Analisti Ermal Hasimja, i njohur për afërsinë e tij me Partinë Demokratike, ka komentuar protestën që opozita mbajti të shtunën në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Hasimja tha se opozitës i mungon fryma dhe besueshmëria, teksa theksoi se nuk ka nevojë për molotovë apo diçka tjetër dhe pushteti e ndjen atë se çfarë po ndodh.
“Protesta e PD tregoi se opozita ka një elektorat të vetin, ka mbështetës të vet që në një moment të caktuar por jo gjithë kohës mund t’i nxjerrë në shesh dhe sheshi u mbush plot. Së dyti tregoi se është akoma e ngecur në atë pamundësinë për të bërë diçka më të madhe se kaq, dhe këtu se kam fjalën për dhunë. Është fryma, besueshmëria që ti krijon, nëse krijon këtë, s’ka nevojë për molotovë apo diçka tjetër dhe pushteti e ndjen atë se çfarë po ndodh”, tha ai.
Analisti më tej shtoi se mungesa e frymës, ka bërë që milatantët e saj të demotivohen.
“Në momentin që krijohet fryma e duhur, nuk ka gjë që e ndalon rrotacionin. Por në këtë mënyrë nuk është krijuar kjo frymë, as për PD dhe as për partitë e tjera opozitare, nuk janë në këtë situatë. Ndaj ne mendojmë se kjo tryezë mund ta krijojë apo mund të ndihmojë për krijimin e kësaj fryme. Të paktën ndihmon pozitivisht pasi shumë njerëz thonë se këto partitë e opozitës janë të ndara do ti ndajnë votat, shansi që opozita të fitojë zgjedhjet e ardhshme është zero. Pra ka një lloj demoralizimi dhe tek militantët e partive”, theksoi Hasimja.



