Aksioni i fundit i IKMT-së për të prishur ndërtimet pa leje në zonën turistike të Thethit, ka shkaktuar polemika edhe në Tiranë.
Drejtori i zyrës së komunikimit në PD, Alfred Lela krahason atë që po ndodh në këtë zonë, me zhvillimet e viteve të para të komunizmit.
“Ndarja e Shqipërisë politike nuk është më as veri- jug dhe as qendër-periferi. Polarizimi i ngjan shumë periudhës 1945-1948, kur nacionalizmi dhe rezistenca ishin tërhequr dhe strehuar në enklavat kryesisht katolike të veriperëndimit”, shkruan Lela.
Sipas tij e njëjta panoramë u përsërit edhe në zgjedhjet e 11 Majit, ku Pd-ja fitoi në bashkitë me elementë katolikë si Mirdita, Puka e Fushë Arrëzi.
Në përgjigje të analizës së Lelës, analisti Ilir Demaliaj shkruan se përdorja e situatës në Theth për të ringjallur ndasitë fetare dhe krahinore, është spekulative, e qëllimshme dhe e rrezikshme për kohezionin social në vend.
Demaliaj hedh poshtë edhe krahasimin e bërë nga Lela lidhur me rezistencën e viteve të para të komunizmit dhe rezultatin e zgjedhjeve të 2023 dhe 2025 në veri të vendit.
“Të krahasosh rezistencën e shqiptarëve katolikë në vitet 1945-1948 ndaj komunizmit me rezultatin e zgjedhjeve të 2023 apo 2025, është një abuzim historik dhe një banalizim i sakrificës së atyre që u ngritën kundër diktaturës. Thethi nuk është një “rrip i Biblës”, as Shkodra nuk është “tokë e shenjtë e së djathtës”. Këto janë qytete dhe fshatra të Shqipërisë, me qytetarë që mendojnë, votojnë, e jetojnë të lirë, ashtu si çdo shqiptar tjetër, pavarësisht fesë apo krahinës”, replikon Demaliaj.
Replika e Ilir Demaliajt
Në shkrimin e tij të fundit mbi situatën në Theth dhe vendimet e qeverisë për ndërhyrje në ndërtimet pa leje, Alfred Lela, zëdhënës i Sali Berishës, e ka përdorur këtë ngjarje si një platformë për të ringjallur ndasi fetare dhe krahinore që i përkasin një epoke të errët të historisë shqiptare. Kjo qasje nuk është thjesht spekulative – ajo është e qëllimshme, nxitëse dhe jashtëzakonisht e rrezikshme për kohezionin social të vendit.
Shqipëria, ndryshe nga shumë vende të Ballkanit, ka mbijetuar mbi themelet e një bashkëjetese të rrallë ndërfetare dhe ndërkrahinore. Ndërsa ka pasur periudha të errëta, shqiptarët kanë ditur të ruajnë një vetëdije kombëtare që e ka vendosur përkatësinë etnike dhe gjuhësore mbi ndasitë e tjera. Kjo është një vlerë që nuk duhet minuar në emër të një beteje politike apo për të mbrojtur interesat e një politikani të përballur me izolim ndërkombëtar dhe një vendim të formës së prerë nga drejtësia.
Të krahasosh rezistencën e shqiptarëve katolikë në vitet 1945-1948 ndaj komunizmit me rezultatin e zgjedhjeve të 2023 apo 2025, është një abuzim historik dhe një banalizim i sakrificës së atyre që u ngritën kundër diktaturës. Thethi nuk është një “rrip i Biblës”, as Shkodra nuk është “tokë e shenjtë e së djathtës”. Këto janë qytete dhe fshatra të Shqipërisë, me qytetarë që mendojnë, votojnë, e jetojnë të lirë, ashtu si çdo shqiptar tjetër, pavarësisht fesë apo krahinës.
Më e rrezikshme është nënteksti i thirrjes për përplasje: “Të vijë fundi që të vijë zgjidhja” – kjo nuk është analizë politike, por thirrje e fshehur për destabilizim. E kemi provuar “fundin” në vitin 1997, me gjak, me djegie, me plaçkitje, me shkatërrim të institucioneve. A është kjo ajo që kërkon sot Sali Berisha, përmes Alfred Lelës? Të ndizet Shqipëria, që të shpëtojë ai personalisht?
Nuk ka asgjë më të keqe për një komb të vogël sesa të përdorë plagët e historisë për përfitim politik. Nuk është hera e parë që Berisha dhe njerëzit pranë tij e bëjnë këtë: në vitin 1997, ai i shpalli jugun “armik”, duke përçarë vendin në veri dhe jug. Sot, me të njëjtin stil, kërkon të ndajë shqiptarët në të krishterë dhe myslimanë, në “Theth besnik” dhe “Theth tradhtar”.
Por Shqipëria e vitit 2025 nuk është ajo e ’45-s apo e ’97-s. Shqiptarët nuk kanë më oreks për luftra të vjetra, për përçarje të reja apo për politika që nxisin urrejtje. Sot qytetarët duan shtet, drejtësi, barazi dhe zhvillim. Ato që ndodhin në Theth duhet të trajtohen me ligj, jo me ndjeshmëri krahinore apo fetare. Nëse ka abuzime, le të ndëshkohen. Por në emër të ligjit, jo të hakmarrjes politike.
Shqiptarët janë lodhur nga politikanë që ndërtojnë kulla mbi djegie, tensione dhe retorikë të rrezikshme. Është koha të refuzojmë ata që i fryjnë erës së përçarjes dhe të qëndrojmë të bashkuar për një Shqipëri më të drejtë, më moderne dhe më të qytetëruar.
Në këtë moment vendimtar për vendin, gjuha që përdor Alfred Lela nuk është thjesht e papërgjegjshme – ajo është anti-kombëtare. Dhe kjo nuk është thjesht çështje bindjeje politike. Është çështje morali dhe përgjegjësie.