12.5 C
Tirana
E martë, 24 Mars, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    Akuza e fortë e Salianjit ndaj Berishës: Përjashtuan drejtuesit e degës se ishin mbështetësit e mi

    Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji, i ftuar në emisionin “Opinion”, ngriti akuza të forta ndaj lidershipit të Partisë Demokratike, duke thënë se kanë përjashtuar drejtuesit e degës së Durrësit, vetëm disa ditë pas zgjedhjeve të brendshme.

    Kjo sepse sipas Salianjit, ishin mbështetës të tij.

    “E dini ju që i kanë përjashtuar këta nëpër degë apo jo?! I kanë përjashtuar mo, anëtarët e Partisë Demokratike. Sot isha unë në Durrës. Kanë përjashtuar kryetarin e grupit të këshilltarëve dhe sekretarin e degës, ndërkohë që para tre ditësh kanë votuar. Pse?! Ec e merre vesh ti se pse!

    Para tre ditësh kanë votuar për kryetarin që kanë dashur këta, sot i kanë përjashtuar se i shohin që janë mbështetësit e mi. Pra kanë përjashtuar çdo njeri që mendon ndryshe. I kanë bërë degët e partisë fërtele”, tha Salianji.

    Ish-deputeti mes të tjerash u shpreh se qeverinë e kryeministrit Edi Rama “po e mban në këmbë” vetë lidershipi i Partisë Demokratike.

    Kjo sepse sipas tij, lidershipi i opozitës “është i konsumuar po aq sa Rama, sepse ka interesa të përbashkëta me Ramën në të gjitha dimensionet, në luftën ndaj drejtësisë, në bizneset e përbashkëta, në kontrollin politik…”

    Salianji vazhdoi me akuzat, duke thënë se ata që nxorën rezultat fitues në zgjedhjet e 11 majit, nuk janë shpërblyer me pozicione drejtuese në parti, apo janë lënë në periferi.

     “Pse Partia Demokratike i fsheh fituesit zotëri? Ka fituar në shtatë zona. I keni parë ju? Atë të Lezhës kur ta heqin fare! Dhe Agronin, Agroni ka fituar dhe është inekzistent. Ka fituar Flamur Hoxha në Kukës, inekzistent.

    Ka fituar nga lista e hapur Fidel Kreka në Korçë… asnjë funksion. Ka fituar nga lista e hapur ky në Durrës, Ndoja. E kanë lënë në periferi… Kanë fituar nga lista e hapur pak njerëz. Ka fituar në Krujë e Fushë-Krujë Auloni.

    Ka fituar, ka dalë me 18 mijë vota Ilir Alimehmeti. Erdhi në këto takimet që filloi e tha disa qëndrime, e kanë afruar pak. Kanë fituar pesë bashki, i kanë zhdukur sepse duan të krijojnë perceptimin që këtu vetëm humbet”, tha Salianji.

    Sipas ish-deputetit, Partia Demokratike po dështon t’i shërbejë shoqërisë dhe të qëndrojë në linjë me zhvillimet sociale.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit