14.5 C
Tirana
E diel, 29 Mars, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    A është gati Shqipëria të ofrojë turizëm të qëndrueshëm?

    Nga Deada Hyka

    Në një epokë kur ndryshimet klimatike, mbrojtja e mjedisit dhe qëndrueshmëria janë në qendër të vëmendjes në botë, një pyetje bëhet gjithnjë e më e rëndësishme: A është Shqipëria gati të ofrojë turizëm të qëndrueshëm?

    Ky është një shqetësim i cili nuk përfshin thjesht bukurinë natyrore dhe trashëgiminë kulturore të vendit, por lidhet edhe me përgjegjësinë tonë ndaj brezave të ardhshëm.

    Shqipëria, me peizazhin e mrekullueshëm natyror, ofron një potencial të jashtëzakonshëm për turizëm të qëndrueshëm. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të shqyrtojmë se si Shqipëria mund të përfitojë nga ky potencial në mënyrë të qëndrueshme dhe të pajtueshme me nevojat e mjedisit dhe shoqërisë.

    Turizmi i qëndrueshëm në Shqipëri nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e mjedisit, por edhe me përfshirjen dhe mirëqenien e komuniteteve lokale.

    Në një kohë kur shpeshherë turizmi masiv sjell pasoja negative për mjedisin dhe kulturën vendase, Shqipëria ka mundësinë të ndërtojë një model të ri të turizmit, i bazuar në vlerat e qëndrueshme dhe respektimin e traditave lokale.

    Një pjesë e madhe e industrisë së udhëtimeve kudo në botë, nuk është e qëndrueshme, duke nisur nga kroçerat te fluturimet, te vendpushimet gjithëpërfshirëse, mbiturizmi dhe ndotja.

    Në fakt, turizmi është përgjegjës për rreth 5% të emetimeve globale të CO2 dhe tani me ndryshimin e klimës, një kërcënim shumë real për mbijetesën e planetit siç e njohim ne, kjo duhet të ndryshojë.

    Organizata Botërore e Turizmit e përkufizon udhëtimin e qëndrueshëm si “turizëm që merr parasysh plotësisht ndikimet e tij aktuale dhe të ardhshme ekonomike, sociale dhe mjedisore, duke zgjidhur nevojat e vizitorëve të saj, industrisë, mjedisit dhe komuniteteve pritëse”.

    Udhëtimi i qëndrueshëm është një mënyrë që zvogëlon ndikimin tonë negativ në planet. Kjo përfshin kujdesin për të mos dëmtuar ose për të mos ndryshuar mjediset kulturore dhe natyrore të destinacionit, në mënyrë që ato të mund të mbijetojnë në kohë të gjatë.

    Si është situata në vendin tonë?

    Me zhvillimet e fundit globale, si dhe ndryshimet klimatike është momenti i duhur që edhe në Shqipëri, aktorët e turizmit të ndërmarrin hapa konkretë drejt njohjes ndërkombëtare të standardeve të turizmit të qëndrueshëm.

    Sipas Zak Topuzit, kreu i Shoqatës së Hotelerisë, kalimi në një model turizmi më të larmishëm dhe të qëndrueshëm do të kërkojë investime të mëdha, për shembull, në marina dhe në aktivitete të orientuara drejt natyrës, qoftë kjo nga instanca shtetërore, por e ofrues privatë të shërbimeve të turizmit, duke përmendur këtu agjenci turistike, guida lokale, hotele, restorante etj.

    Por çfarë përcakton korniza ligjore? Ambicia e autoriteteve qendrore për të zhvilluar turizmin është shprehur qartë në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2015-2020. Në nivel sektorial, deri më tani, plane të tilla u përkthyen në Projekt-Strategjinë Kombëtare për Turizmin 2014-2020. Kjo strategji ka dy pika që kanë ndikuar në moszbatimin e duhur.

    Së pari, tre vjet pas diskutimit në Parlament, për shkak të vëmendjes së pamjaftueshme të kushtuar projekt-strategjisë, ajo “skadoi” në formën e saj të draftit.

