Nëse ka një emër që ka krijuar më shumë zhurmë se kushdo në “Ferma VIP 2”, është Alba Pollozhani. E ardhur nga “Për’Puthen” – që në vetvete është një lloj mëkati që s’të falet nga fermerët tanë snobë – Alba nisi vrullshëm një eksperiencë ku shumë prej pjesëmarrësve kujtojnë se e kanë nisur për të dalë prej tij me ndonjë çmim Nobel për paqen.
Që në hyrje, Alba ra në sy për ekstravagancë – por jo të tipit që ngjall frikë a admirim. Ishte më shumë ajo vajza që shkon në fermë me taka dhe fustan super të hapur me printe leopardi. Pa klas, sipas shumëkujt, por me një vetëbesim që shpesh i irriton njerëzit dhe i bën ta paragjykojnë para se të kenë mundësi ta njohin.
“Burrin e dua mysliman, biznesmen” – ishte deklarata e parë që mbajmë mend prej saj në Fermë. Alba është tipologjia e vajzës për të cilën shoqëria “vdes”: pak provokuese, pak naive, pak pa filtra – një kombinim që të gjithë e shohin si kërcënim për “moralin” publik, por zbavitjen ideale private.
Ajo është thjesht shënjestra perfekte. Nuk është aq “e dobët” sa të të dhimbset, por as aq inteligjente sa të të përmbysë pritshmëritë. Është e padëmshme. Dhe kjo i çmend njerëzit: e sulmojnë, se e panë tani që nuk të kthehet në të njëjtat mënyra mizore.
Kur Alba shpallet kryefermere, Erand Sojli, që e ka shfaqur neverinë e tij për të që në fillim, i thotë që t’i “zhduket nga sytë”. Sepse nuk duron dot të marrë udhëzime nga një vajzë kaq “e paedukatë”, emërtim që s’përton t’ia thotë si në sy, si teksa bën thashetheme me Frederikun.
Frederik Ndoci, që është artist për nga profesioni, shpesh flet si një komentues me tre profile fake në TikTok. Ai bëhet palë me Erandin – duke treguar këtë forcë të madhe karakteri që jo pak herë e shohim në jetë – dhe thur planin gjenial: hajde injorojmë totalisht këtë budallaçkën e pamoralshme dhe fillojmë tallemi me çdo gjë që thotë.
Alba, nga ana tjetër, përpiqet t’u flasë me përulje, me mirësi, pak edhe nga dëshira e saj për t’u pëlqyer nga të gjithë, si një fëmijë që s’e kupton pse është ngatërruar në një dramë të të rriturve – dhe kjo ndjesi padashur, është më njerëzorja që ka ndodhur në këtë show.
Në anën tjetër, vajzat – Kejsi, Nur, dhe Big Mama – nuk kanë ndërtuar një front kritik, por një lloj “klubi morali” me synim: izolimin e Albës.
Kejsi e sheh Albën si rrezik për vëllain e saj të zgjedhur, Limin, interesin romantik të Albës. Nur ka një lloj xhelozie të pazëshme prej faktit që Limi zgjodhi Albën para saj, pasi sigurisht, ku krahasohen ato të dyja bashkë? Big Mama bën ligjin e “nënës shqiptare” dhe ka misionin e rëndësishëm për të vënë në vend moralin e vajzave të ndershme, të cilat sipas saj, “s’duhet të nxisin kurrë meshkujt”.
Të gjitha bashkë thurin një skenë që s’do kalonte as audicionet e një telenovele spanjolle: dërgojnë Ganiun në krevatin e Albës teksa ajo ishte në gjumë. Alba zgjohet e tronditur. Ata qeshin. Dhe askush nuk merr përgjegjësi. Sepse përse ndihet e ngacmuar seksualisht Alba, kur ajo sipas këtyre fermerëve duket se është krejt tolerante ndaj të tilla situatave?
I vetmi vend ngushëllimi për Albën në këtë cirk, është Limi. Midis tyre ka flirt. Ka tension. Ka shumë tërheqje seksuale. Dhe jo, nuk është fare vulgare siç e kanë quajtur nëpër komente. Është e sinqertë. Ka diçka mes tyre që, edhe pse nuk është dashuria e qelibartë që ëndërrojmë të shohim ne në ekran, nuk të jep kurrë energji negative.
Pra, Alba është një vajzë që nuk të mrekullon me mençurinë e saj, por s’të jep ndonjëherë as ndjesi ligësie. Nuk është më e mprehta, por ka momentet më të sinqerta aty brenda. A është e irritueshme? Po. Edhe vetë Zhaku me Kastron që funksionojnë aty si një zë më kritik dhe shpesh i kanë dalë në mbrojtje, acarohen prej saj. Por Alba qesh edhe me përqeshjet që i bën Kastro zërit të saj, pa mbajtur asnjë mllef.
Në fund të ditës, problemi nuk është Alba. Problemi është si i gjithë grupi, që shfaqet aty me etiketën “V.I.P.”, ka gjetur rehati kaq të madhe duke u bërë palë dhe duke hedhur sulme të ulëta ndaj një personi të vetëm. Dhe nëse ky është standardi i madhështisë në atë shtëpi, atëherë le të jemi të qartë – nuk është Alba delja e zezë. (Anabel)