Partia Demokratike u mblodh sërish këtë të hënë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, ku u mbajt “Foltorja” e radhës.
Në fjalën e tij, kreu i PD-së Sali Berisha, hodhi akuza ndaj policisë se ka ushtruar dhunë në në komisariate ndaj adoleshentëve, pas protestës së 10 shkurtit.
Më tej kreu i PD-së, tha se nuk do të do të tolerohet asnjë keqtrajtim ndaj qytetarëve.
“Dënoj me forcë dhunën që është ushtruar në komisariatet e policisë ndaj adoleshentëve, si dhe histerinë në Parlament të deputetëve socialistë në mbrojtje të tyre. Nuk do të tolerohet asnjë keqtrajtim ndaj qytetarëve në përgjithësi dhe të rinjve në veçanti”, tha ai.
Po ashtu, kryedemokrati, lëshoi edhe një paralajmërim për një oficere policie, që sipas tij është paraqitur si psikologe para adoleshentëve. Berisha tha se do ta gjejnë se cila është punonjësja e policisë.
“I them oficeres që paraqitej si psikologe para adoleshentëve: do të të gjejmë se kush je. Para se të kryeje atë veprim, duke u paraqitur me uniformë mashtrimi, duhet të kujtoje se je motër, nënë, bashkëshorte. Nuk mund ta bëje kurrë atë para adoleshentëve dhe të rinjve shqiptarë”, deklaroi Berisha.



