Alfred Lela është shfaqur entuziast për përballjen e deputetëve të PD me kreun e SPAK, Altin Dumani.
Sipas tij, ata e kanë vënë në vështirësi Dumanin gjatë marrjes në pyetje.
“Opozita funksionon në një parlament funksional dhe parlamenti kryen detyrën, funksionin, rolin e vet kur lihet të kryejë, të kryejë këtë rol.
Sigurisht ka qenë, duke ditur dhe se ç’ka ndodhur në pjesën më të madhe, ka qenë këmbëngulja e opozitës, sepse ju e patë në fillim gjithë atë debatin që u bë që pyetjet të lexoheshin dhe opozita të mos kishte zë, pra të kishte vetëm letër, stilolaps dhe t’ia paraqiste zotit Dumani pyetjet.
Por u arrit në kompromisin që pyetjet të lexoheshin, por t’i jepej mundësi çdo deputeti pyetës të opozitës që të bënte edhe një koment dy minutësh mbi pyetjet.
Kështu që ishte hera e parë në këtë legjislaturë që opozita e shpalosi repertorin e vet opozitar, ashtu siç edhe duhet, siç edhe i ka hije rolit të saj në demokraci.
Kjo ishte A-ja. B-ja, për të kaluar, pra performanca, unë do të thoja shumë e mirë e bllokut opozitar dje, me shumë pak ose aspak ujë dhe ajo që pamë për zotin Dumani nuk ka nevojë për shumë koment.
Unë nuk e di se çfarë ka në, po themi, në arsyet, pra unë mund t’i hamendësoj, por nuk e di me siguri çfarë ka në arsyet e performancës së tij, së pari, po themi, verbale ose gjuhës së trupit.
Ka një gjë të çuditshme që nuk ka nevojë për shumë ekspertizë për të qenë ndonjë ekspert i madh i gjuhës së trupit apo i komunikimit publik, për të kuptuar që ka diçka tek zoti Dumani, një lloj parahatie, një siklet.
Dhe kjo dukej edhe tek leximi i pyetjeve, që një pjesë i harronte, edhe tek fjalët që ja hante gjuha, edhe tek gjuha që ja kafshonte ndërgjegjja, po themi, kështu metaforikisht.
Kishte një gjë që e bënte zotin Dumani të ndihej, të ishte, të performonte jashtë habitatit, jashtë rehatisë, jashtë qenies.
Sigurisht ne mund të diskutojmë këtu për arsyet, unë mendoj, që janë disa, por do të thoja që në përballjen opozitë-Dumani ishte e qartë, performanca me nota shumë të larta e opozitës dhe me nota afër katrës, mund të thuhet katra si notë e keqe, për zotin Dumani”, thotë Lela.



