Kreu i Lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, tha në emisionin “Opinion” se kryeministri Edi Rama i ka ofruar tre poste në qeveri, të cilat ai i ka refuzuar. Lapaj, i cili prej disa ditësh proteston para kryeministrisë tha se bëhet fjalë për postin e zv/kryeministrit dhe të dy ministrive.
Adriatik Lapaj: Jeni dëshmitarë si Edi Rama dhe gjithë enturazhi i vjetër bënë çdo gjë që pasi unë në emër të ekipit të Lëvizjes Shqipëria Bëhet i refuzova me vendosmëri për t’u bërë pjesë e asaj qeverie përdorën atë person.
Blendi Fevziu: Nuk ka asnjë konfirmim që Rama t’ju ketë kërkuar të bëheni pjesë e qeverisë?
Adriatik Lapaj: Të dalë ta kundërshtojë dhe ja tregoj unë pastaj ku dhe si.
Blendi Fevziu: Çfarë ju ka kërkuar ju Rama?
Adriatik Lapaj: Të dërguarit e tij tre pozicione në qeveri, në të cilën zv/kryeministër dhe dy ministri, ndër të cilat Ministrinë e Bujqësisë. I donte në kuadër të integrimit europian për të bërë 84 vota të shëndetshme dhe për të dhënë mesazhin që shiko ne nuk bashkëpunojmë me opozitën e vjetër të Saliut por me këta të rinjtë që kanë dalë të tretët dhe janë të parët nga forcat e reja dhe jemi të gatshëm për të krijuar një qeveri me bazë të gjerë në funksion të integrimit europian. Ky ka qenë koncepti. Ne i thamë jo dhe pastaj përdorën çdo mekanizëm për të ndaluar futjen tonë në parlament, praktikisht timen.



