Alfred Lela e cilëson “Diellën” një gjetje banale të Edi Ramës.
Ndërsa jehonën e mediave botërore, ai e quan si diçka normale, pasi sipas Lelës, ato janë majtisto-liberale dhe kundër njeriut.
Sipas Lelës, Rama po ndërton një seks të tretë të gjinisë politike.
Shkrimi i Lelës
Shumë në Shqipëri e kanë konfirmuar shkëlqimin e idesë së Edi Ramës, paraqitjen e një ministri virtual si pjesë të kabinetit, në sytë e mediave të huaja. Në fakt, duhet të jetë e kundërta: hapësira domethënëse që ka marrë në mediat botërore është treguesi i banalitetit të idesë.
Së pari, sepse mediat e huaja e shohin Shqipërinë tangent; në intepretime ku mungon thelbi dhe kjo lidhet, sa me (pa)rëndësinë e vendit tonë, sa me burimet dhe interesin e kufizuar të mediave të huaja.
Së dyti, mediat e huaja nuk kanë gazetarë në Shqipëri, dhe i marrin kronikat ‘e gatshme’ nga agjensitë e lajmeve si Reuters apo AP, korrespondentët e të cilave janë shqiptarë, çka do të thotë se nuk e shmangin dot konfliktin e interesit. Nuk do shumë mund për të parë animin proqeveritar të agjencive të lajmeve, sidomos të AP (Associated Press).
Së treti, mediat ndërkombëtare, në shumicë, i përkasin dhe mbështesin agjendat dhe narrativat majtisto-liberale, ku hyn, ndër të tjera, edhe inteligjenca artificiale, një variant i ‘njeriut të ri’, që sfidon homo sapiensin konvencional, pra shëmbëlltyrën e Zotit, në kuptimin e feve të mëdha monoteiste.
Së katërti, ta interpretosh si gjetje, dhe jo si banalitet, ministrin e parë AI në botë, ardhur nga një vend i vogël, ende i varfër dhe plotësisht i korruptuar si Shqipëria, siç bënë jo pak nga mediat lokale dhe globale, e gjen paralelen e vet historike te grupet marksiste-leniniste botërore, të cilat e besonin dhe shpërhapnin idenë kretine dhe banale të Enver Hoxhës, ku Shqipëria përpjetonte në marrëzi si i vetmi vend mbrojtës i idealeve të pastra të komunizmit.
Kur shumë vetë e besojnë/pëlqejnë diçka, jo domosdoshmërisht është e duhur/a. Në shumë raste është një banalitet i veshur si gjetje (shih Big Borther për shembull).
Një vërshim banaliteti, i cili duhet thënë, është modus operandi dhe vivendi i Edi Ramës është edhe shkarkimi ‘i bujshëm’ i një zv/ministri nga eprorja e sapongarkuar. Arsyeja: funksionari i lartë po pinte cigare në mjedis publik. Shkarkimi në vetvete nuk është banal, por filozofia bosh pas tij e bën të tillë. Sepse, pas kësaj uverture në propagandë qëndron ideja/paradigma e kahershme e Ramës, e mbështjellë me celofanin e rrejshëm të parullës ‘ne bëjmë shtet’.
Duke tingëlluar pompoze dhe e domosdoshme, parulla kthehet në bosh në momentin kur propaganda mbi shtetin [që po bëhet?!?] është në jobalancë me aktet themelore që përbëjnë shtetin. Duhanpirja psh është kozmetikë në klasifikimin e akteve që formojnë shtetbërjen, ndërkohë që eficenca, korrupsioni, integrimi i partisë me shtetin janë kolona themelore.
Një ministre si Koçiu, që në një akt të parë publik në krye të detyrës imiton Ramën, dhe e sheh autoritetin e shtetit te funksionari që pi duhan në mjedis publik, është duke banalizuar edhe shtetin, edhe luftën kundër duhanpirjes.
Mediat që e marrin lajmin, e përsërisin, e durtrokasin janë gjithashtu pjesë e këtij banaliteti ku mungon vështrimi kritik ndaj ngjarjes dhe fenomenit. Sidomos mungon konteksti. Për shkak se e gjitha është pjesë e filozofisë të shembullbërjes apo kokëturkut, por jo edhe përpjekje për të zgjidhur problemin dhe bërë shtetin.
Po deshe kaloje këtë edhe te ‘rasti Veliaj’, i cili ha një diskutim më vete. Të dënosh në mënyrë shembullore, kolektive dhe linçuese Erion Veliajn, nuk ke bërë asgjë për shtetin apo të vërtetën, sa kohë që sistemi që e prodhoi dhe e jashtëqiti Veliajn, është aty me mitrën dhe dhe gojën hapur për ta riprodhuar dhe jashtëqitur çdo Erion të radhës.
Prandaj Diella është e rrezikshme dhe banale në të njëjtën kohë. Ajo është krijuar për të malcuar sistemin, për ta veshur me mahi e hijeshi dhe, në të njëjtën kohë, për ta lënë të kalbur, të pandryshueshëm, multifunksional dhe multiaplikativ. Për ta kthyer në një paradigmë të re ku e keqja dhe mira ndahen nga një kategori e tretë, që është banalja, dhe sundimi i saj u mbivendoset të dyjave dhe i anulon të dyja njëkohësisht, e bashkë me to kufirin ndarës mes tyre.
Kjo është cancel culture që po emëton Edi Rama në Shqipëri. Nuk është revolucion teknologjik, është një seks i tretë i gjinisë politike, një krijim mefistofelian. Ndryshe nga sa na mëson parobala e Getës te ‘Fausti’, monstra nuk ‘kthehet’ dhe ha autorin, por gllabëron popullin të cilin, medemek, është krijuar të fuqizojë.
Pëmes një shajnie, një mashtrimi.



