Nga Adriatik Doçi
Gazetarët Carlo Bollino dhe Ilir Babaramo kanë një bashkëpunim prej më shumë se dy dekada. Gezetari dhe botuesi Babaramo ka disa vite që mban qëndrime kritike ndaj qeverisë. Kjo është jo vetëm një e drejtë e tij, por edhe në interes të publikut. Në fund të fundit, qeveria është probelmi, ndonëse opozita shqiptare mund të jetë e vetmja në planet që pasurohet më shumë se sa pushteti.
Qëndrimet kritike ndaj qeverisë, herë me komente dhe herë me pyetje, z. Babaramo i ka shpërfaqur sistematikisht në ekranin e Report Tv, me pronar Carlo Bollino, i cili në vlerësimin tim nuk është thjeshtë një gazetar dhe botues, por një institucion profesionalizmi dhe shkollë gazetarie në Shqipëri.
E vërteta e thjeshtë është se gazetari Babaramo, vitet e fundit edhe botues, ka qenë i lirë për të kritikuar qeverinë në ekranin e Report Tv, madje edhe në platfomën online Shqiptarja.com. Nisur nga këto rrethana, pretendimi që Carlo Bollino largoi nga Report Tv Babaramën se kritikoi apo shau qeverinë, besoj se është thjeshtë një mashtrim, por mund të jetë edhe një skenar viktimizimi ndoshta për t’u punësuar në një televizion tjetër.
Nëse vendimi për të larguar gazetarin Babaramo nga Report Tv është marrë për shkak të qëndrimeve të tij kundër qeverisë, natyrshëm lind pyetja; Pse nuk e larguan para disa vitesh, muajsh apo kur ka mbajtur qëndrime edhe më të ashpra?!
Kam punuar disa vite pranë Report Tv. Shumica e kolegëve të mi, për të cilët kam një vlerësim maksimal si profesionistë dhe tejet njerëzorë, ishin dhe janë me PD-në. Janë edhe sot pjesë e Report Tv. Disa janë larguar me vullnetin e tyre. Të tjerë janë rikthyer. Nuk ekziston një rast i vetëm largimi për bindje apo qëndrime politike.
Po, ka pasur largime. Ka pasur largime për gjendje të dehur të përsëritur, për dembelë dhe për shkelje të rënda etike siç duket se është rasti i z. Babaramo, i cili i tha kolegut të tij Denis Minga në studio se merrte udhëzime në kufje, një praktikë nuk ekziston në Report Tv, aq më tepër me z. Minga, i cili është kritik me politikën në tërësi.
Nuk e di nëse zhurma politike dhe mediatike rreth largimit të z. Babaramo nga Report Tv ka si qëllim vetëm sulmin politik ndaj z. Carlo Bollino për shkak të investigimit dhe ekspozimit të aferave tē Familjes Berisha apo pas kësaj zhurme fshihet edhe plani për kalimin e z. Babaramo tek Syri Tv, duke eklipsuar Çim Pekën.



