14.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Altin Dumani mes Drejtësisë dhe Politikës

    Nga Bedri Islami

    Nuk besoj dhe as nuk më shkon në mend të besoj se, një ditë të bukur, a sido qoftë ajo, shefi i tanishëm i SPAK, Altin Dumani do të jetë pjesë e politikës. Por, edhe nëse ai nuk ka dashur të ndodhë kështu, ai është tani mes politikës dhe drejtësisë.

    Në raportimin përpara Komisionit të Ligjeve në Parlamentin e Shqipërisë, dukej qartë se politika nuk e ka tagrin të ndikojë tek ai.

    Të mësuar prej kohe të shohin figura të drejtësisë të përkulur ndaj politikës, apo edhe më tej, shërbëtorë të politikës, shqiptarët mezi kanë pritur të shohin një qëndrim ndryshe.

    Por një shtresë e politikës, ende edhe sot e kësaj dite, nuk e kanë kuptuar se këmbanat kanë filluar të bien ndryshe.

    Hetuesit para Dumanit kanë patur mendësinë e nënshtrimit ndaj liderit politik, njëjtë me militantët që e kanë stampuar sot idhujtarinë e neveritur në bluzat e tyre.

    Për më shumë se tri dekada politika ishte pjesë e sistemit të drejtësisë, dhe vetë drejtësia nuk ishte asgjë tjetër veçse shprehje e politikës. Megjithëse në Shqipëri kishin ndodhur ngjarje që tronditën dhe nëpërkëmbën shtetin, asnjëherë të vetme, drejtësia nuk kishte vënë dorën e ligjit aty ku politika kishte pasur domenët e saj, ku ishte vula e një qeverisje apo, edhe më tej, ku shtriheshin interesat e saj.

    Politika kishte zgjedhur me të bindurit për të dhënë drejtësi, kishte shtypur të mënçurit dhe kishte dëbuar rebelët. Tani lufta e saj është shpallur hapur, sepse ndjen se ka ardhur ora e vështirë e dhënies llogari.

    Në të ardhmen e afërt, lufta e politikës ndaj SPAK do të jetë pa asnjë ndalesë. Aq më tepër që, në raportimin dhe përgjigjet e zotit Dumani u dha një mesazh i qartë: kjo është detyra jonë.

    Çfarë ka ndryshuar me Dumanin? Më e rëndësishmja: lidhjet mes politikës dhe krimit, për herë të parë po goditen. Të duket e habitshme, por para ligjit  më në fund po vendosen njëlloj: të “mëdhenjtë e politikës” dhe “ vartësit e tyre”. Askush nuk është më i paprekshëm. Asnjë temë nuk është tabu. As e djeshme, as e sotme. Nëse krimi, thonë, nuk ka ngjyrë politike, ai nuk ka as kohë të tillë.

    Nuk mund të mendohej që një ditë, edhe pse janë bërë kaq shumë zullume, figura e njohur e opozitës, përshtatur në staturën e Berishës do të ishte pjesë e një dosje hetimore, si është ajo e privatizimit të Klubit Sportiv Partizani. Në morinë e dosjeve që përbëjnë krim dhe që lidhen me figurën politike të drejtuesit të Rithemelimit, është një nga më të paktat dhe ndoshta më e pa rëndësishmja. Por, ja që ndodhi.

    Dosje të tjera, që lidhen me familjen ish kryeministrore mund të hapen. Nëse SPAK, ose një drejtësi e bazuar në nderin e detyrës, do të kishte qenë e pranishme më herët, atëherë ish-shefi i qeverisë dhe familjarët e tij do të ishin përgjigjur prej shumë kohësh për afera shumë më të mëdha, disa nga të cilat kanë qenë fatale për vendin dhe kombin.

    Mrëpo, kush ta thërriste? Gjyqtarët e prokurorët e plepave dhe dum – llallistët e Adriatikut? Ajo pjesë e saj që quhet gjin gjonër, nga shkaku i pasurimit të turpshëm dhe vënies poshtë të drejtësisë? Cili drejtor i Përgjithshëm i Policisë apo hetues i rëndësishëm mund të trokiste në dyert e banesës së njohur apo të panjohur të shefit të qeverisë, ish ministrit të brendshëm të tij, ministrave të tjerë, deri te pinjollët gjynahqarë të tyre?

    Një provë e mjerë që u bë pas shpërthimit të llahtarshëm në Gërdec nxorri kërcëllimin e dhëmbëve të të parit të qeverisë, që, jo vetëm mbylli hetimet, por edhe degradoi figura të drejtësisë që mund të bëheshin pjesë e hetimit, madje i dëboi ata.

    Kush mund ta mendonte para SPAK-ut të Dumanit, se i përkdheluri i shefit të tanishëm të qeverisë, ish zevëndëskryeministri Ahmetaj do të detyrohej të braktiste Shqipërinë, të zhdukej duke dhënë adresa të fshehura, të bëhej pjesë e emisioneve TV pikërisht aty ku e kishin mallkuar, dhe, në fund të fundit, të bëhet i vetëdijshëm se do të përgjigjet një ditë.

    Jam i bindur se “të majtët” po rrinë me duar në zemër nga ankthi i përvetësimeve që kanë bërë, korrupsioni ku janë pjesë, lidhjet e tyre me të fortët, apo krijimin e qarkut të mbyllur të pushtetit korruptiv. Nuk e kishin menduar se do të vinte dita e “kiametit” në jetët e tyre luksoze.

    Të mësuar me pa ndëshkueshmërinë, si një fakt i vetë kuptuar dhe rrjedhë e pushtetit politik mbi drejtësinë, asnjë ministër i 30 viteve të fundit nuk e ka përfillur ligjin, të drejtën apo ka pritur që mund të ndëshkohet një ditë.

    Sistemi i drejtësisë kishte rënë. I sotmi po ngrihet. Përballë tij ka krimin dhe politikën.

    Krimi përpiqet të mposhtë drejtësinë e re përmes skemës së vjetër, të korruptimit, kërcënimit dhe dhunës. Politika përpiqet ta mposhtë përmes krijimit të një mendësie se SPAK, është veçse një levë e pushtetit. Në një fazë tjetër, jo shumë të largët, politika do tentojë të ndërhyjë edhe në mënyrë dinake përmes krijimit të ligjeve që e asfiksojnë SPAK dhe drejtësinë e re.

    Mes pushtetit të mbajtur apo të ëndërruar, pra nga ata që e kanë këtë pushtet dhe atyre që duan të vijnë në qeverisje, qëndron tani një sistem drejtësie, që, edhe për hir të shkrimit, mund të konfigurohet në një emër, Altin Dumani.

    Nesër mund të jetë një tjetër. Por ky njeri, kjo strukturë, duan apo nuk duan qëndron mes politikës dhe vetëvetes. Pra, mes atyre që qeverisin dhe drejtësisë.

    SPAK goditi në ditët e fundit disa nga bandat apo klanet më të rrezikshme në vend. Pastrimi i politikës vjen nga pastrimi i krimit. Edhe pse askush nuk do ta pranojë, bandat, të tashme, apo të djeshme, pikërisht nga politika kanë pasur fuqinë e tyre. Disa prej tyre si ajo e Martinaj, Ndoka, Bami, Shullazi, Lul Berisha, Abdylaj, ishin pjesë e politikës, përmes forcës dhe dhunës së tyre. Shumë prej tyre, si edhe klani Lici në Shkodër, apo Bajri, po në të njëjtin qytet, ishin fillimisht pjesë e strukturave të opozitës së tanishme dhe, edhe nëse nuk duam ta pranojmë, ata ishin garda e tyre e hekurt që në vitin 1992.

    Më pas, disa prej tyre u bënë pjesë e së majtës në pushtet, por tashmë konsolidimi i tyre ishte bërë, shpërndarja e zonave të ndikimit ishte përcaktuar. Ndërprerja e këtyre lidhjeve është ndërprerja e politikës me të keqen, pa të cilën nuk ka bërë deri sot.

    Aksioni i SPAK, i dhimbshëm për politikën, është hendeku që e ndan SPAK-un nga prapshtia e së djeshmes në këtë strukturë.

    Altin Dumani, ndërsa pret këto fije të korrupsionit dhe pushtetit, mes pushtetit dhe krimit, mes bandave dhe opozitës, mes pushtetit të djeshëm dhe bandave të ngritura prej tyre, ka marrë përsipër një barrë të rëndë, por të mundshme.

    Ai po krijon një mendësi të ndëshkimit, kaq e domosdoshme në politikën tonë. Por, edhe në jetën e përditshme. Ai nuk duhet lënë vetëm.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit