Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se ka marrë paralajmërime për zvogëlimin e mbështetjes së Perëndimit, nëse “Kosova nuk do të tregohet konstruktive” në lidhje me bisedimet Kosovë-Serbi.
Ai, megjithatë, shprehu bindjen se Kosova është duke u dëshmuar si palë konstruktive në këtë proces.
Në intervistë Kurti tha se nuk është ftuar në një takim që do ta organizojë Ambasada amerikane në Prishtinë më 31 janar, e ku do të diskutohet për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Kurti tha se ky takim do të zhvillohet si pasojë e insistimit të të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ai tha se ka pritur nga Escobari që të thotë në Beograd se Serbia duhet ta njohë Kosovën, e jo të thotë në Prishtinë se Asociacioni do të bëhet, pavarësisht kryeministrit të Kosovës.
Duke folur për planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Kurti tha se ai nuk i është prezantuar në formën “merre ose lëre”, por si platformë për diskutim.
Ai përsëriti se propozimi evropian është bazë e mirë për diskutim, por tha se nuk përmban gjithçka që Kosova do të dëshironte.
Kurti, po ashtu, tha se pret dialog intensiv me Serbinë, në mënyrë që të mund të arrihet një marrëveshje sipas afatit të përmendur kohor, përkatësisht marsi i vitit 2023.