Sipas disa burimeve mediatike afër opozitës, Edi Rama këtë të premte duhej që të ishte i pranishëm në Forumin e Sigurisë që mbahet në Mynih, por kryeministri u shfaq në krah të Dashnor Sulës, me prezantimin zyrtar si kryeinspektor.
Ramës i është anuluar ftesa nga organizatorët e Konferencës së Mynihut, sipas kreut të PD, i cili vetë është non grata në SHBA dhe Britaninë e Madhe për korrupsion.
Në vend të Ramës, në Mynih u shfaq Taulant Balla.
“Edi Rama sot që kishte prenotuar hotele, salltanete dhe bëhej gati komunikata të parafabrikuara të na dërgonte nga konferenca më e rëndësishme vjetore e sigurisë në botë, që është Konferenca e Mynihut, nuk shkoi dot. Ai dhe ekipi i tij nuk u nis dot për Mynih, e anuloi”, tha Berisha.
Sipas liderit demokrat, Ramës i kanë anuluar ftesën për shkak të qëndrimeve të tij në mbrojtje të Ballukut.
Vetë Rama nuk ka bërë ndonjë koment, për mungesën e tij në Mynih.
Për momentin nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga organizatorët e Konferencës së Sigurisë në Mynih (Munich Security Conference 2026) që ftesa për kryeministrin Edi Rama është anuluar.
Burimet nuk kanë publikuar ndonjë listë apo njoftim zyrtar që konfirmon tërheqjen të ftesës apo ndonjë refuzim institucional.
Konferenca pritet të zhvillohet deri më 15 shkurt 2026, me pjesëmarrje të shumë krerëve të shteteve, ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes, por lista zyrtare e pjesëmarrësve për përfaqësuesit qeveritarë të vendeve të veçanta zakonisht publikohet vetëm nga organizatorët ose nga palët zyrtare vetë.



