Këtë vit, Agroni nuk përfiton më naftë me skemë të rimbursuar. Qeveria i’a hoqi edhe atë pak mbështetje që kishte fermeri për të punuar tokën me naftë më të lirë. Agroni, sot e blen naftën me 185 lekë, njësoj si ai djali i politikanit që nget një makinë luksoze të blinduar. Agroni është rreth të 70-at, pensioni nuk i del, fuqia po i bie, dhe me 185 lekë çmimin e naftës nuk e përballon dot.
Paralelisht me Agronin, në Shqipëri marrin naftë dhe pronarët e jahteve, por 60 lekë më lirë se ai. Së fundmi, mediat e lidhura me pushtetin, po shesin si lajm dhe “boom turistik” ankorimin e dy jahteve të themeluesit të “WhatsApp”, Jan Koum. Jahtet do të furnizohen me mijëra litra naftë, të cilat mund t’i ishin dhënë Agronit dhe fermerëve të tjerë me 125 lekë për litër.
Mirëpo, qeveria nuk e do Agronin që punon tokën, dhe fermerët e blegtorët që i japin 20% të ardhura buxhetit të shtetit. Qeveria do pronarët e jahteve që vijnë e marrin naftën thuajse falas, ndotin ujërat me shkarkimet e tyre dhe nuk i japin shtetit asgjë mbrapsht.
Burimet tona natyrore duhet t’i gëzojnë shqiptarët. Jemi ndër vendet më naftëmbajtëse në Europë, por kemi naftën më të shtrenjtë për shqiptarët. Jemi vendi që furnizojmë rajonin me naftë, pronarët e jahteve, por monopoli i krijuar në Shqipëri bën që shqiptarët t’a blejnë naftën sikur të ishin miliarderë. Këtij abuzimi i duhet dhënë fund.
Agroni duhet furnizuar me naftë për të punuar tokën, për të çuar nipërit në shkollë apo për të shijuar një fundjavë me familjen.