12.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Mars, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    Air Albania, fitimet private, borxhet publike?! Paradoksi i Kapitalizmit të Miqve

    Nga Migena Aleksi

    ​Lajmi se qeveria po shqyrton marrjen përsipër të rreth 100 milionë eurove detyrime të papaguara të Air Albania, të le pa fjalë!

    Flitet sikur është thjesht një operacion financiar, kur në të vërtetë është jo vetëm një atentat i mirëfilltë ndaj parimeve bazë të ekonomisë së tregut, por edhe një FYERJE në nivelet më të epërme për çdo taksapagues që paguan faturat e veta me korrektësi.

    Në çdo ekonomi normale sipërmarrja bazohet te një ekuilibër i thjeshtë: Kush rrezikon, përfiton. Në rastin e Air Albania, ky ekuilibër përmbyset me një arrogancë tronditëse.

    Po si qenka kjo punë? Kur kompania ka fitime ato ndahen mes aksionarëve dhe festohen si “sukses i vizionit”, kurse kur kompania dështon, fatura nuk shkon te zyrat e menaxherëve, por te xhepat e qytetarëve?!

    Jo “treg i lirë” që nuk është, po ky nuk është më fare treg. Është një shpërdorim i pacipë i parasë publike.

    Kjo është t’i thuash shqiptarit që po goditet përditë me taksa e me çmime të larta pa kontroll: “Paguaj ti edhe për avionët që nuk i menaxhuam dot ne”.

    Është i njëjti shtet që të gjen “te vrima e miut” për një faturë të papaguar. I kërkon pensionistit të paraqitet fizikisht në sportel për të vërtetuar se “ekziston” që të marrë thërimet e pensionit.

    Por, kur vjen puna te 100 milionë euro borxh të një kompanie “prestigji”, shteti bëhet i verbër, i shurdhër dhe çuditërisht “bujar”.

    Nëse një kompani grumbullon 100 milionë euro borxh, ky është një dështim spektakolar menaxhimi. Në vend të llogaridhënies, qeveria propozon t’ia japim ne!

    Po 100 milionë euro, nuk janë 100 palë atlete. Janë shkolla, spitale, pensione më dinjitoze. Nuk e ka të drejtën askush t’i flijojë kështu me një të kërcitur gishtash pa pyetur askënd në altarin e një prestigji të rremë që fluturon me lekët tona.

    Se ja në fund të fundit, po i paguajmë! Po i paguajmë me idenë që t’i bëjmë qejfin  Kryeministrit për kaq shumë të mira e begati. Por, të paktën, a mundet ky shtet të bëjë një audit? Të na thotë kush ishte fajtori, e ta dënojë drejtësia atë që i hëngri këto para?

    Dhe ne, në brohorime adhurimi e sipër, do bëjmë sikur nuk i shohim edhe këto miliona të tjera që na shkulen nga gjoksi i brezave që do vijnë. Them që “do vijnë” sepse këtij brezi që kemi sot, ua kanë vjedhur të ardhmen që në mandatin e kaluar.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit