Ish-deputeti Myslim Murrizi ka nxjerr gjobën 100 milionë euro që Dogana Shqiptare i vendosi kompanisë kineze Bankers Petroleum Albania, vite më parë, por që në vend që paratë të shkonin në arkën e shtetit, ministrja e kohës Anila Denaj e fali.
“Kjo eshte gjoba 100 milion euro ndaj kompanisë BANKERS PETROL qe ne menyre te kundraligjshme haptazi arbitrare dhe korruptive nuk eshte paguar kurre nga kjo kompani se ja ka “falur” ish ministrja e financave Anila Denaj.
Askush nga opozita ende nuk ka belbezuar nje fjalë te vetme se keta te PS nuk guxojne te flasin aq me shum kur Anila eshte dhe e preferuara e kreut te organizates.
100 milion euro jan shum me shum se sa 4-5-6-7 apo 8 D, K, KR qe beni sikur keni zbuluar planet tjeter. 100 milion euro gjobe e “ falur” nga nje minister qe nuk ka asnje te drejte te fali gjoba eshte vjedhje hapur e taksave qe duhet te ishin derdhur ne arken e Shtetit“, shkruan Myslim Murrizi.
Prokuroria e Fierit zbarkoi javë më parë në zyrat e “Bankers Petroleum Albania” me 14 masa sigurie, 9 prej të cilave janë ekzekutuar, nën dyshimet se ka përdorur një skemë të mirëfilltë evazioni fiskal duke i bërë një dëm të konsiderueshëm financiar shtetit shqiptar.
Por 6 vite më parë ka qenë vetë shteti shqiptar që i ka falur kompanisë së drejtuar nga kinezët, një gjobë të majme prej 104 milionë euro, me kursin e sotëm të këmbimit 104 miliardë lekë.
Sipas dokumenteve, kompania “Bankers Petroleum” është gjobitur nga 3 inspektorë të Hetimit Doganor, pas Akt-Kontrollit Nr. 290345 Prot., datë 13.12.2016 dhe Akt Kontrollit e Proces-Verbalit të datës 22.09.2017, megjithëse refuzoi të lejonte kontrollin në depot doganore.
Vendimi për gjobë, është marrë i mbështetur në prova për evazion fiskal e kontrabandë, nëpërmjet fshehjes së prodhimit dhe import-eksporteve fiktive, që “Bankers Petroleum” bënte e vazhdon të bëjë me depot doganore.
Pas ankimesh e trajtimesh gjyqësore, gjoba me vlerë totale 104 milionë Euro, ka qëndruar në fuqi si “Titull ekzekutiv” deri më 16 korrik 2019, por pa u paguar nga “Bankers Petroleum”, për shkak se institucionet ligj-zbatuese nuk janë lejuar të vepronin me masa shtrënguese (sekuestro bankare).
Më 17 korrik 2019, nga regjistri doganor, në rubrikën “Debitorët dhe gjobat”, rezultoi se ishte hequr gjoba 104 milionë Euro, detyrim i pashlyer nga kompania “Bankers”, pa dhënë asnjë sqarim publik.
Edhe pse ky krim financiar u mbajt sekret, u zbulua se ish-Drejtori i Doganave, Arlind Gjokutaj, në shkelje të plotë ligjore, kishte fshirë gjobën jo me vendim gjyqësor apo me ligj amnistie, por me Rekomandim Nr. 13646 Prot., datë 17 korrik 2019 të Ministres së Financave Anila Denaj.
Fakti që gjoba 104 milionë Euro, u fshi me “shkresë-rekomandim” të ministres dhe zbatim antiligjor të Drejtorit të Doganës, është konstatuar e cilësuar si skemë e paramenduar dhe e organizuar krimi financiar, në favor të kompanisë “Bankers Petroleum”, ndaj në vitin 2022 SPAK ka marrë në dorë këtë rast dhe ka kërkuar “llogari” nga institucionet e lartpërmendura për zhdukjen e gjobës dhe procedurën e heqjes së saj.