    Së dyti, strategjia është e gjerë dhe synon të promovojë “gjithçka”. Draft-strategjia e parë u zëvendësua me një tjetër draft-strategji për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm 2018-2022, e cila fokusohet në turizmin e qëndrueshëm (siç pasqyrohet në titull) dhe identifikon këta objektiva kryesorë:

    (i) rritja e kontributit të turizmit në vlerën e shtuar bruto;

    (ii) promovimi i një oferte turistike të balancuar;

    (iii) rritja e punësimit në sektorin e turizmit; (iv) përmirësimi i standardeve të jetesës dhe ulja e pabarazive;

    (v) rritja e investimeve publike në sektorin e turizmit; dhe

    (vi) sigurimi i mbrojtjes ligjore dhe institucionale të turistëve. Për këtë qëllim, draft-strategjia identifikon pesë fusha kryesore të cilat përfshijnë:

    (i) zhvillimin e produkteve dhe diversifikimin e tyre; (ii) zhvillimin e burimeve njerëzore dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit;

    (iii) marketimin dhe promovimin e Shqipërisë si një destinacion turistik gjithëvjetor;

    (iv) nxitjen e investimeve private dhe publike; dhe

    (v) përmirësimin e kuadrit rregullativ dhe menaxhimin e destinacioneve.

    Përpos këtyre strategjive, korniza aktuale ligjore u jep bashkive kompetenca për të mundësuar dhe për të lehtësuar aktivitete në mbështetje të zhvillimit ekonomik lokal, me fokus të veçantë në fushën e turizmit, sikurse shprehet qartë në Ligjin nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore” dhe në Ligjin nr. 93/2015 “Për Turizmin”.

    Këto parashikime përbëjnë një zhvillim me rëndësi në vijim të Reformës Administrative Territoriale në dy drejtime:

    (i) nëpërmjet tyre, u rikonfigurua potenciali turistik i bashkive, duke hapur horizonte të reja;

    (ii) të gjitha bashkitë kanë detyrimin ligjor të hartojnë Plane të Përgjithshme Vendore, gjë që u mundëson të rivlerësojnë vizionin e tyre zhvillimor dhe objektivat strategjikë për 15 vitet e ardhshme.

    A jemi gati që të ndërtojmë dhe zbatojmë një turizëm të qëndrueshëm?

    Blerina Ago, eksperte turizmi, drejtuese e “Activ Albania”, nënvizon se menaxhimi i qëndrueshëm kërkon një partneritet publik-privat-komunitet, ngritjen e strukturave të qëndrueshme për këtë qëllim, mbështetje financiare e vazhdueshme, vizion afatgjatë, si dhe strategji e plan veprimi.

    Sipas saj, ekonomi e qëndrueshme për komunitetet do të thotë: Të ardhura për të gjithë komunitetin, shpërndarja e turistëve dhe të ardhurave, punë e denjë etj. Ndërsa qëndrueshmëria kulturore kërkon: mbrojtjen e aseteve, traditave, zakoneve dhe edukimin e qytetarëve dhe turistëve me to).

    Qëndrueshmëria mjedisore kërkon: minimizimin e të gjithë ndikimeve negative në mjedis, reduktimin e ndotjes, riciklimin, transportin e gjelbër etj.). Por znj. Ago ngre pyetjen se cilat janë objektivat që na duhet të përmbushim për të ecur në rrugën drejt turizmit të qëndrueshëm?

    1.Objektivi i mbetjeve plastike

    Mbetjet plastike përbëjnë vazhdimisht shumicën e të gjitha mbeturinave që gjenden në oqeane dhe mendohet se janë përgjegjëse për vrasjen e 100,000 gjitarëve detarë dhe breshkave çdo vit.

    Edhe pse ndikimi i mbetjeve plastike është një pikë e madhe diskutimi në sferën publike këto ditë, ku kemi një vit që kemi nisur zbatimin e ligjit për qeset plastike, por rezultojmë si vendi me mbetjet më të larta në rajon dhe me 73% të mbetjeve plastike në Mesdhe.

    Jemi ende larg zbatimit të këtij objektivi.

