Nga Çapajev Gjokutaj
Fasulet e krimit dje, fasulet e krimit sot e mot!
Dje pasdite po ngisja drejt Tiranës kur radioja nisi të japë lajmet. Tre të parët ishin për përgjakjen afër shkollës ‘Fan Noli’ ku u ther një 14 vjeçar ndërsa agresori mori disa plagë. Lajmi i katërt ishte për vrasjen e një 27 vjeçari pak pas mesnatës po në Tiranë. I pesti kishte subjekt përpjekjet e policisë për të gjetur vrasësin e biznesmenit të ndërtimit që para 3-4 ditësh u qëllua natën nga katet e sipërme me një plumb në kokë.
I nervozuar deri në bezdi gjeta një kanal që transmetonte muzikë, por e kisha të vështirë të ndiqja Çelentanon ndërsa këndonte ‘Buona sera signorina’. Ç’është kështu, vazhdoja në timen, redaksi lajmesh apo komunikatë komisariati policie?
Emisione të tilla lajmesh të bëjnë të mendosh se jetojmë në një vend që s’prodhon gjë tjetër veçse vrasje, vjedhje, zënka e shamata. Dhe s’di kujt t’ia vësh fajin: realitetit, gazetarëve që i bien shkurt e s’gjejnë lajme të tjera, pëlqimeve të dëgjuesve e spektatorëve apo inercisë provinciale: fasulet e krimit dje, fasulet e krimit sot e mot.
Rendja me përparësi ndaj lajmeve policore rrezikon të krijojë iluzionin se krimbi i krimit ka hyrë në indin e shoqërisë, se vrasjet, vjedhjet, rrahjet, aksidentet e përgjakuara janë bërë normë dhe s’janë më përjashtim. Doemos që, po e bëre tëndin këtë iluzion, e ke lehtë ta pranosh krimin dhe pastaj, si hap i dytë e larg qoftë, nuk e ke dhe aq të vështirë ta bësh: në fund të fundit si të gjithë…
Natyrisht për ngjarje tronditëse si përgjakja tek Fan Noli fajtorë në radhë të parë janë mësuesit, policia, prindërit, fëmijët, rrjetet sociale, por s’mbetet jashtë përgjegjësisë edhe shoqëria në përgjithësi. Fillon kjo piramidë nga deputetët që e shohin kundërshtarin jo si konkurent po si armik dhe, të popullarizuar me përparësi nga media, nxisin gjuhën e urrjetjes e kulturën e dhunës dhe zbret deri poshtë tek komunitetet e fëmijëve shpesh të prekuara nga agresiviteti e bullizmi.
Ndaj në ditë të tilla, veç informimit e analizës së shkaqeve, veç keqardhjes dhe akuzave kërkohet edhe pak, sadopak pendesë, secili për pjesën e vet të përgjegjësisë a të fajit.