5.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Aeroporti i Rinasit, rruga Thumanë-Kashar, Porti i Durrësit, Porti i Vlorës, a janë afera të Milleniumit?!

    Në 3 dekada tranzicion Shqipërinë fjala ‘aferë’ në kuptimin pezhorativ të saj është përdorur rëndom nga politikanët për të sulmuar rivalët e tyre. Aq afera kanë shoqëruar shqiptarët, sidomos këto kohë, sa edhe vetë kjo fjalë është zhvlerësuar.

    Flasin për aferë korruptive të vitit, të dhjetëvjeçarit, të tre dekadave e madje edhe të shekullit. Kështu e kanë cilësuar Sali Berisha e Ilir Metës shpesh çështjen e inceneratorëve, duke sjellë shifra herë 50 mln euro, herë 120 mln e herë 400 mln euro.

    Çështja meriton të hetohet nga drejtësia dhe për këtë hetimet kanë nisur, por nëse krahasohet me disa koncesione e favorizime të tjera që Qeveria ka dhënë për oligarkët vitet e fundit, inceneratorët tingëllojnë si një pikë e vogël në oqeanin e korrupsionit.

    Bëhet fjalë për çështje që jo vetëm nuk hetohen, por edhe kur shkeljet janë sheshit, Berisha e Meta heshtin. Heshtja e tyre nuk lidhet me padijeninë, por me lidhjet e fijet e nëndheshme që kanë më shumicën e oligarkëve që kanë përfituar nga këto afera, që në total shkojnë miliarda euro dëm shtetit.

    Kashar-Thumanë, rruga e florinjtë

    Por cilat janë këto afera? I pari është koncesioni për të cilin Ministria e Infrastrukturës sapo hapi garën; ndërtimi i rrugës Milot-Fier. Në total, ky aks pritet që t’u kushtojë taksapaguesve shqiptarë të paktën 1.2 miliard euro, ose thuajse 10 për qind e PBB-së.

    400 mln do të kushtojnë vetëm 20 kilometra rrugë që i është dhënë me koncesion Gener 2 dhe Bashkim Ulajt. Ministrja Balluku thekson vazhdimisht në daljet televizive se rruga do të ndërtohet nga paratë e privatit, ndërsa ka dyshime se kostoja e ndërtimit është fryrë për të justifikuar kohëzgjatjen e koncesionit, plot 30 vite.

    Drekë falas nuk ka dhe ata që do ta paguajnë janë shqiptarët, fillimisht përmes buxhetit të shtetit që do të mbulojë për 8 vite mungesën e mundshme të trafikut dhe më pas përmes pagesës për çdo herë që do ta kalojnë në rrugë.

    Nga plani i biznesit që ka dorëzuar, Gener 2 parashikon që brenda 30 vitesh të arkëtojë vetëm si fitime rreth 1.5 miliard euro, një shifër tre herë më e lartë se totali i shifrave për të cilat flet Sali Berisha dhe Ilir Meta për inceneratorët.

    Aeroporti i Vlorës, falja e pronës publike

    Në Vlorë u hap këto ditë kantieri për ndërtimin e portit të ri të mallrave dhe pasagjerëve, ku pjesëmarrës ishte edhe Edi Rama. Porti do të ndërtohet po nga kompani private, por që do të sigurojë shpenzimet e kryera përmes tarifave që do të mbledhë me përfundimin e portit.

    Porti aktual do t’i falet Samir Manes për 1 euro për të ndërtuar një port jahtesh, por edhe rezidenca e luksoze e hotele në pronë publike. Mane merr nga shteti rreth 50 mijë metër/katrorë truall publik, që sipas projektit të publikuar do ta shndërrojë në mbi 160 mijë metër/katrorë ndërtim, me çmim mesatar shitjeje mbi 700 euro metri.

    Pra, vetëm nga shitja e tyre, Mane ka të garantuar mbi 110 milionë euro para dhe veç të tjerave do të gëzojë pronësinë e dy hoteleve që do të ngrihen në një nga zonat më të lakmuara të Vlorës, si dhe do të sigurojë tarifat për jahtet që do të ankorohen në portin e ri.

