Agron Shehaj ka kërkuar mbylljen e RTSH-së, për të kursyer 1 miliard euro.
“Një televizion publik që nuk e shikon askush, nuk e ndjek askush, dhe nuk ka asnjë ndikim real,shpenzon 30 milionë euro në vit nga taksat tuaja. Vetëm një shembull nga shumë të tjerë. Kështu i kursej unë Shqipërisë 1 miliard euro në vit, duke ndalur abuzimin, jo shërbimin;duke larguar parazitët, jo mësuesit e mjekët”, shprehet Agron Shehaj.
Atij i është përgjigjur gazetari Lutfi Dervishi.
“Ideja që RTSH duhet mbyllur është po aq e vjetër sa disa programe të saj. Është refreni i zakonshëm i një shoqërie që, përballë çdo problemi, mendon me gërshërë: “Preje!”
Por sfida e vërtetë nuk është ta mbyllësh, por ta kthesh në jetë. Jo në një jetë zombish televizivë që lexojnë teleprompterin, por në një media publike, që i përket… publikut.
Sot më shumë se kurrë, ka nevojë për një ekran që nuk e mat suksesin me klikime, që nuk i shërben partive, por publikut, dhe që nuk e sheh shikuesin si konsumator memesH.
Mbyllja është sport popullor, të gjithë e dinë si bëhet. Por ndërtimi i diçkaje që ngre nivelin kulturor e informues është një sport elitar; jo nga arroganca, por nga dëshira dhe etja për cilësi në një det meskiniteti e mediokriteti.
E keqja është gjithmonë më e shpejtë, më me zë, më me ngjyra, më virale, madje edhe më interesante po të duash. Por nuk është arsye për t’i dorëzuar flamurin.
Po, banaliteti është bërë luks, shitet kudo, pihet me pije energjike dhe vishet me fjalë anglisht. Por në një vend ku finesa duket si gabim drejtshkrimi, RTSH mund dhe ka potenciale të bëhet vendstrehimi i arsyes, dinjitetit dhe inteligjencës.
Po, ka shumë pluhur mbi RTSH, por pluhuri nuk hiqet me buldozer. Duhet pastrim, vizion dhe mbi të gjitha: guxim për të mos i rënë shkurt.
Sepse kur çdo gjë tjetër bërtet, si të marrët që kanë marrë kot, duhet dikush që të thotë diçka me mend. Dhe nëse kjo nuk vjen nga televizioni publik, atëherë nga kush e pret të vijë?
Pra i duhet dhënë mundësi, aq më tepër në kohëra kur logjika duket se ka marrë lejen e zakonshme”, thotë Dervishi në reagimin e tij.