    Në turizëm, ndryshime të thjeshta, të tilla si përdorimi i rimbushësve për shampot, sapunët, në vend të shisheve njëpërdorimshme dhe përdorimi i plastikës së riciklueshme kudo që të jetë e mundur, të gjitha mund të ndihmojnë shumë në reduktimin e kontributit të bizneseve në çështjet e mbetjeve plastike.

    Gjithashtu, ofrimi i pastrimit si bashkërendim i bashkisë lokale dhe bizneseve private.

    2.Ulja e mbetjeve ushqimore

    Ushqimi është një pjesë tjetër e madhe e emetimeve të karbonit në industrinë e mikpritjes dhe një fushë tjetër e mirë për t’u rishikuar, kur po kërkoni të ndërtoni një biznes më të qëndrueshëm. Mbetjet e ushqimit – një tjetër çështje e madhe me ndikim mjedisor në industrinë e mikpritjes – duhet të adresohen sa herë që kërkojmë të vendosim objektiva të tillë.

    Gatimet vegane dhe vegjetariane janë më të njohura se kurrë sot dhe me ushqimet me bazë bimore që prodhojnë 10 deri në 50 herë më pak emetime karboni sesa pjatat e mishit, vendosja e opsioneve tuaja pa mish përpara dhe në qendër në kateringun tuaj do të bëjë një ndryshim të madh në qëndrueshmërinë e përgjithshme të biznesit tuaj.

    3.Më pak kesh, më shumë transaksione dixhitale

    Megjithëse zgjidhjet e pagesave dixhitale nuk janë gjëja e parë që ju vjen në mendje kur mendoni t’i bëni bizneset më të qëndrueshme, zvogëlimi i varësisë suaj nga paratë dhe të letrës në tërësi, p.sh. menunë, është një mënyrë jashtëzakonisht e lehtë për të reduktuar gjurmën tuaj të karbonit.

    Ndërsa i afrohemi një shoqërie pa para kesh në të gjithë botën, kompanitë e mikpritjes që përqafojnë në mënyrë proaktive këtë ndryshim, do ta gjejnë veten përpara kurbës së qëndrueshmërisë së biznesit.

    Megjithëse heqja e parave plotësisht nga bizneset në Shqipëri p.sh., mund të mos jetë praktike, ka ende për t’u zhvilluar në këtë drejtim sa i përket edukimit financiar të shqiptarëve, sidomos nëse bëhet fjalë për moshat e mesme. Por ndryshim rrënjësor do të bënte zëvendësimi i menuve të letrës.

    4.Ulja e përdorimit të ujit

    Bizneset e mikpritjes përballen me një sfidë unike kur bëhet fjalë për ruajtjen e ujit, pasi, në shumicën e rasteve, pjesa e përdorimit të ujit kontrollohet nga turistët, jo nga stafi. Dhe si mundet një turisti në sezonin e verës dhe vapës t’i mësohet që uji duhet kursyer?

    Gjithnjë e më shumë hotele kanë filluar të përqafojnë praktikën e edukimit të turistëve për qëndrueshmërinë e ujit dhe duke u kërkuar atyre që të përdorin ujin në një mënyrë më të ndërgjegjshme. Në Shqipëri është pak ose aspak e zbatueshme, sidomos po të marrim në konsideratë rastet e mungesës së furnizimit me ujë në disa struktura akomoduese.

    5.Mbështetje furnizuesve lokalë

    Për shkak të kostove të reduktuara logjistike, sjellja e më shumë furnizuesve lokalë në zinxhirin tuaj të furnizimit kudo që të jetë e mundur, mund të bëjë mrekulli si për gjurmën tuaj të karbonit, ashtu edhe për perceptimin publik të markës suaj.

    Sa shumë trumbetohen ushqimet autoktone shqiptare dhe burimet lokale para turistëve të huaj? Do të ishte koha që çdo restorant, hotel, të marrë në konsideratë fruta-perimet lokale, mishin në thertoret lokale para se t’i drejtohet produkteve të importit, ku kostot dhe logjistika është më e lartë.

    Duke përqafuar një zinxhir furnizimi më të lokalizuar dhe duke e shfaqur këtë fakt, do të jeni në gjendje të kënaqni turistët dhe të reduktoni emetimet e karbonit që biznesi juaj prodhon për të funksionuar.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit