht që Gonxhe vetë i pari dhe shefi i tij, duhet të shpallin vetveten në pamundësi objektive për të kryer funksionin për të cilën taksapaguesi i paguan rrogën.
Në mënyrë cinike, ankesa e zyrtarëve të qeverisë se zyrtarët e nivelit më të ulët “nuk firmosin” mund të interpretohet në tre mënyra: njëra, që SPAK po punon në mënyrë aq të ethshme, aq abuzive dhe aq fatale, sa çdo zyrtar, me apo pa faj, ka frikë të firmosë se përfundon në burg. Kjo është çfarë nënkuptohet nga deklarata se zyrtarët “kanë frikë të firmosin”. Po duan të thonë, jo se në shtet vidhet, por se ka një ndëshkim abuziv për vjedhje të paqena nga ana e SPAK dhe GJKKO, aq sa zyrtarët e qeverisë gjenden në situatën absurde në të cilën, nëse ata bëjnë detyrën e tyre ligjore dhe qytetare, rrezikojnë në mënyrë krejt të pa të drejtë të burgosen. Ose, që vjedhjet janë një realitet tërësisht i zakonshëm dhe tërësisht i pranueshëm por është ndëshkimi ai që është një anormalitet.
Kjo në fakt ngjan shumë larg realitetit. Hetimet e SPAK deri më sot kanë qenë minimale dhe, në asnjë rast, nuk mund të thuhet se prokurorët kanë abuzuar në ndonjë mënyrë skandaloze duke futur në burg çfarë t’u dalë përpara, pa prova apo në interpretime ligjore të ekzagjeruara. E kundërta mundet të thuhet: që hetimet janë ende në numër të pamjaftueshëm për të dekurajuar vjedhjet dhe abuzimet dhe se në shumë raste, prokurorët janë mjaftuar me hetime të përcipta, pa gjurmuar paratë për të gjetur përfituesit e abuzimeve, pa hyrë në analizën e librave të shitjeve dhe të blerjeve të kontraktorëve të mëdhenj publikë për të parë se çfarë bëjnë ata dhe ku i çojnë ata paratë që marrin nga taksapaguesit.
Socialistët, përfshirë Ramën, herë pas here përmendin një “arkë me peshk” si kulmi i padrejtësisë që ka bërë SPAK ndaj një socialisti. Dukshëm referenca është për çështjen penale të Rovena Vodës, ish-zëvendësministre, e dënuar për veprën penale të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm në rastin e procedurave të punësimit të një shtetaseje, e cila, sipas dokumenteve të prokurorisë, i dha asaj 1 mijë euro dhe një celular, por, kur vërejti se ishte e pakënaqur, i ofroi edhe një “arkë me peshk”, të cilën, paguesja, sipas përgjigjes, e cilësoi si një mall me vlerë 300 euro. Por më shumë se sa “arka me peshk”, ishin rrethanat e çështjes ato që e bëjnë realitetin e qeverisë “Rama” edhe më tronditës. Prokurorët në këtë rast nuk po hetonin korrupsionin. Ata po hetonin një grup kriminal të trafikut të drogës. Gjatë përgjimeve të trafikut të drogës rezultoi se një anëtare e familjes së një prej të dyshuarve, po kërkonte të punësohej në shtet. Dhe përgjimet, të cilat kishin për objektiv trafikun e drogës, nxorën krejt rastësisht në skenë faktin që, për t’u punësuar në qeverinë e Rilindjes, të duhet të paguash, jo vetëm një “arkë peshk”, siç e cilëson Rama me nënvlerësim, por të duhet të paguash 1 mijë euro, një celular dhe, nëse këto nuk dalin, me çfarë të kesh tjetër, në rastin konkret, paguesja kishte një arkë me peshk sepse familja kishte edhe një peshkarexhë.
Kjo rrëfenjë e shkurtër gajasëse nga Shqipëria sugjeron në fakt se gjasat janë që problemi i mosfirmosjes shkaktohet nga ky shpjegim i dytë: korrupsioni është e vetmja ngasje që cyt zyrtarët e qeverisë të bëjnë tenderë. Dhe, nëse ndryshe nga më parë, korruptimi sot mundet edhe të dënohet, atëherë nuk ka incentivë se pse duhet të bëhet një tender. Dhe rrjedhimisht, paratë mbeten të pashpenzuara. Ose mund të ketë këtë shpjegimin e tretë: duke qenë se zyrtarët e lartë nuk janë të gatshëm të ndajnë plaçkën me zyrtarët e ulët, këta të fundit kanë vënë në peshore rrezikun, nga njëra anë, burgun, dhe nga ana tjetër, rrogën jo aq të lartë të punonjësit të administratës publike dhe kanë zgjedhur të rrezikojnë rrogën në vend të burgut. Sepse mijëra zyrtarë të administratës publike, të cilët firmosin dokumentet për dhjetëra-mijëra prokurime publike çdo vit, normalisht nuk kanë pse të kenë frikë nëse firmosin brenda ligjit. Prokuroria nuk ka se si të kapë shkelje aty ku nuk ekzistojnë. Ligji është shumë i qartë. Për shembull, drejtorët e bashkisë janë gjetur me shkelje për rastin e kompanisë 5D Konstruksion sepse, ndërsa ligji thotë se një fitues tenderi duhet të ketë tre vjet eksperiencë, drejtorët i dhanë asaj tender një muaj pas themelimit.
Me një fjalë, është shumë e vështirë të besohet që SPAK ka krijuar një klimë të tillë të paarsyeshme terrori, përmes burgosjeve të padrejta apo të paarsyeshme të zyrtarëve. Sepse e vërteta është që burgosjet për korrupsion apo abuzim me detyrën apo shkelje të barazisë në tenderë, deri më sot kanë qenë vetëm për shkeljet më të paimagjinueshme të mundshme.
Dhe në fund fare, nuk duhet lënë pa theksuar se çfarë dënimesh marrin. Sonila Qato është një zyrtare e lartë e qeverisë “Rama”. Ajo akuzohet se ka shkelur barazinë e subjekteve para tenderëve. Nëse shpallet fajtore, ajo parashikohet të dënohet me maksimumi 3 vjet. Ajo akuzohet se ka shkelur barazinë në një tender me vlerë 20 milionë euro. Dhe vetë Voda, asaj të cilës iu bë padrejtësia e madhe e dënimit për një arkë me peshk (plus 1 mijë euro plus një celular), u dënua me një vit e pak. Me pak fjalë, nuk ka kurrfarë dënimi skandaloz nga ana e GJKKO që të justifikojë ndonjë lloj viktimizimi të socialistëve se po u bihet në qafë pa të drejtë, apo në ndonjë mënyrë të ekzagjeruar.
E megjithatë, nëse me të vërtetë SPAK dhe GJKKO kanë shkaktuar një terror të tillë, kjo sugjeron gjithashtu se korrupsioni është kaq sistemik sa çdokush mund të dënohet. Kjo sugjeron se Rama është praktikisht i papunë. (BIRN)