Nga Fatos Tarifa
Mbrëmë një amerikan foli në një studio televizive në Tiranë. Iu përgjigj pyetjeve të gazetarit. E njohëm nga ato që tha. Dhe gjithçka që ai tha ishte çfarë ka dëgjuar nga Berisha dhe njerëzit e tij―dhe, pa dyshim, nga më i shquari prej tyre, Fatmiri, siç e përmendi me emër “miku” i ardhur nga Uashingtoni.
Ju, të dashur lexues, e dini që Fatmiri ka shumë miq në Ushington, më shumë se sa përkrahës që votojnë për të në Shqipëri. Ai është mysafiri i shumëpritur dhe më i mirëpritur, më i çmuar e më i dashur në kryeqytetin amerikan, republikani konservator par excellence, prej të cilit anëtarët republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan kanë gjithnjë se ç’të mësojnë për Shqipërinë, për Ballkanin e për Europën. Më besoni, unë e di se përse flas dhe çfarë them. Për fat të mire, e njoh shumë mirë Uashingtonin, siç, për fat të keq njoh edhe Fatmirin.
Amerikanin këtë herë e solli në Tiranë, ai, Fatmiri. Mos u bëni kuriozë të dini a të mësoni sa u ka kushtuar ai republikanit shqiptar Mediu dhe demokratit Berisha. Pak rëndësi ka, edhe pse shumë duhet të jetë paguar. Kam njohur nga afër shumë kompani lobiste në Uashington dhe e di se akush në atë kryeqytet nuk investohet për pak para.
E gjitha kjo, sidoqoftë, nuk është më e rëndësishmja. Si në Uashington, edhe në Tiranë, të ardhurat nga―dhe shpenzimet për―konsulencë të huaj kërkohet me ligj të deklarohen.
Nga sa dëgjova mbrëmë, amerikani që ka ardhur të ndihmojë z. Berisha dhe koalicionin e tij në këto zgjedhje ishte tërësisht OUT. Unë besoj se ai as kishte dëgjuar ndonjëherë për Shqipërinë deri ditën që e “zbuloi” Fatmiri dhe e ftoi, pa dyshim me kërkesën e Berishës, të vinte në vendin tonë për t’u dhënë këshilla e për t’u hartuar një strategji fitoreje Berishës dhe Mediut, pa çka se ky i fundit nuk ka një parti. Por ç’rëndësi ka kjo; për amerikanin Fatmiri është kreu i republikanëve shqiptarë, dhe këta të fundit ngjajnë si pika uji me republikanët e vendit të tij―me një fjalë MA(merica)GA për MA(lbania)GA.
Nuk më habiti aspak fakti që amerikani foli për Berishën ashtu siç foli. Nga ato që tha kuptova se as e ka njohur kreun e opozitës shqiptare, as e njeh. Thjesht i bën një farë shërbimi për paratë që merr.
Berishën e krahasoi pak a shumë me presidentin Trump për energjinë dhe për vizionin e tij, që do e çojnë opozitën shqiptare në fitore. Madje, ai tha se Berisha 80-vjeçar është më energjik se sa Rama 60-vjeçar, pasi ky i fundit rri tërë kohën para ekranit të kompjuterit! Nuk përmendi situatat e ngjashme të tyre―z. Trump i dënuar disa herë për shkelje të ligjit amerikan, ndërsa z. Berisha në hetim nga organet e drejtësisë shqiptare.
Nuk e anashkaloi pyetjen e drejtpërdrejtë të gazetarit për statusin e Berishës si një persona non grata në Shtet e Bashkuara, por përsëriti të njëjtën këngë të Berishës (së cilës Fatmiri i mban iso ditë e natë), se Berisha është shpallur i padëshiruar në Shtetet e Bashkuara nga “admnistrata e korrupruar e presidentit Biden”, në bashkëpunim me “kryeministrin e korruptuar shqiptar Edi Rama”. Sorosin, që Berisha dikur e kishte idhull, nuk e zuri në gojë, por kjo pak rëndësi ka. E dëgjuat ju, shqiptarë? Berishën e ka shpallur të padëshiruar në Amerikë një qeveri e korruptuar e atij vendi. Ajo qeveri dhe vetë z. Biden dhe Sekretari Blinken ishin të korruptuar, por jo Berisha.
Po ç’tha tjetër amerikani? Tha se gjendja e Shqipërisë sot, në pranverën e vitit 2025, është po aq e rëndë sa ishte gjendja ekonomike e Amerikës më 2024. Të njëjtat probleme ekonomike që i dhanë fitoren z. Trump do e bëjnë Berishën fitues në zgjedhjet e 11 majit. E hani dot këtë karamele?
Tha, gjithashtu, se amerikanët e votuan z. Trump për shkak të shpresës që ngjallte ai te njrëzit e thjeshtë dhe, po për këtë arsye, për shkak të shpresës së madhe që ngjall Berisha te shqiptarët e sotëm, këta do votojnë që ai të vijë përsëri në krye të qeverisë. A nuk ju bëjnë këto fjalë të amerikanit të mendoni se ai as që e ka idenë se për kë flet?
Tha, gjithashtu, se Berisha ka më shumë ekspertizë (se Rama, kuptohet), por nuk tha ekspertizë në se, ndërkohë që, pas 35 vitesh në politikë, edhe profesionin e dikurshëm të mjekut e ka harruar (ose e ka harruar profesioni atë), ndërsa Rama, përkundrazi, si piktor që është, vazhdon e pikturon.
Për z. Rama tha se ka qendruar gjatë në postin e kryeministrit, plot 12 vite (dhe tha një të vërtetë), por nuk tha që Berisha ka qenë në krye të shtetit e të qeverisë shqiptare edhe më gjatë, plot 13 vite. Apo këtë nuk ia kanë thënë as vetë Berisha, as Fatmiri i tij.
Amerikani ndoshta mendon se Tirana që ai ka parë (nuk e di nëse ka dalë jashtë saj në dy vizitat e tij), është Tirana që ka bërë z. Berisha, pasi nuk ka as idenë më të vogël se ç’Tiranë bëri Berisha në vitet 1990 të qeverisjes së tij dhe në ç’gjendje e la kryeqytetin tonë (dhe tërë Shqipërinë) kur shqiptarët e rrëzuan me votë.
Amerikani u tha mbrëmë shqiptarëve nga studioja e atij televizioni se me Berishën ata nuk do kenë më arsye të largohen nga vendi i tyre, pasi ai, ndoshta, nuk e di, se në pranverë të 1997-ës rreth 3,000 shqiptarë humbën jetën në marrëzinë kolektive që shkaktoi shembja e firmave piramidale dhe dhjetra mijë shqiptarë morrën arratinë nga varfëria, pasiguria dhe frika. Këto, të jeni të sigurt, nuk ia kanë thënë amerikanit as Berisha, as Fatmiri, siç nuk i kanë thënë gjë as për viktimat e tragjedisë së Gërdecit, që ishte një vepër e kriminale e të dyve.
Duke mos u larguar nga vendi i tyre, u tha mbrëmë amerikani shqiptarëve, këta do e fokusojnë vëmendjen te familja, pa e ditur, ndoshta, se edhe kur emigrojnë, shumica e shqiptarëve mendjen te familjet e tyre e mbajnë dhe i ndihmojnë ato mesa munden.
Në përfundim, amerikani, i cili nuk u beson sondazheve të opinionit publik, deklaroi se, këtë herë, “shqiptarët nuk do e konfirmojnë Ramën” si kryeministër, por do zgjedhin Berishën, klientin e tij.
Duket se ai ende nuk e ka kuptuar se ky i fundit ka marrë fund. Kjo më kujton një anekdotë që Anthony Giddens e përmend në librin e tij Turbulent and mighty continent: What future for Europe? Një mjek, duke vizituar pacientët e pavionit të tij, i thotë një infermiereje që qëndron pranë shtratit të një të sëmuri: ‘Ky pacient ka vdekur’. ‘Jo, nuk kam vdekur’, thotë pacienti. Infermierja ia kthen: ‘Qetësohu. Doktori e di më mirë këtë punë’.
Partia Socialiste dhe z. Rama edhe mund të mos fitojnë në zgjedhjet parlamentare të këtij viti, çka unë e dyshoj seriozisht, por këtë s’mund ta bëjë të ndodhë ky amerikan dhe askush tjetër nga jashtë. Janë qytetarët e këtij vendi ata që do të vendosin për kë do të votojnë edhe këtë herë.
Duke mbyllur këto radhë, nuk e di pse, instinktivisht, m’u kujtua një emër, James Traficant. Në prill të vitit 2001, dy muaj para zgjedhjeve parlamentare të atij viti në Shqipëri, Traficant erdhi në Tiranë (me paratë e Joe DioGuardit) për t’i dhënë mbështetje Sali Berishës me thirrjen e tij famëkeqe “Better dead than red”.
Për ata që nuk e dinë, në atë kohë ai ishte anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan. Një vit më vonë u dënua për dhjetë krime dhe qendroi në burg plot 7 vite.