21.5 C
Tirana
E martë, 19 Gusht, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Air Albania drejt falimentit?

    Anulimi i fluturimeve të programuara nga Tirana drejt Ljubljanës, i cili do të shënonte rikthimin e një linje të mbyllur prej pesë vitesh, është ndoshta fotografia më e qartë e gjendjes ku ndodhet sot Air Albania. Në njoftimin për mediat, aeroporti slloven e justifikoi vendimin me problemet financiare të kompanisë shqiptare, që është dhe episodi i radhës kur kompania shfaq probleme me bileancet e saj.

    Rreth një muaj më, punonjësit e Air Albania denoncuan shkeljet flagrante ligjore, vonesa të pagave, mosshlyerje sigurimesh për 11 muaj, pushime të padrejta dhe mbi të gjitha, cenim të rëndë të sigurisë së pasagjerëve.

    Ata pretenduan se mbi 11 muaj sigurimet shoqërore nuk u ishin paguar, ndërsa shumë prej tyre kanë marrë me vonesë 2 deri në 3 paga mujore. Lista e të larguarve përfshin pilota, drejtues teknikë, inxhinierë dhe ekuipazh kabine, shumica prej të cilëve pa arsye zyrtare, ose për shkak të presionit dhe mospagesave të vazhdueshme.

    “Siguria e pasagjerëve dhe e vetë punonjësve është cenuar rëndë. Presioni psikologjik, mungesa e pagave, mungesa e respektit për standardet operacionale kanë krijuar kushte që rrezikojnë jetën e qytetarëve”, thuhej në deklaratë.

    Punonjësit i bënë thirrje direkte kryeministrit Rama dhe institucioneve shqiptare për: Hetim të plotë të shkeljeve të raportuara; Pagesën e menjëhershme të pagave dhe sigurimeve për të larguarit dhe për stafin aktual; Rikthimin në punë të atyre që janë pushuar padrejtësisht; Garantimin e sigurisë dhe dinjitetit në punë për stafin ajror.

    Në deklaratë u përmenden me iniciale 17 punonjës të larguar në mënyrë abuzive, ndërsa shumë të tjerë janë në procese gjyqësore që rrezikojnë të zgjasin me vite. Ata paralajmëruan se mungesa e veprimit urgjent nga shteti mund të përshkallëzojë më tej situatën, me pasoja të rënda për funksionimin normal të linjave ajrore dhe sigurinë e pasagjerëve.

    Ndërkohë linja ajrore ka pezulluar pjesën më të madhe të rrjetit të saj pas rikthimit të disa avionëve tek pronarët, dhe aktualisht operon vetëm një linjë drejt Stambollit me Airbus-in e saj të vetëm A320.

    Që prej vitit 2019, bilancet e Air Albania kanë qenë të pandërprera në humbje, duke arritur në një total prej më shumë se 50 milionë dollarësh. Humbje që jo vetëm tejkalojnë 1.000 herë kapitalin e kompanisë, por që kur u shtohen edhe 53 milionë dollarë detyrime ndaj palëve të treta, e çojnë gropën financiare në më shumë se 100 milionë dollarë.

    Në këtë panoramë të zymtë financiare, merr kuptim edhe marrëveshja “promocionale” e kryeministrit Edi Rama me Air Albania, sipas të cilit ai përfitoi një trajtim preferencial nga kompania.

    “Ne s’e blejmë dot, me qera s’e marrim dot, ndaj kemi blerë orë fluturimi me marrëveshje promocionale! Po ku është hilja thonë se s’ka mundësi?!” pyeste Rama pak kohë më parë kur opozita i kërkoi një hetim parlamentar për marrëdhënien e tij me Air Albania.

    Shpjegimi i Ramës, se bëhet fjalë për një marrëveshje marketingu ku kompania përfiton nga publiciteti i tij, duket se do t’i kushtojë shtetit miliona euro taksa dhe detyrime të papaguara, nëse kompania shpall falimentin.

    Historia e Air Albania nisi si një akt krenarie kombëtare kur kompania dhe kryeministri Rama dërguan disa dhjetëra gazetarë për një udhëtim turistik drejt Stambollit, ndërkohë që po mbyllet si një aferë abuzimi dhe korrupsioni si shumë të tjera.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit