Nga Paolo Valentino
Korrespondent i Corriere Della Sera në Gjermani
Ofensiva kundër Ukrainës deri më tani i ka kushtuar Rusisë mbi 10 mijë të vdekur. “Ne kemi pasur një numër të jashtëzakonshëm viktimash: në vetëm një javë kemi humbur të njëjtin numër ushtarësh si misioni në Siri në tetë vjet”, thanë burimet ushtarake ruse për të përditëshmen italiane “Corriere della Sera”.
Nëse konfirmohet, do të ishte një shifër e frikshme, e cila flet shumë për vështirësitë që po has ushtria e Kremlin-it, pavarësisht epërsisë dërrmuese të mjeteve dhe njerëzve.
Por mbi të gjitha do të ishte një shifër që përforcon problemet e Vladimir Putin, duke u përballur me bastin më të madh në jetën e tij. Atë që mund ta shuguronte si restaurues të Rusisë së Shenjtë, carin e ri që bashkoi “Russkij Mir-in”, siç e ëndërron. Por edhe atë që mund t’i jepte një goditje të fortë prestigjit dhe autoritetit të tij, deri në atë pikë sa t’i lëkundej pushteti.
Raportet nga terreni thonë se komandat ruse kanë ndryshuar taktikat dhe se tani linja e sulmit po bëhet më brutale, më pak e vëmendshme ndaj kostove civile të bombardimeve. “Putin-i do një fitore ushtarake dhe e do shpejt, pushtimi i Kievit është bërë prioritet”, thonë burimet, sipas të cilave ndryshimi i regjimit nga brenda, me rrëzimin e Zelenskit, i treguar si objektiv në fillim, nuk është më në majën e dëshirave të Kremlini-t. Përkundrazi “Një fitore ushtarake do të bënte të mundur që të diktohen kushtet për negociatat me qeverinë aktuale”.
A është Vladimir Putin solid, në piedestalin e deritanishëm të paprekshëm dhe të paprekur nga i cili, për më shumë se dy dekada, ai ka “mbretëruar” mbi vendin që ka njëmbëdhjetë zona kohore? Apo do të jetë i vërtetë edhe për të ligji i pashkruar i autokratëve dhe diktatorëve, fati i të cilëve shpeshherë ndërthuret me aventura ushtarake?
Përgjigja e parë e shumë analistëve është se Putin-i është ende në kontroll të plotë të të gjitha levave të pushtetit dhe gjithashtu ka një bërthamë të fortë në opinionin publik, i cili mbështet zgjedhjet e tij edhe falë forcës dhe depërtimit të propagandës së tij.
“Ka fuqi totale – thotë një menaxher italian prej shumë vitesh në Rusi – dhe edhe nëse situata po i shtyn disa nga oligarkët të shprehin pakënaqësi, këto zëra aktualisht nuk kanë asnjë anë politike apo ushtarake”.
Natyrisht, ajo që e bën të fortë është edhe një skepticizëm bazë që përshkon një pjesë të popullsisë ruse për mundësinë e një ndryshimi: «Bombardimi i Kievit është një tronditje për shumë rusë, të cilët kanë të afërm ose miq atje. Por shumica nuk protestojnë, ka një apati, sepse janë të bindur se është e kotë, se gjithçka është vendosur tashmë nga Putin-i dhe pesë a gjashtë ndjekësit besnikë që e mbështesin atë”.
Por askush nuk i mohon kërcitjet, dridhjet, shenjat se diçka po lëviz brenda një vendi që po zbret në mënyrë progresive drejt një faze pasigurie, vështirësie ekonomike dhe izolimi nga bota.
Janë 6 mijë arrestimet e forcave të sigurisë në pak ditë në demonstrata spontane. Është emocioni i peticioneve dhe letrave të hapura, samizadt-ët modernë kundër luftës që lulëzon nga njëri skaj në tjetrin, duke shtuar atë të kundërshtarit Lev Schlossberg që mblodhi 700 mijë firma.
Këto janë qëndrimet pacifiste të disa oligarkëve si Fridman dhe Deripaska, të 300 përfaqësuesve të zgjedhur vendas që kërkojnë të negociojnë, të figurave sportive dhe të spektaklit, të tre deputetëve komunistë të Dumës, të cilët thanë se kishin votuar për njohjen e dy republikave të Donbasit “në emër të paqes dhe jo të luftës”.
Ose dhjetëra mijëra postime në rrjetet sociale, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund agresionit. Dhe janë lulet, mijëra buqeta të depozituara përpara ambasadës së Ukrainës në Moskë.
“Unë besoj se Putini mund të bjerë, por jo tani, kërkon kohë,” thotë Valerij Solovei, shkencëtar politik dhe historian i cili drejtoi Departamentin e Çështjeve Institucionale në MGIMO-në e famshme, Instituti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Universitetit të Moskës, përpara se të pushohej nga puna për pikëpamjet e tij të pavarura.
Sipas studiuesit, “situata është e destinuar të përkeqësohet, lufta në Ukrainë prek ndërgjegjen dhe standardin tonë të jetesës dhe do të ketë pasoja të rënda sociale dhe ekonomike, të cilat mund të çojnë në krizë politike”.
Solovei e konsideron pakënaqësinë e elitave, oligarkëve dhe sipërmarrësve, një faktor të rëndësishëm dhe vendimtar: “Për momentin ata nuk janë gati të flasin me zë të lartë, por nëse kjo valë vazhdon, ata mund të bashkohen, kanë lidhje me disa grupe politike dhe së bashku ata mund të bëjë presion të jashtëzakonshëm ndaj Putin-it. Por kjo nuk do të ndodhë para vjeshtës, regjimi është i fortë dhe po shtrëngon vidhat e represionit, ai tashmë ka treguar se nuk është i gatshëm të tolerojë asnjë disidencë”.
Bëhet fjalë gjithashtu për besnikërinë e aparateve të sigurisë, mbi të cilat Putin aktualisht ruan dominimin e plotë dhe të pakontrollueshëm: “Ai do të ishte në rrezik nëse elitat e kuptojnë se ai nuk ka më mbështetjen e shërbimeve dhe në të njëjtën kohë do të ndodhnin protesta masive nga popullata e pakënaqur”, thotë Abbas Gallyanov, një analist i cili ishte shkrimtar i fjalimeve për Putin-in dhe tani punon si konsulent i pavarur politik. Dhe shton: “Nëse do e shihnin të dobësuar mjaftueshëm dhe nëse e do të ishin të bindur se mund ta bënin pa rrezik, atëherë elitat mund ta tradhtonin Putin-in. Por kjo nuk do të ndodh nesër”.
Siç na mëson historia, kur Rusia hyn në një periudhë “smutnoe vremya”, një periudhë telashesh, janë boyard-ët (elitat) ata që përfundojnë duke hequr qafe Carin.