    Porti i Durrësit, afera 2 mld dollarëshe

    Porti i Durrësit është edhe më flagrant si rast. Pasi prezantuan kompaninë arabe Emaar, Edi Rama dhe ministrja Balluku kanë deklaruar se bëhej fjalë për një investim 2 miliardë dollarësh.

    Por, disa ndryshime që kanë ndodhur rrugës ngrenë dyshime nëse pas këtij projekti janë vërtet arabët. Kompania që është regjistruar në QKR si zbatuese e projektit rezulton e regjistruar në parajsa fiskale, pra që nuk i dihet pronari fundor.

    Një tjetër e dhënë ngre dyshime për një aferë korruptive të mirëfilltë pasi në projekt është i përfshirë indirekt Erion Isufi, kunati i Lulzim Bashës. Për zbatimin e tij porti aktual i Durrësit po zhvendoset gradualisht në Porto Romano, ku me një laps dorovitet edhe Shefqet Kastrati, që zotëron këtë port.

    Pra, efektet financiare zinxhir të kësaj afere shkojnë përtej 2 mld euroshit fillestar, që thuhet se do të investohet për ta bërë Durrësin me port jahtesh dhe konkurrues në Mesdhe për tërheqjen e turizmit elitar.

    Aeroporti i Tiranës, koncesioni i miliardave

    Kur e bleu nga kinezët për 70 mln euro, Shefqet Kastrati u prezantua nga Qeveria si investitori që do të përmirësonte shërbimet, kryente investime, rriste kapacitetet dhe për më tepër hiqte nga kontrata pikën abuzive të vendosur që në 2004-n të ekskluzivitetit të uljes së fluturimeve në vend, që më pas t’i hapte rrugë aeroportit të Kukësit.

    Çfarë humbi Kastrati nga kjo? Asgjë, përkundrazi ai doli edhe më i fituar për faktin se edhe aeroportin e Kukësit ai e menaxhon. Si të mos mjaftonte kjo, Qeveria i zgjati edhe kontratën sepse Kastrati premtonte që të kryente 100 mln euro investime në terminal.

    Ajo që u prezantua pak ditë më parë ishte ‘maskarallëku’ i një investimi të rëndomtë, që në realitet nuk shkon as 10 mln euro, por në letra është faturuar 100 mln të tilla. Terminali i ri që u prezantua është ndarja përgjysmë e terminalit të vjetër, me ndryshimin e bojës, pllakave e ambienteve pritëse për udhëtarët.

    Sipas deklaratës së ministres Balluku, aeroporti pret që ta kalojnë këtë vit rreth 5 mln pasagjerë. Secili prej tyre paguan tarifa shërbimesh direkt për Kastratin 10 euro, që do të thotë se vetëm nga kjo tarifë me fitim neto 100 për qind, investimi i faturuar prej 100 mln eurosh mbulohet brenda dy viteve.

    Favorizimi nuk mbaron me kaq. Qeveria hapi tender dhe vendosi që t’i ndërtojë edhe rrugën aeroportit për të zgjidhur ngërçin e trafikut në Rinas, po dështimit me eksperimentin për ta lënë këtë aks me një drejtim, vetëm vajtje në aeroport.

    Aeroporte, porte e investitorë strategjikë

    Aferat e tjera lidhen me investitorët strategjikë, ligji përmes të cilit po grabiten pronat publike në bregdet në mënyrën me abuzive të mundshme nga ana e oligarkëve që shfrytëzojnë pushtetin e parëse për të siguruar pushtet në vendimmarrjen e qeverisë.

    Por, për asnjërën prej tyre Sali Berisha dhe Ilir Meta nuk kanë folur konkretisht. Sa herë që dalin për të denoncuar korrupsionin e Edi Ramës, e bëjnë atë përmes fletushkave që i paraqesin si prova të transaksioneve me disa qindra mijëra euro, kur para hundës së tyre po grabiten miliarda.(Vox News)

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit