Një nga emrat më të përfolur të këtij sezoni të Big Brother VIP Kosova, Alba Pollozhani, ka vendosur të largohet nga gara, duke mbyllur përfundimisht kapitullin e saj në shtëpinë më të ndjekur në vend.
Largimi i saj u bë i ditur përmes një njoftimi zyrtar në rrjetet sociale të formatit, lajm që erdhi si befasi për publikun.
Ky vendim pasoi një Prime mjaft të ngarkuar emocionalisht, ku Alba u përplas ashpër me banorin Labinot. Debati mori përmasa më të mëdha kur ajo akuzoi produksionin për mënyrën se si ishin transmetuar pamjet, duke pretenduar se situata ishte shtrembëruar dhe se publikut nuk i ishte shfaqur e gjithë dinamika reale e konfliktit.
Gjatë diskutimit, ndërsa Alba insistonte në qëndrimet e saj, moderatorja Jonida Vokshi reagoi duke i bërë të qartë se nëse nuk ndihej e përfaqësuar drejt, ajo kishte mundësinë të largohej nga shtëpia.
Fillimisht, Alba shprehu gatishmërinë për të ikur, por u tërhoq për pak çaste në dhomën e gjumit, duke krijuar paqartësi rreth vendimit përfundimtar. Pas reflektimit, ajo zgjodhi të mos vijojë më eksperiencën në BBVK, duke e lënë shtëpinë dhe garën.
Dalja e saj pritet të sjellë reagime të forta nga publiku dhe banorët, pasi Alba ishte një nga personazhet më aktivë dhe më të komentuar të këtij edicioni.



