E ftuar në “UëTëFë Show” në Andale Media, Hygerta Sako ka folur rreth eksperiencës së saj në “Big Brother VIP Kosova”, nga ku doli edhe finaliste e pestë.
Për herë të parë ajo adresoi dhe akuzat që iu bënë masivisht në rrjet pasi u shpall finaliste, ku komentuesit shkruanin se produksioni apo Olsa Muhameti i kishin premtuar finalen dhe manipuluan votat për të nxjerrë atë fituese në përballjen me Benitën.
“Pse produksioni duhet të më favorizonte mua?! Unë Olsa Muhametin nuk e kisha takuar kurrë më parë edhe këtë e them botërisht dhe publikisht. E kam takuar për herë të parë kur më ka kontaktuar për Big Brother-in, për pjesëmarrjen.
E kam takuar dy herë gjithsej, pjesën tjetër e kam kontaktuar në telefon. Mund të them [se ka pasur] një korrektësi absolute dhe pastaj gjatë gjithë kohës ka ardhur [në shtëpinë e Big Brother] dhe kam diskutuar vetëm dy herë në dy momente që unë i kam pasur të vështira që doja të dilja. [Kemi komunikuar] nga Dhoma e Rrëfimit për të diskutuar që pse ky lloj vendimi dhe për ta menduar edhe një herë,” sqaroi Hygerta.
Më tej, ajo nënkuptoi se ky lloj kontakti që ka pasur me Olsën në Dhomën e Rrëfimit është tejet normal kur një banor po kalon një kohë të vështirë dhe nuk ka të bëjë me ndonjë lloj favorizimi. Përkundrazi, Hygerta shprehu se prej intensitetit të ngjarjeve, ndonjëherë as nuk i thirrej emri për të shkuar në Dhomën e Rrëfimit për dy ditë rresht:
“Asnjë personazh apo banor që e ndan rrugëtimin ose e mbyll me dëshirën e vet nuk është mirë. Nuk është mirë as për të se mund të pendohet kur të dalë, nuk është mirë as për produksionin. Kështu që, patjetër që dihet që të japin 24 orë kohë të mendohesh, të kthjellohesh, t’i rimendosh edhe një herë gjërat. Dy herë kam diskutuar vetëm për këtë çështje dhe asnjë lloj kontakti. Madje shpeshherë kërkoja Dhomën e Rrëfimit po shumë punë…kam mbetur dhe 24 orë apo 48 orë që s’më thërrisnin në Dhomën e Rrëfimit.”
Teorive se banorët kanë pasur telefon dhe janë informuar për atë çka ka ndodhur jashtë gjatë qëndrimit të tyre në shtëpi, Hygerta iu përgjigj duke i mohuar kategorikisht:
“Të kisha telefon, unë do kisha fluturuar atje dhe s’kisha nevojë as për t’u ndier keq, as për të vendosur për të dalë sepse nuk duroja, sepse të kesh telefonin do të thotë që merr vesh si është vajza, si është mami, si janë gjërat, po ecën mirë, po ecën keq, çfarë duhet të rregullosh. Kështu që, besoj që e keni parë që unë kam qenë konstante gjatë githë kohë në karakterin tim, nuk është se kam bërë ndonjë ndryshim drastik.



